Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko njoftoi sot se parlamenti do të ratifikojë të martën marrëveshjen historike të asocimit me Bashkimin Evropian dhe theksoi se shpresonte një "status të veçantë" në NATO, një afrim kundër të cilit Moska ka paralajmëruar.

Dy njoftimet u bënë ditën e hyrjes në fuqi të sanksioneve të reja ekonomike të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe SHBA kundër Rusisë për rolin e saj në konfliktin në lindje të Ukrainës , gjë që Moska e përgënjeshtron.

Presidenti proevropian, i cili u shpreh në një konferencë në Kiev kushtuar strategjisë proevropiane të Ukrainës, premtoi gjithashtu se Krimeja, gadishull ukrainas i aneksuar në muajin mars nga Rusia, do t'i rikthehet vendit dhe jo domosdoshmërisht me mjete ushtarake.

"Ratifikimi i marrëveshjes politike dhe tregtare me Bashkimin Evropian, vendosur në muajin qershor në Bruksel, do të jetë një moment historik për vendin", theksoi Poroshenko.
Ky nënshkrim ngjalli irritimin e Moskës, në një kohë që burri i hekurt i Kremlinit, Vladimir Putin kërkoi që me krijimin e një bashkimi doganor të rifitonte influencën e tij tek ish-republikat sovjetike.
"Populli ukrainas është përballur me një prej testeve më të vështira për të drejtën për të qenë evropian", theksoi ai duke iu referuar pesë muajve konflikt që ka shkaktuar më shumë se 2 700 të vdekur dhe dhjetëra mijëra të zhvendosur.

"Jam i sgurt se vendi do të jetë më demokratik dhe do të ketë më shumë liri", shtoi Poroshenko.
"Jam dhe do të jem gjithmonë krenar për të qënit ukrainas dhe ndjehem gjithashtu një anëtar me të drejta të plota i familjes evropiane", theksoi Poroshenko./ATSH/