Policët do marrin pension shërbimi kur largohen pa mbushur moshën

Policët do marrin pension shërbimi kur largohen pa mbushur moshën

Punonjësit e Policisë së Shtetit me një karrierë të gjatë në këtë strukturë, do të mund të përfitojnë pension shërbimi, në rast se dëshirojnë që të ndërpresin marrëdhënien e punës përpara plotësimit të moshës për pension të plotë pleqërie.

Kjo është parashikuar në një projektligj të ri, që ka përgatitur ministria e Brendshme dhe të cilin qeveria e ka paraqitur për diskutim publik me grupet e interesit. Përveç plotësimit të kërkesës së policëve me vjetërsi të lartë shërbimi, projektakti synon edhe uljen e moshës mesatare të punonjësve të Policisë së Shtetit, duke siguruar kështu një Polici më aktive dhe efiçente në luftën kundër krimit në përgjithësi e atij të organizuar në veçanti, si dhe rritjen e parametrave të rendit e sigurisë publike.

Qëllimi

Projektligji “Për trajtimin financiar me pension shërbimi të punonjësve të policisë së shtetit që ndërpresin marrëdhëniet e punës” ka për qëllim që t’u garantojë punonjësve të këtij institucioni që ndërpresin marrëdhëniet e punës, trajtim financiar me “pension shërbimi”, si përfitim suplementar në përputhje me kuadrin ligjor për sigurimin shoqëror suplementar.

Ai është pjesë e reformës në Policinë e Shtetit, pasi në programin politik të Këshillit të Ministrave, prioriteti i qeverisë për vitet në vazhdim është rritja e parametrave të rendit e sigurisë publike, forcimi i mëtejshëm i luftës kundër krimit në përgjithësi e atij të organizuar në veçanti, si dhe luftës kundër terrorizmit. Relacion shpjegues për projektligjin “Për trajtimin financiar me pension shërbimi të punonjësve të policisë së shtetit që ndërpresin marrëdhëniet e punës”. Reforma e plotë në Policinë e Shtetit, do të realizohet nëpërmjet miratimit të të gjithë akteve nënligjore në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, por dhe nga ky projektakt.

Trajtimi

Aktualisht, trajtimi financiar i punonjësve të Policisë së Shtetit, pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës, rregullohet sipas ligjit për pensionet suplementare të ushtarakëve, ligjit nr.10142, datë 15.5.2009 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë", ndryshuar me aktin normativ nr.5/2010.

Ky ligj, por në veçanti akti normativ që e ka ndryshuar, ka ulur ndjeshëm nivelin e përfitimit të punonjësve të policisë, në raport me përfitimet suplementare që ato kishin deri në vitin 2009, sipas ligjit nr. 8661, datë 18.09.2000 “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”.

Nga ana tjetër, ligji për pensionin suplementar të ushtarakëve i cituar më sipër nuk parashikon trajtimin e punonjësve të policisë me “Pension shërbimi”, si kategori e re “pension i parakohshëm” e parashikuar për herë të parë në ligjin nr.108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar (germa c, e nenit 73).

Problematika

Miratimi i këtij projektligji është i domosdoshëm për faktin se, detyrat institucionale që ligji i ngarkon Policisë së Shtetit, janë të një rrezikshmërie e vështirësie shumë të lartë në raport me detyrat institucionale që kanë strukturat e tjera shtetërore që aktualisht janë subjekte të ligjit për pensionet e ushtarakëve.

Nga viti 1991 dhe në vazhdim kanë humbur jetën në krye të detyrës 223 punonjës policie dhe janë plagosur 248. Gjatë këtyre viteve ka dhe punonjës policie të vrarë apo plagosur pas ndërprerjes së karrierës nga elementë kriminal, që janë vetëvrarë apo kanë pësuar trauma të rënda psikike/psikologjike për shkak të kryerjes së detyrave të vështira dhe specifike, duke sjellë paaftësinë e tyre për punë në Policinë e Shtetit në një moshë relativisht të re.

Po kështu, punonjësi i policisë, për vetë natyrën e punës në këto struktura, e ka të limituar periudhën e ushtrimit të detyrave të cilat kërkojnë aftësi të larta fizike dhe rrjedhimisht do të largohen nga strukturat e policisë, para arritjes së moshës për pension pleqërie. Ndërkohë, që punësimi i tyre në shërbimet e tjera publike/private është thuajse i pamundur, pasi mosha dhe arsimimi i tyre ndikojnë ndjeshëm në një mundësi të tillë.

Disa punonjës policie për shkak të nevojave të veçanta të punës, si dhe kur ekziston një situatë reale dhe e rrezikshme ndaj jetës dhe familjes tyre, apo kur për qëllime të zbulimit të krimeve të rënda, infiltrohen në grupe të strukturuara apo organizata kriminale, mund të transferohen jashtë vendbanimit të tyre, gjë që detyron bashkëshortin/en të ndërpresë marrëdhënien e punës. Në këto kushte, me largimin e punonjësit nga policia, familja e tij do të mbetet pa mbështetje ekonomike dhe do të duhet të përballojë jetesën vetëm me pensionin e parakohshëm të tij.

Po kështu, shkalla e vështirësisë në punë të punonjësve të Policisë së Shtetit është me e lartë se e punonjësve të institucioneve tjera që janë subjekte të ligjit për pensionin e ushtarakëve, pasi ata përballen çdo ditë me elementë kriminal, kryejnë veprime policore me rrezikshmëri të lartë për jetën e shëndetin e tyre si ndalime/arrestime, kapje të personave të kërkuar dhe operacione policore që kërkojnë jo vetëm përgatitje të lartë fizike, por edhe një moshë relativisht të re.

Aktualisht, mosha mesatare e punonjësve të policisë është 45.6 vjeç. Me miratimin e këtij projektligji për një periudhë prej 3 vitesh mosha mesatare e punonjësve të policisë parashikohet të ulet në 44.1 vjeç, pra një ulje mesatare me 1.5 vite.

Projektligji është një garanci për punonjësit e policisë që janë në marrëdhënie pune dhe një vazhdim logjik i statusit të tyre kur ndërpresin karrierën. Miratimi i këtij projektligji do të ndikojë, në cilësinë e punës dhe të performancës së punonjësve të policisë në detyrë, në rezultatet në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti, në treguesit e luftës kundër korrupsionit si brenda dhe jashtë policisë, si dhe në objektivitetin e zbatimit të ligjit.

Kriteret

Punonjësi i Policisë së Shtetit mund të përfitojë të drejtën e pensionit të shërbimit, kur plotëson 25 vite vjetërsi shërbimi në strukturat e Policisë së Shtetit me gradë policore dhe ka mbushur moshën 55 vjeç.

Masa e pensionit të shërbimit për personat që plotësojnë kriteret e përfitimit, (25 vite vjetërsi shërbimi dhe moshën 55 vjeç), është 65% (për qind) e pagës mesatare referuese neto dhe për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim mbi 25 vite, masa e pensionit të shërbimit, shtohet me 1 për qind të pagës mesatare referuese neto. Shuma e pensionit të shërbimit është parashikuar të mos kalojë 75% të pagës mesatare referuese neto. Punonjësi i Policisë, që plotëson kriteret përfiton pension shërbimi, pa u trajtuar me pagesë kalimtare apo pension të parakohshëm për vjetërsi dhe ky trajtim vazhdon deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie.

Periudha e trajtimit me pension shërbimi njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni pleqërie, invaliditeti e familjar dhe se kontributi për këto periudha përballohet nga Buxheti i Shtetit dhe derdhet në bazë të pagës mujore sipas së cilës është llogaritur përfitimi mujor, i indeksuar çdo vit me koeficientet e indeksimit të bazës së vlerësuar, por, në çdo rast, brenda kufijve të pagës minimale dhe maksimale, të caktuar nga Këshilli i Ministrave, për efekt të pagesës së kontributeve të detyrueshme.

Pensionin e shërbimit do ta përfitojnë çdo vit, për tre vitet e para pas hyrjes në fuqi të ligjit, jo më shumë se 30% e punonjësve të policisë.

Masat

Punonjësi i policisë i cili, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, ndërpret marrëdhënien e punës dhe përfiton pension të parakohshëm suplementar apo pension shërbimi, nuk ka të drejtë të rikthehet në polici. Punonjësit, të cilit i shkurtohet funksioni organik në kuadër të pakësimit të limitit të përgjithshëm organik të policisë dhe nuk ka vend të lirë për gradën që mban, i ofrohet një funksion i një niveli më të ulët, duke ruajtur gradën për një periudhë deri në një vit. Pas kalimit të këtij afati, në pamundësi sistemimi për gradën që ka, punonjësi lirohet nga policia dhe duhet të trajtohet sipas kritereve të përcaktuar në këtë projektligj.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë