Ukraina bëri sot një hap tjetër drejt Perëndimit duke njoftuar se do të kërkojë në vitin 2020 anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe do të heqë dorë, në të ardhmen, nga statusi i saj si vend vëzhgues, që do t'i hapë rrugën për hyrjen në NATO.

"Do të paraqes sot një program reformash, zbatimi i të cilave do t'i mundësojë Ukrainës të depozitojë në gjashtë vjet një kërkesë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian", deklaroi presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, gjatë një takimi me gjyqtarët, cituar nga shërbimi i shtypit.

Ai njoftoi përveç të tjerave në rrjetin social "Twitter" se kishte ngarkuar qeverinë të braktiste zyrtarisht statusin e vendit vëzhgues të kësaj ish-republike sovjetike, masë që do t'i hapë rrugën hyrjes në NATO. Poroshenko shpalli me dekret një vendim në këtë kuadër miratuar në fund të muajit gusht nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë.

Gjatë vizitës në Uashington javën e kaluar, Petro Poroshenko i kërkoi në Kongresin amerikan që SHBA t'i akordojë vendit një status të veçantë për mbrojtjen dhe sigurinë si shtet joanëtar i NATO-s.

Njoftimet u bënë pas pesë muajve të një konflikti të përgjakshëm me rebelët prorusë në lindje të vendit.

Kievi dhe perëndimorët akuzojnë Rusinë për mbështetje të kryengritësve duke i furnizuar me armë me qëllim për të penguar ukrainasit të afrohen me Perëndimin./ATSH/