Nivel i lartë i bashkëpunimit, partneritet në NATO, mesazhe optimiste nga Shtetet e Bashkuara në lidhje me heqjen e taksës së dyfishtë dhe liberalizimin e vizave për kroatët, këto janë mesazhet kryesore pas takimit ndërmjet kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviq, dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në Dubrovnik të Kroacisë.
Kjo është vizita më e lartë e një zyrtari amerikan në Kroaci që nga viti 2012, kur këtë vend anëtar të Bashkimit Evropian e kishte vizituar ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Klinton.
Pompeo, në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve, Hina, kërkoi nga Kroacia që të distancohej nga Kina, si në projekte ashtu edhe në përdorimin e rrjetit 5G.
"Nëse keni një projekt strategjik, një projekt të sigurisë kombëtare, atëherë siguria kombëtare duhet të jetë një përparësi. Nëse paraqiten tenderë nga Partia Komuniste Kineze, të cilët janë më të lirë, rreziku për qytetarët është i lartë. Ne besojmë se udhëheqja kroate do të marrë vendime të mira për njerëzit e saj", tha Pompeo.
Ai shtoi se Kroacia, si një anëtare e NATO-s, duhet të jetë e sigurt se përparësitë e saj strategjike janë të mbrojtura dhe të sigurta nga "ata që duan të punojnë në një mënyrë që ne nuk do t'ia bënim njëri-tjetrit".
"Kjo është gjithçka që ne po kërkojmë", tha Pompeo.
SHBA-ja është duke komunikuar me shumë vende në botë, për të kundërshtuar bashkëpunimin e tyre me kompaninë kineze Huawei dhe rrjetin e saj 5G.
Uashingtoni e ka vendosur këtë kompani në “listën e zezë” pasi vlerëson se ajo paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe e përdorë teknologjinë e saj për të spiunuar në emër të qeverisë kineze.
Pompeo për Ballkanin
Sekretari Pompeo, në konferencën për media me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, tha se Uashingtoni do të mbetet "jashtëzakonisht i angazhuar" në Ballkan.
Ai vlerësoi lart marrëveshjen për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që u arrit muajin e kaluar në Shtëpinë e Bardhë.
"Shtetet e Bashkuara nuk udhëheqin më duke qëndruar prapa. Ne kemi qenë tepër të angazhuar në këtë rajon në frontin diplomatik. Ju përmendët punën që kemi bërë me Kosovën dhe Serbinë. Edhe atje ka më shumë punë për të bërë. Është një proces, por kemi bërë një hap të parë të mirë, një veprim të mirë përpara", tha ai duke theksuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë serioze edhe me Bosnjën dhe Hercegovinën, transmeton Zëri i Amerikës.
Pompeo, i cili arriti në Dubrovnik të premten, në kuadër të një turneu evropian, falënderoi Kroacinë për pjesëmarrjen e saj në misionet e NATO-s, krah për krah me Shtetet e Bashkuara, për udhëheqjen e mirë të Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të këtij viti dhe për rolin e saj pozitiv në Evropën Juglindore.
Pompeo diskutoi me autoritetet kroate edhe për shitjen e aeroplanëve amerikanë F-16. Ai tha se ishte shumë krenar për cilësinë e produkteve amerikane, dhe se pala amerikane do të ofronte kushte të mira financiare, por që "i takon udhëheqjes kroate të vendosë".
Me të arritur në Dubrovnik, Pompeo u tha gazetarëve se ai ka dalë negativ në testin për koronavirus dhe se ai ndihej mirë. Komentet për shëndetin e tij u bënë pasi të premten në mëngjes, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe Zonja e Parë, Melania, rezultuan pozitiv në testet për koronavirus.
Sekretari amerikan i Shtetit tha se qytetarët kroatë së shpejti do të jenë në gjendje të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara pa viza, transmeton agjencia kroate Hina.
"Ka ende punë për të bërë, dokumentet, çështjet administrative duhet të zgjidhen, disa duhet t’i bëjmë ne, edhe disa u takojnë kroatëve", tha Pompeo.