Politikanët shqiptarë urojnë
Kosovën për 9 vjetorin e pavarësisë

Politikanët shqiptarë urojnë<br />Kosovën për 9 vjetorin e pavarësisë
Politika shqiptare sot feston së bashku më Kosovën, 9 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Krerët më të lartë të shtetit, kanë përcjellur urimet më të përzemërta në këtë ditë të shënuar për Kosovën. 

Ora 10:55 Meta: Kosova ecën e sigurt drejt integrimit euro-atlantik
Me rastin e 9 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës më lejoni t’Ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më të ngrohta në emër të Kuvendit të Shqipërisë.
 
Sot i gjithë kombi shqiptar kujton me mirënjohje të thellë të gjithë ata që sakrifikuan për pavarësinë e Kosovës, ndaj sot nderojmë me krenari, së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës, mençurinë vizionare të Presidentit Ibrahim Rrugova dhe përulemi me respekt të thellë ndaj heronjve të UÇK-së me Komandantin Adem Jashari në krye.
 
Sakrifica e pamasë e tyre na detyron të gjithëve të shumëfishojmë përpjekjet tona me qëllim që Shteti i Kosovës të ecë përpara në misionin kombëtar të shtimit të njohjeve ndërkombëtare, forcimit demokratik institucional dhe të avancimit në axhendën e sigurt euro-atlantike.
 
Në këtë drejtim, Ju siguroj për mbështetjen e plotë të Kuvendit të Shqipërisë, dhe duke mirëpritur vizitën Tuaj zyrtare ditën e hënë në Tiranë, unë besoj fort se ajo do të rikonfirmojë bashkëpunimin gjithnjë e më cilësor mes Tiranës dhe Prishtinës.
 
Duke Ju shprehur edhe një herë urimet e mia më të sinqerta, si dhe dëshirën për paqe, zhvillim e prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës, Ju lutem pranoni, i nderuar Zoti Veseli, ndjenjat e konsideratës time më të lartë.


Ora 10:54 Bushati: Procesi i integrimit europian dhe euro-atlantik është i pakthyeshëm

Edhe ministri Bushati, nuk ka munguar me urimet e tij për këtë ditë të shënuar për Kosovën. Ai ka shkruar se këto nëntë vite kanë qenë të mbushura me punë e përpjekje, me arritje në procesin sfidues të shtet-ndërtimit demokratik dhe fitimit të subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar.

Kreu i diplomacisë, ka shkruar në fund të mesazhit të tij se procesi i integrimit europian dhe euro-atlantik është i pakthyeshëm.
 
Urimi i ministrit të jashtëm, Ditmir Bushati:
 
Përgëzime Kosovës për këtë përvjetor të nëntë të Pavarësisë!
 
Nëntë vite të mbushura me punë e përpjekje, me arritje në procesin sfidues të shtet-ndërtimit demokratik dhe fitimit të subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar. Procesi i integrimit europian dhe euro-atlantik është i pakthyeshëm.
 
#GëzuarDitëlindjenKosovë



Ora 10:47 Idrizi: I lumtur për arritjet e Kosovës, e pret një e ardhme e shkëlqyer 
 
Kryetari i PDIU-s, Shpëtim Idrizi ka dërguar gjithashtu urimet e tij për pavarësinë e Kosovës.

Ai ka shkruar se kjo është një datë e rëndësishme historike për shqiptarët duke i dhënë fund një shekulli të gjatë e të mundimshëm vuajtje nën roberi të Kosovës.

Idrizi ka shkruar se gëzohet me hapat që Kosova bën përpara, dhe shpeh sigurinë se Kosovën e prej një e ardhme e shkëlqyer.
 
Urimi kreut të PDIU-s, Shpëtim Idrizi:
 
Më rastin e 17 shkurtit, dëshiroj t’i uroj bashkëkombasit tanë kosovarë dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, për 9-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Pas 28 Nëntorit, kjo është data më e rëndësishme historike për shqiptarët duke i dhënë fund një shekulli të gjatë e të mundimshëm vuajtje nën robëri të Kosovës. Këtë ngjarje të shënuar e konsideron veçanërisht të shtrenjtë shqiptarët e Çamërisë të cilët duke e patur ende plagën e hapur, i kuptojnë më së miri vështirësitë dhe dhimbjet që kanë kaluar kosovarët. Nuk është aspak rastësi fakti që PDIU-ja datën e themelimit e ka pikërisht 17 shkurtin. Sot ne të gjithë gëzohemi dhe krenohemi kur shohim Kosovën që ecën përpara me hapa të sigurtë, dhe jemi të bindur se Republikën e Kosovës e pret një e ardhme e shkëlqyer. PDIU-ja e ka prioritet të saj programor zgjerimin dhe thellimin e lidhjes vëllazërore mes Tiranës dhe Prishtinës, duke synuar që kufijtë mes shqiptarëve që na janë imponuar, të shndërrohen në formalitet dhe duke dëshiruar që sa më shpejt të shkojmë bashkë drejt integrimit në BE.


Ora 10:24 Nishani: Urimet më të mira e vëllazërore në këtë ditë të shënuar
 
Kreu i Shtetit Bujar Nishani, i ka dërguar një mesazh urimi presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, me rastin e 9 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Nishani në letrën dërguar Thaçit, i ka përcjellur urimet e përzemërta vëllazërore në emër të popullit shqiptar. Ai ka përshëndetur arritjet që Kosova ka bërë deri tani, por ka shtuar gjithashtu se beson se Kosova shumë shpejt do të bëhet anëtare aktive e organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare.
 
Urimi i Nishanit:  

 
I nderuar Zoti President,
 
Me rastin e 9-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të përzemërta e vëllazërore, për Ju dhe të gjithë shtetasit e Kosovës.
 
Përfitoj nga rasti të përshëndes gjithashtu, të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe funksional të Kosovës, si dhe kontributin e rëndësishëm të dhënë në funksion të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit. Jam i bindur se falë këtij progresi, por edhe mbështetjes domethënëse të partnerëve, Kosova shumë shpejt do të bëhet anëtare aktive e organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe do të avancojë krahas vendeve të tjera të rajonit, në agjendën e saj evropiane.
 
Marrëdhëniet ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Kosovës, janë shumë të veçanta dhe të një rëndësie thelbësore, si për të ardhmen e kombit shqiptar ashtu edhe për stabilitetin dhe përparimin e rajonit. Ndaj dhe ju siguroj se Shqipëria, bazuar në frymën dhe vizionin evropian e euroatlantik, do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit dhe do ta mbështesë pa asnjë rezervë në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror.
 
Me urimet më të mira e vëllazërore në këtë ditë të shënuar, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

 
Ora 10:20 Basha: Do të jemi së bashku në rrugën e sfidave
 
Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka uruar të gjithë shqiptarët e Kosovës, për 9 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Basha ka shkruar në mesazhin e tij se këto 9 vite të pavarësisë nuk kanë qenë të lehta, por që rruga që kanë përpara është ende e mbushur me sfida.

Urimi i Bashës: 
 
Sot në vitin e nëntë te pavaresise se Kosoves, te dyten dite me te rendesishme te historise sone kombetare, dua te uroj nga zemra vellezerit dhe motrat e Kosoves.
 
Nente vite te pavaresise se Kosoves nuk kane qene vite te lehta. Veshtiresi te shumta kane sfiduar udhen e saj drejt projektit te shtetformimit.
 
Por pjekuria e durimi,forca e mencuria,besimi i pashtere te liria,respekti fisnik ndaj tipareve me te vyera kombetare me te cilat ju te dashur vellezer dhe motra keni perballuar keto sfida do te shkruhen ne faqen e krenarise sone kombetare.
 
Te dashur vellezer e motra te Kosoves. Cdo sukses i juaji eshte sukses i yne,cdo hap i juaji perpara na rrit dhe ne,cdo dhimbje lendon njesoj.
 
Rruga qe kemi perpara eshte ende e mbushur me sfida. Realizimi i aspirates tone kerkon ende sprova e pas cdo sprove rritet qartesia dhe vizioni se jemi ne rrugen dhe anen e drejte te historise.
 
Ne kete dite te pervjetorit te nente te pavaresise me lejoni qe bashke me urimet e gezimin te ndaj me ju nje premtim, se cdo ore, cdo dite e jetes dhe e punes time, sot ne krye te opozites e neser ne krye te qeverisjes se vendit, Kosova dhe aspirata jone e perbashket drejt integrimit do te jete misioni yne i madh, busulla orientuese me e qarte, energjia qe do te ushqeje cdo hap tonin perpara.
Ne do te jemi bashke ne kete rrugetim, se bashku do tia dalim.
 
Gezuar Diten e Pavaresise Kosove!​


Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë