Poloni - Një 104 vjeçar nga Polonia, ka vendosur një rekord të ri evropian për të moshuarit në garën e 100 metrave, duke thyer rekordin e mëparshëm që mbahej nga një 96 vjeçar.

Stanislav Kowalski mori pjesë në një manifestim për atletë të rinj dhe arriti t’i lërë të gjithë me gojë hapur, së pari për pjesëmarrjen e tij, duke marrë parasysh moshën që kishte, dhe së dyti me rezultatin që arriti.

Ai vrapoi në garën e 100 metërshit dhe arriti kohën 32.7 sekonda, kohë e cila nuk do të përbënte ndonjë lajm nëse ai që do kishte arritur këtë kohë nuk do të ishte një burrë 104 vjeçar.

Burri ka deklaruar se në pjesën më të madhe të jetës së tij ka ecur në këmbë ose me biçikletë, por vetëm në moshën 92 vjeçare kishte zbuluar pasionin që kishte për vrapin.

Veç të tjerash ai pohon se gjendja e tij e mirë shëndetësore e lejon të bëjë çfarë të dojë, pa shkuar asnjëherë tek mjeku për ndonjë vizitë. Pas fitores ai u shpreh: “Ndihem tjetër njeri”.

Zoti Kowalski do të vazhdojë të stërvitet për të mbrojtur rekordin e tij me çdo kusht dhe sigurisht që kjo nuk do jetë një ndërmarrje e lehtë.

Redaksia Online
(F.I/Shqiptarja.com)