Dorian Sinani 20 vjeç, banues në Bathore u arrestua në Tiranë, pasi dyshohet se kishte porositur një pako me kanabis me përqindje të lartë THC. Pakoja që dyshohet se ishte trafikuar nga SHBA, do të shitej në Shqipëri.
Burimet thonë se lënda narkotike do të mbërrinte në postën e Shkodrës. Pak ditë më parë 20-vjeçari kishte shkuar me taksi në Shkodër dhe ishte paraqitur në postë por nuk e ka tërhequr pakon pasi ka pasur frikë se zbulohet. Megjithatë, kamerat e sigurisë e kanë pikasur teksa lëvizte para postës, dhe përmes gjurmimit të taksisë është lokalizuar edhe banesa e tij në Bathote.
Antidroga e Tiranës prej më shumë se 2 javësh mbajti në vëzhgim Dorian Sinanin. Sipas burimeve, ai kishte shënuar në porosi të dhënat personale nga një kartë identiteti që një qytetar e kishte denoncuar të humbur në një faqe në rrjetet sociale. Edhe numri i celularit nuk ishte i tiji.
I riu, i cili njihet edhe si përdorues i drogës, kishte porositur 8 paketime me kanabis, me peshë totale 4 kg e 641 gramë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale
Droga, sipas përllogaritjeve kapte një vlerë prej rreth 20 mijë eurosh nëse do të hidhej në treg. Policia po vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në trafikimin e saj nga SHBA-ja drejt Shqipërisë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi në përditësim....










Komente
Komento