Policia e Korçës ka bërë bilancin e punës gjatë 2 muajve të fundit. Drejtori Vilson Bala në një konferencë për shtyp tha se janë evidentuar 380 vepra penale, janë zbuluar 376, ose 98.94% e tyre, me 369 autorë, nga të cilët 65 janë arrestuar ose ndaluar, 296 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 8 janë shpallur në kërkim.
“Nga këto, 87 vepra penale, ose rreth 23%, janë krime kundër personit, kryesisht plagosje e lehtë me dashje dhe kanosje. Gjatë kësaj periudhe ka ndodhur 1 vrasje, 4 vrasje të mbetura në tentativë dhe 2 plagosje të rënda me dashje”, tha ai.
Bala theksoi se janë realizuar 8 operacione policore, në fushën e narkotikëve, krimeve kundër personit, armëmbajtjes pa leje, vjedhjeve dhe kapjes së personave në kërkim.
“Për goditjen e veprimtarisë kriminale janë zhvilluar gjithsej 8 operacione policore, në fushën e narkotikëve, krimeve kundër personit, armëmbajtjes pa leje, vjedhjeve dhe kapjes së personave në kërkim. Si rezultat janë arrestuar 10 persona, 1 është proceduar në gjendje të lirë, 4 janë shpallur në kërkim, si dhe janë sekuestruar 2 armë zjarri, 1 armë gjahu, rreth 5.5 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, si dhe pajisje e sende të tjera të përdorura për veprimtari kriminale”, shtoi ai.
Sa i përket drejtuesve që kanë shkelur rregullat e qarkullimit, Bala tha se gjatë këtij intervali kohor janë vendosur 8 460 masa administrative dhe janë pezulluar 45 leje drejtimi
“Janë vendosur gjithsej 8 460 masa administrative, janë pezulluar 45 leje drejtimi, janë sekuestruar 3 mjete dhe janë ndaluar administrativisht 6 mjete. Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 18 aksidente me pasoja, kanë humbur jetën 5 persona, 1 person është dëmtuar rëndë dhe 20 persona janë dëmtuar lehtë”, tha ai.
Ndërkohë Gëzim Zhupa drejtori i vendores për Kufirin dhe Migracionin Korçë tha se kanë shtuar masat veçanërisht gjatë pikut të sezonit të verës.
“Duke qenë se periudha e analizuar përkon me nisjen e sezonit turistik veror 2026, Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë ka ndërmarrë dhe po zbaton një sërë masash konkrete për menaxhimin e flukseve në 4 Pikat e Kalimit Kufitar, si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë në hapësirat liqenore.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar garantimit të sigurisë në plazhin e Pogradecit dhe në hapësirat liqenore të Prespës. Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse po monitorohet respektimi i kritereve të sigurisë nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në stacionet e plazhit, funksionimi i perimetrit të sigurisë, prania e vrojtuesve të plazhit dhe zbatimi i rregullave për përdorimin e mjeteve lundruese”, tha ai ndër të tjera.
Komente











