Një tjetër operacion kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike është zhvilluar në Korçë, ku një 31-vjeçar ka përfunduar në pranga, ndërsa drejtuesi i automjetit po hetohet në gjendje të lirë.

Sipas informacioneve, mbrëmjen e djeshme policia ndaloi një automjet me dy persona. Gjatë kontrollit, pasagjeri hodhi një qese me një sasi lënde narkotike, e dyshuar kanabis sativa. Më pas, gjatë kontrollit fizik ndaj tij, efektivët i gjetën edhe një thikë që e mbante me vete.

Drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe u largua, por u ndoq nga efektivët, të cilët më pas konstatuan lëndën narkotike dhe armën e ftohtë.

Në pranga u vu 31-vjeçari E.B., banues në Vlorë, ndërsa drejtuesi i automjetit, E.S., banues në Korçë, po hetohet në gjendje të lirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Korçës për veprime të mëtejshme.