Në vizitën e tij në Komunitetin Mysliman Shqiptar, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj.
Kryeministri Rama u përcolli udhëheqësve të Komunitetit Mysliman Shqiptar, të gjithë besimtarëve myslimanë dhe gjithë shqiptarëve, urimet për këtë ditë të shënuar të besimit, solidaritetit dhe shpresës.
Kryeministri Rama në dalje të Selisë Qendrore të Komunitetit Mysliman, ashtu si dhe herët e tjera, është shprehur për mediat kundër protagonizmit të politikës në këtë ditë të madhe të besimtarëve.
“Unë do të them: Gëzuar! Ju e dini që unë jam kundër kësaj, që rreshtohen politikanët nëpër dyer e bëjnë urime. Sot, në fakt jemi të gjithë të barabartë e njësoj. Gëzuar!” – u shpreh Kryeministri për mediat pas vizitës në Komunitetin Mysliman Shqiptar.
Më pas, Kryeministri Rama iu drejtua Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku uroi edhe drejtuesit e saj.
Po kështu edhe deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko ka uruar shqiptarët për më shumë paqe e begati.
Nishani: Urimet më të mira të gjithë besimtarëve myslimanë
Në ditën e Fiter Bajramit nuk ka munguar edhe urimi nga Presidenti Bujar Nishani. Pas vizitës në Komunitetin Mysliman, kreu i shtetit përcolli mesazhin e urimit për të gjithë besimtarët myslimanë, ndërsa shtoi se “Nderojmë klerikët myslimanë që kontribuuan për vendin”.
Meta: Të reflektojmë për një të ardhme më të mirë
Kreu i Kuvendit Ilir Meta në urimin e tij për të gjithë shqiptarët për festën e Fiter Bajramit, tha se kjo është një ditë për të reflektuar për një të ardhme më të mirë.
“I uroj të gjithë shqiptarëve dhe besimtarëve myslimanë gëzuar Fiter Bajramin. Është një ditë kur duhet të tregohemi më të gatshëm për të reflektuar për një të ardhme më të mirë për gjithë vendin. Sot është një festë që nuk duhet të ndikohet nga zhvillimet e javës”, u shpreh kreu i Kuvendit Ilir Meta, njëherësh kreu i LSI.
Basha: Askush mos t’i ikë përgjegjësisë, të mbahet premtimi për Xhaminë e madhe
Kreu i PD Lulzim Basha, ndërsa ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit, është ndalur tek çështja e Xhamisë së Madhe të Tiranës. Kreu i PD, njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës ka bërë apel që “të mos i ikë askush përgjegjësisë, por të mbahet premtimi për nderimin e xhamisë së madhe”.
“Një urim të veçantë për agjëruesit e Ramazanit që i japin fund sot sakrificës njëmujore, dhe një falënderim për përgjegjësinë, që kanë marrë dhe përgjegjësinë që kanë treguar, për veten e tyre, për familjen tyre por edhe për shoqërinë tonë, për gjithë vendin.
Uroj që sakrifica e tyre sublime të shpërblehet me mbarësi e mirësi për ata vetë, për familjarët e tyre, për komunitetin, për gjithë vendin tonë dhe për shqiptarët, pa dallim kudo që janë. Sot një urim të veçantë kam dhe për Klerin e përfaqësuesit e tij që e kanë nisur ditën në orët e para të mëngjesit apo më herët që në orët e mesnatës, për përgatitjen e kësaj dite feste.
Uroj që asnjë të mos i ikë përgjegjësisë për detyrimet që kemi ndaj njëri-tjetrit në këtë shoqëri, në këtë bashkëjetesë tonë, e për më shumë sot në këtë ditë të veçantë të mos i ikim përgjegjësisë për ndërtimin e Xhamisë së Madhe si një premtim, i kahershëm dhe një detyrim ndaj besimtarëve të kryeqytetit dhe të mbarë Shqipërisë.
Uroj dhe shpresoj që ky muaj reflektimi, faljesh, lutjesh të qindra mijëra besimtarëve të shërbejë sa më mirë, për ta realizuar këtë projekt dhe për të na dhënë forcë dhe vizion të gjithëve, pa dallim, të zgjedhin rrugën e drejtë përmes vendimeve të drejta, duke i shërbyer një vendi, një shoqërie më të drejtë dhe më solidare me njerëzit në nevojë”, theksoi në mesazhin e urimit Basha.
Mesazhe urimi për festën e Fiter Bajramit kryetari i PD dhe Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka shprehur dhe në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve.
Berisha: Gëzuar Bajramin të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen
Edhe ish-kryeministri Sali Berisha iu është bashkuar urimit me rastin e Fiter Bajramit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha uron Bajramin të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.
“Te dashur miq, sot dita e Bajramit! Le t'i lutemi ne se bashku Zotit qe lumi i sakrificave te shqiptareve te shnderrohen ne fat e mbaresi per cdo shqiptar, per Shqiperine, Kosoven dhe trevat shqiptare kudo qe jane! GEZUAR!!!” shkruan Berisha
Arvizu: Gëzuar Bajramin! Për reformën duhet kompromis
Për festën e Bajramit ka përcjellë urime edhe ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksander Arvizu, pas vizitës në Komunitetin Mysliman. Duke uruar besimtarët myslimanë për Fiter Bajramin, ambasadori Arvizu tha se qeveria ka bërë punë të mirë. I pyetur për reformën territoriale, ambasadori Arvizu tha se “duhet të merren parasysh sugjerimet. Kompromisi është rruga më e mirë".
Idrizi: Falja në rrugë të marrë fund, apel qeverisë të nisë ndërtimin e xhamisë
Kreu i PDIU Shpëtim Idrizi, duke uruar besimtarët myslimane për festën e Fiter Bajramit, i ka bërë apel qeverisë që të nisë ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës. Sipas Idrizit, besimtarët myslimanë shqiptarë “meritojnë dinjitet”.
“Uroj të gjithë besimtarët gëzuar festën e Fiter Bajramit. Mora pjesë në faljen e Fiter Bajramit për t’u solidarizuar me besimtarët myslimanë. Falja në rrugë duhet të marrë fund, i bëj apel qeverisë të nisë ndërtimin e Xhamisë së madhe të Tiranës. Besimtarët myslimane meritojnë dinjitet”, Shpëtim Idrizi.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)