TIRANE- “Armët e zjarrit nuk mund të përdoren në asnjë rrethanë në rastin e protestave paqësore, qofshin ato të ligjshme apo të paligjshme”. Ministria e Brendshme, ka miratuar vendimin “Për përdorimin e armëve të zjarrit”, i cili ka hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare ditën e djeshme.

Ky vendim prek konkretisht punonjësit e Ministrisë së Brendshme, efektivë të Policisë së Shtetit, ata të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Drejtësisë, si dhe punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror.

Vendimi parashikon rastet e përdorimit të armëve të zjarrit, vetëm ndaj personave të veçantë të armatosur në një tubim, të cilët kryejnë vepra të dukshme dhune kundër jetës së personit ose shërbimeve të policisë dhe shërbimeve që kryejnë subjektet e tjera që mbajnë dhe përdorin armë, kur përdorimi i masave të tjera shtrënguese nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara.