Politika pa Sali Berishën e Ilir Metën dhe shansi i artë i ‘delfinëve’ të rinj!

Politika pa Sali Berishën e Ilir Metën dhe shansi i artë i ‘delfinëve’ të rinj!

Berisha dhe Meta

Kur vjen fundi duhet thënë fund dhe mbyllet ky kapitull. Këtë duhet ta mësojnë njëherë e mirë të gjithë politikanët tanë, të të gjithë krahëve politike, të cilët kanë mbetur të ngulur në “kurrizin” e shqiptarëve si një zgjatim i panevojshëm për 32 vite me radhë.

Vjeshta e sivjetme me sa duket do të jetë “përvëluese” për këtë soj politikanësh, që të kapur me thonj pas politikës, do të jenë të detyruar t’i thonë lamtumirë këtij ‘zanati’ asnjëherë të ushtruar në shërbim të qytetarëve që i kanë zgjedhur në postet më të larta të shtetit, por vetëm xhepit të tyre dhe mirëqenies. Pikërisht në kurriz të atyre që i kanë zgjedhur për t’u shërbyer: qytetarëve.

“Laku” po shtrëngohet, pikërisht për këta politikanë, për ta këputur njëherë e mirë “kordonin” që i ka lidhur për 32 vite me politikën dhe për të shkuar secili në hesap të vet: Pra drejt përballjes me drejtësinë. Pasi zullumi këputet duke trashur.

Përpos dosjeve të rënda të abuzimit me pushtetin, një pjesë vijojnë të “pushojnë” rëndshëm në sirtaret e drejtësisë shqiptare, e cila nuk po e merr guximin ende për t’i hapur ato, pavarësisht takimeve, deklaratave mbështetëse apo dhe ftesave që bëjnë partnerët tanë ndërkombëtarë SHBA dhe BE për t’u “dhënë zemër” që të kryejnë detyrën, me sa duket dy janë elementët bazë që mund të nxjerrin jashtë politikës këtë vjeshtë disa nga politikanët më jetëgjatë shqiptarë.

E themi këtë sepse drejtësia jonë nuk të fal po preke ndonjë “arkë peshk”, apo po keqtrajtove ndonjë mace apo qen, reagon menjëherë ndaj kësaj kategorie keqbërësish dhe mirë bën por bën keq se harron keqbërësit politikë që ua nxinë jetën njerëzve dhe një populli të tërë për 32 vite. Ndaj nënvizojmë se, me sa duket “dëbimi” i “dinozaurve” të politikës shqiptare do të vijë pikërisht ngë mëkatet e së kaluarës, dhe këtu bëhet fjalë për mëkatet e para vitit 1990, apo të kohës së diktaturës. Kjo do jetë baza e fillimit të fundit!

Pavarësisht se kjo punë duhej të kishte marrë fund me kohë e me vakt, dy nismat ligjore të PS dhe të një pjese të PD, kjo e fundit përbën dhe shumicën e grupit parlamentar të kësaj partie, që kanë të bëjnë me hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe për ata politikanë që kanë marrë certifikatën e “pastërtisë” nga komisionet “Mezini” dhe “Bezhani” si dhe dekomunistizimin e politikës shqiptare përmes “lustracionit, me sa duket do të shërbëjnë si bazë dhe për pastrimin e politikës shqiptare nga ish spiunët e Sigurimit dhe ish drejtuesit e PPSH të kohës së diktaturës. Elementë që kanë shërbyer për palët që të marrin peng njëra tjetrën dhe për pasojë të marrin peng dhe zhvillimin e vendit dhe prosperitetin e shqiptarëve.

Gjithçka nisi me publikimin e një mesazhi përmes e-mailit në adresë së Autoritetit të hapjes së Dosjeve nga një viktimë e spiunimit, Filip Talo quhet ish studenti i vitit 1989, i cili informonte mes të tjerave, nuk po përmendim fjalorin e përdorur nga personi në fjalë ndaj njeriut që e kishte spiunuar tek Sigurimi, se bashkëstudenti i tij I.M, duke e shënuar madje dhe me emër e mbiemër të plotë Ilir Meta(j), e kishte marrë më qafë përmes spiunimit tek Sigurimi i Shtetit për tentativë arratisjeje jashtë vendit. Vazhdimi dihet, disa media e kanë bërë e bërë publike disa herë!

Autoriteti i Hapjes së dosjeve, në një kërkesë të zgjeruar drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, duke përmendur me emër dhe mbiemër ish presidentin Ilir Meta(j) i cili kishte kaluar dy të komisionet e pastërtisë së figurës, pra “Mezinin” dhe “Bezhanin”, duhej të ndryshohej ligji për kontrollin e figurës, duke zhbërë pikërish nenin për të cilin kishte luftuar fort kreu i Partisë së Lirisë, asokohe i LSI, për ta përjashtuar nga ligji, sikurse dhe e bëri. Pra Autoriteti kërkon që të futet një nen në ligj, i cili lejon verifikimin sërish nga Autoriteti i Dosjeve i figurës së këtij soji politikanësh që kanë kaluar me “sukses” të dy komisionet në fjalë.

Kjo solli dhe ngritjen e një sage sulmesh ndaj Autoritetit dhe kryetares Gentiana Sula, ndaj Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetares Lindita Nikola, ndaj kryeministrit Edi Rama po e po, por dhe ndaj të gjithë atyre që i janë bashkuar nismës për të zhdukur nga politika ish spiunët e Sigurimit të Shtetit.

Ilir Meta(ja) e kishte më kollaj, madje më me pak kosto politike, që të dërgonte një kërkesë tek Autoriteti i hapjes së Dosjeve për të zbardhur deri në detaje dosjen e tij. Dhe nëse rezultonte i pastër sërish, të vijonte luftën e tij kundër kësaj qeverisjeje, kryeministrit Edi Rama. Madje dhe të shpresonte për të ardhur në pushtet, përmes drejtimit të opozitës. Në të kundërt të ikte me dinjitet nga politika vetë, thjeshtë dhe vetëm duke u justifikuar se “20 vjeç kishte qënë atëherë dhe rrëshqiti, faji ishte i moshës delikate”.

Por Meta nuk e bëri këtë. Aktivizoi tërë arsenalin e tij politik dhe mediatik, në fillim duke pretenduar se nuk ishte ai që përmendej në dosje, thuhet se i është bërë shumë presion dhe Talos, por që nuk e zhbën më asgjë sepse Talo tashmë e ka bërë “gjëmën”, ka treguar “raftin” ku gjendej dosja e Ilir Meta(j).

Pastaj ish presidenti luajti me dy mbiemrat që mban për 32 vite me radhë, herë duke e shtuar e herë duke e hequr gërmën “j” në fund të mbiemrit. Sipas volisë dhe konjukturavce të rastit, por dhe presionit që i vinte nga ai që i tundte dosjen para syve. Dhe kjo një shkelje e ligjit të dekriminalizimit, pasi duhej t’i kishte “vuajtur” me kohë pasojat politike. Ndërsa tani ka dalë me versionin më të ri, atë të manipulimit të dosjes “me urdhër të Edi Ramës”, çka në fakt Meta si padashje e pranon që ka dosje të Sigurimit, por “ia kanë manipuluar një çikë”.

Dhe si për të treguar se është dorëjashtë në zbardhjen e dosjes së Ilir Meta(j), Sali Berisha, njeriu që i ka zotëruar për mbi 30 vjet të gjitha dosjet e Sigurimit, ka luajtur me to si ka dashur dhe ka përdorur të gjithë ish bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit pa asnjë “friksion” përfshirë dhe Ilir Metën që e përdori kundër PS për vite me radhë, po del në mbrojtje të ish Presidentit.

Por mbrojtja e Berishës është sipas stilit “mbroje duke e akuzuar”, teksa më se njëherë është shprehur se kush kërkon të kandidojë për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, duhet të marrë me patjetër “certifikatën” e pastërtisë. Pra duhet të “falet” tek Autoriteti i Hapjes së Dosjeve. Në asnjë rast Berisha nuk përmend ata që kanë kaluar verifikimin e figurës tek komisionet “Mezini” e “Bezhani”, të cilët sipas leximit mes rreshtave të deklaratave të kreut të PD, dhe ata duhet të shkojnë e “falen’ te Autoriteti. Pra dhe Iliri.

Kjo jo vetëm që ka rritur paranojën e Metës se është pikërish Berisha ai që ia “futi” me dosjen e Sigurimit të Shtetit për ta hequr qafe si rival në drejtimin e opozitës, por dhe për të konsoliduar zërat se “kur dhe Berisha nuk të merr përsipër të të mbrojë si aleat, je i djegur përfundimisht”.

Sikurse ka deklaruar dhe kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla, por dhe zyrtarë të tjerë të mazhorancës, do të miratohet ligji që verifikon por dhe përjashton nga politika të gjithë ata politikanë që kanë qënë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, duke parë që dhe më shumë se gjysma e deputetëve të PD e mbështesin këtë nismë, duke marrë si kompensim mbështetjen e nismës së tyre për dekomunistizimin e politikës dhe administratës, gjasat janë që në vjeshtë të këtij viti, Ilir Meta, politikani që ka kaluar të gjitha shkallët e pushtetit deri tek presidenti i Republikës në këto 32 vite si askush tjetër më parë, ndonëse është në krye të Partisë së Lirisë, të ngritur mbi themelet e rrënuara të LSI, e shkriu sapo doli nga Presidenca, të jetë jashtë politikës.

E njëjta gjë vlen dhe për Sali Berishën, kryetarin aktual të PD por që ende nuk e ka këtë parti nën “hyqëm” zyrtarisht, për shkak se në gjykatë gjendet ankimimi i kryetarit të komanduar në krye të Partisë Demokratike dhe kreun e grupit parlamentar të kësaj partie Enkelejd Alibeaj.

Pavarësisht se si vendos gjykata, me kërkesën për të fshirë nga politika ish zyrtarët e PPSH, Berisha ka qenë për 25 vite sekretar Partie, por dhe personat “non grata” të shpallur nga SHBA dhe Britania e Madhe, Sali Berisha pritet të jetë i përjashtuari tjetër i madh nga politika. Dhe Berisha sikurse Meta ka qenë kryeministër dhe Presidenti i vendit, ndërsa janë rikthyer sërish për të drejtuar opozitën.

Dhe nëse përjashtohen me ligj nga politika, atëherë qëndrimi i mëtejshëm me kokëfortësi si drejtues të PD dhe PL, do të ishte ngjashëm me një ushtrim aktiviteti pa licencë. Dihet fati. Sado kërcënime të bëhen në emër të “popullit të 2 marsit” apo “popullit demokrat të etur për liri”.

Pavarësisht debateve, pavarësisht akuzave që kanë nisur deri më tani kundër Edi Ramës, se po përpiqet të shuajë opozitën, apo daljes jashtë “binarëve” politikë e njerëzorë nga Meta e Berisha, ku njëri i thotë kryeministrit se do ta “këpusë në mes” apo “do t’a godasë direkt” ndërsa tjetri ka kohë që e ka shpallur armik, nëse nismat ligjore miratohen në shtator, atëherë pritet që këtë vjeshtë politika shqiptare do të jetë pa Sali Berishën dhe Ilir Metën. Si asnjëherë tjetër!

Se si do të jetë politika pa këta dy “dinozaurë” politikë apo dhe me politikanët e tjerë të të dyja krahëve që do t’i shoqërojnë në pension politik, gjithkush mund ta imagjinojë lehtësisht. Jemi të bindur se do të jetë më e mirë.

E vërteta është se përkundër asaj që paralajmëron deputeti i PD Tritan Shehu se dhe mund të ketë arrestime politike, e dëshirojnë shumë Berisha dhe Meta një gjë të tillë pra një arrestim politik, kjo nuk do të ndodhë. Thjeshtë do largohen ish spiunët e Sigurimit, ish zyrtarët e PPSH dhe “non gratat” nga politika, dy prej të cilëve janë Berisha dhe Meta.

“Ndonjë ditë dhe mund të arrestohen deputetë e opozitës, po shkojmë drejt një diktature. Jemi në pragun e viteve ’45. Problemet dhe rreziqet janë për demokracinë shqiptare, jo për individët. Këto përballohen vetëm me lëvizjen popullore. Ky regjim shembet, përballet, bllokohet vetëm me lëvizje popullore”, u shpreh Shehu.

Por kjo mund të ndodhë vetëm nëse drejtësia nis hetimin dhe gjykimin e Metës dhe Berishës për zullumet që kanë bërë. 6 dosje të tyre janë nën hetim në SPAK. Nuk e paragjykojmë drejtësinë, por ka njerëz të vdekur dhe të zhdukur nga korrupsioni në kohën e qeverisjes së tyre, ka para të zhdukura nga buxheti i shtetit. Miliona euro e dollarë dhe maskarallëqe të tjeta të këtij lloji, që kanë firmën e tyre dhe që një ditë do të ndëshkohen.

Por e rëndësishme është çfarë do të vijë nga pastrimi i politikës nga ish spiunët, ish zyrtarët e PPSH dhe “non gratat”. Është shansi për “delfinët” e rinj të politikës që të kapin rastin dhe ta shfrytëzojnë në favor të subjekteve të tyre politike. Për të marrë drejtimin e opozitës dhe për ta kthyer atë në shtratin normal. Por dhe për të qenë alternativë e qeverisjes dhe për të pretenduar për të ardhur në pushtet. Pa qenë të përdorur nga “dinozaurët”.

Është shansi i artë i tyre për të treguar veten, teksa do ta kenë rrugën e ngjitjes në karrierë më të pastrën e mundshme, pa qënë nën kërcënimin e njerëzve me dosje që përdoreshin kollaj, por dhe pa pasur nevojën e përdorimit të njerëzve me dosje apo me “njolla” prej vetë atyre. Në PD ka njëfarë shpresë, ndërsa tek ish LSI apo Partia e Lirisë, ajo ka vdekur me kohë. Eshtë një parti familjare, thjeshtë do gjendet familjari i radhës për ta drejtuar.

Është koha për një pastrim total të politikës. Të presim. Shpresat janë. Shqiptarët e meritojnë një politikë më të mirë e më të pastër, që të jetë në shërbim të tyre.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tosi: 16/08/2022 21:46

    Berisha i mbajti per 30 vjet dosjet...ne zyrat ku e kishin vendin: arkivi i MB dhe SHIK/SHISH. Nese ky eshte standarti i maskarait, pasardhesi i bie qe eshte dopio maskara... Me te ardhur neokomi Rama, i rrembeu arkivat dhe degdisi "me vete" per te pastruar rekordet e tyre me fuqite e huaja gjate daljeve jashte Shqiperise si "sportiste", "artiste" apo "pasuniversitare". Dhe pas "10 vite studimesh" ekspertet e sigurimit politik jane ne proces te "rihapjes" se ca dosjeve medemek pasiqe kane dale "sinjale" te reja ne ngarkim te armiqve te sotem te partise se shokut Edvin. Kesaj i thone cohu o Prift te ulet Hoxha!!!

    Përgjigju
  • UKU MOMLIT: 16/08/2022 20:10

    Klasa politike shqiptare 32 vjeçare,pa asnje dallim,ne opozite e pushtet,qofshin edhe "Delfinet e rinj" duhet te hetohen per krimet monstruoze qe kane bere,tu merret pasuria e grabitur e vjedhur prej tyre dhe keta klyshe te PPSH,qe sot jane bere çakej ne xhunglen politike shqiptare,te mbyllen pergjithmone ne muze si pervoja me e hidhur e fatkeqsise kombetare shqiptare. Vetem ne kete rast do filloj prosperiteti per Shqiperine dhe shqiptaret. Alternative e ketij fillim prosperiteti eshte vetem DIASPORA SHQIPTARE.

    Përgjigju
  • Bona: 16/08/2022 19:20

    Shpresojm qe iliri dhe sala te zhduken njeher e mir ishalla hyjn ne burg

    Përgjigju
  • Berti: 16/08/2022 19:19

    Ilir meta dhe saliu dy njerezit me te felliqur qe meritojne mos te jene me ne politike

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët