Ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki u takua në Nju Jork me ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit për Evropën, Victoria Nuland kushtuar luftës kundër terrorizmit në Ballkan.

"U bisedua për mënyrën sesi vendet ballkanike të munden bashkarisht të ballafaqohen me kërcënimin në rritje nga grupet islamike", deklaroi Poposki pas takimit.
"SHBA është e interesuar që në Ballkan të ketë bashkëpunim më të mirë në luftën dhe parandalimin e luftëtarëve nga ky rajon në radhët e ISIS-it. Kjo nënkupton edhe këmbimin e informacionit, mbështetjen politike si dhe punën me liderët e bashkësive islamiste nga i gjithë rajoni.
Në këtë pjesë interesi amerikan është që secili nga shtetet të jetë partner i sigurtë, të mundemi së bashku të punojmë drejt ballafaqimit me këtë të keqe të përbashkët", deklaroi Poposki.

Maqedonia ishte edhe një nga bashkësponsorët e rezolutës të Këshillit të Sigurimit, sipas së cilës anëtaret e OKB-së janë të detyruara të mos lejojnë largimin e qytetarëve të tyre drejt grupeve të huaja terroriste.

"Ndërkohë, përsa i përket marrëdhënieve dypalëshe, kishim mundësi të konfirmonim se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner dhe një prej mbështetësve më të fuqishëm të Republikës së Maqedonisë. Mbeten të përkushtuar për anëtarësimin tonë në NATO dhe në Bashkimin Evropian", deklaroi Poposki./ ATSH/