Edhe pse i tillë, ndërkohë që i ati Lushi dhe e ëma Silja e shikonin si sytë e ballit, në moshën 13-vjeçare ai merr rrugët e dhimbshme të mërgimit. I merr ato rrugë, duke lënë pas si një peizazh të trishtuar fëmijërinë dhe plot ëndrra lundrimi me varkë... Do të punojë shërbëtor e berber nëpër dyert e shtëpive të Cetinës, në Mal të Zi, deri në vitin 1918.
Rrugët e mërgimit do ta sillnin përsëri në vendlindje. Tani i nënshtrohet profesionit të berberit, ndonëse nuk e ka me qejf. Kështu, hap një dyqan në lagjen Gjuhadol. Dyqani, nis si pakuptuar, të kthehet në studio e në klub ahengxhinjsh.
Kola nis të pikturojë e, së bashku me disa shokë, formon edhe një orkestër. Gjithashtu, ai do të jetë i pranishëm edhe si instrumentist në Kafe të Madhe, duke i rënë xhezit e duke shoqëruar profesorin italian Muçi, që i binte pianofortës. Peneli i piktorit Kolë Shiroka la ca peizazhe nga Shkodra, portrete të ndryshme e deri reklama tregtie. Allçia e skulptorit Kolë Shiroka na la të skalitur një grua, e cila mbante një shtambë për të mbushur ujë te truma e Dugajve të reja. Të vjen keq që kjo vepër u shkatërrua dhe humbi përgjithnjë. Sidoqoftë gjurmët e talentit të Shirokës i shikon ende sot. Dëshmitar i heshtur është tavani i ndërtesës së Prefekturës së Shkodrës. Në katër cepat e saj janë punuar me allçi katër shqipe.
Kola, në orkestrën që do të formojë, do të jetë bashkë me Kolë Lufin e Kolë Vjerdhën. Tre Kolat... së bashku me të njëjtin emër, ishte thjesht një rastësi. Përveç kitarës, Kola do t’i bjerë edhe violinës, mandolinës, braçit, etj.
Më vonë, me disa miq të tij (zanatçinj, nëpunës, mësues e punëtorë të talentuar), si: Simon (Gurakuqi) Rranxi e Shuk Paloka këpucarë, Cin Nush Daija marangoz, Gjon Laca rrobaqepës, Luigj Dajçi mekanik, Ton Daja berber, mësuesi Kolë Kosmaçi, nëpunësit Kel Luka e Gegë Gurakuqi etj, formojnë shoqërinë “Rozafat” (brenda kësaj krijuan grupin “argtimuer”), më 13 shkurt 1918, e cila vijoi veprimtarinë e vet për rreth 20 vjet. (Kryetari i parë i saj u zgjodh Kel Luka, nënkryetar, Simon Gurakuqi (Rranxi), këshilltar Cin Daija. Anëtarë të tjerë të kryesisë ishin Luigj Daja, Gjon Laca, Shuk Paloka.)
Për këtë shoqëri, aktori veteran Gjon Karma, në kujtimet e tij, ka thënë: “... “Rozafati” ishte e vetmja shoqëri në Shkodër, ku anëtarët e saj mblidheshin me familje, burra, gra, vajza dhe kalonin mbrëmjet me bufetë dhe kërcime moderne e valle popullore, recitime dhe fjalë gazi, etj. ... Kolë Shiroka ishte vjershëtari, skenografi e aktori i grupit. Ka interpretuar në lojërat e gazit “Dy të fejuem në nji burg”, “Serreti”, “Lejleku në Shirokë”, në komeditë “Njeri me hanë”, “Batakçia”, në dramat “I mërguemi”, “Vdekja e Skënderbeut”.”
Talenti i Kolë Shirokës preku shumë gjini të artit, por veçanërisht ai shkëlqeu dhe u bë personazh me karnavalet, që Shkodra i kishte traditë.
“Dialogu” i Kolë Shirokës me karnavalet, përmes viteve 1931, 1932, 1934, 1936, e ai që s’doli më 1937; ka shumë peripeci, histori e ngjarje të këndshme e të pakëndshme, gëzime e zhgënjime, censurë dhe tentativë për burgosje...
Duke njohur historikun e karnavaleve, mësojmë se ata përgjithësisht bëheshin me maska të përpunuara e me kostume të vjetra. Gjithsesi kjo iniciativë ishte e mirë, por tingëllonte disi anakronike për kohën. Hyrja e Kolës në këtë hulli interesante humoristiko-satirike bënë që karnavalit, në një masë të konsiderueshme, t’i ndërrohej fytyra duke i vënë “maskë” të re mendimi, problematike e humori. Ai luftoi dhe e konceptoi karnavalin më folës, më shprehës i nevojave e halleve të njerëzve e me një ngjyrim sa më të kohës. Aq sa për disa vjet rresht doli i vetëm para publikut shkodran...
Në vitin 1931 Kolë Shiroka formoi një grup, shumicën e të cilit e përbënin anëtarët e shoqërisë “Rozafat”. Ky grup doli rrugëve me karro alegorike që mbarte një flutur të madhe, në krahët e saj dukeshin maskat e pikturuara të anëtarëve të grupit.
Në vitin 1932 Shiroka me grupin e tij u veshën bukur me rrobe moderne dhe kaluan rrugës së qytetit hipur mbi një vapor të madh, duke iu rënë veglave muzikore e duke deklamuar bejte që trajtonin krizën e papunësisë.
Në vitin 1934 grupi i Kolë Shirokës u shpërnda se kishte rënë në sy të qeverisë për kritikat ndaj saj. Kësaj radhe Kola u maskua dhe doli vetëm. Bëri një karro simbolike, mbi të cilën vuri globin e tokës. Vetë u vesh si astronom. Me anën e bejteve trajtonte problemin e krizës që kishte mbërthyer botën e njëkohësisht kritikonte kumarxhinjtë, alkoolistët, dembelët, kapadainjtë, femnistët, etj. , që ishin shndërruar në fenomen shqetësues për qytetin.
Në shkurt të vitit 1936, Kolë Shiroka kurorëzoi apogjeun e karnavalit shkodran. Me fantazinë e tij vuri mbi karro, ditën e karnavaleve, një lopë të dobësuar kockë e lëkurë, gjinjtë e së cilës i thithnin me radhë ministrat e asaj kohe. Bejtja e thurur me këtë rast demaskonte me humor e sarkazëm punën e ministrave. Mjafton të përmendim këto vargje:
Mirë e dini ju shkodranë,
se der m’sot kurrgja s’m’ka pshtue,
as për dhimbë ndoj send s’kam lanë
pak a shum pa kritikue
...
Shumë kuj desha me ja ngopë,
por mjerisht nuk kje e shkrueme, -
paçë mendue me ba këtë lopë
me Ministra t’koh’s s’kalueme.
Lopë mbetë në asht e lëkurë,
paraqet popullin Shqiptar
i cili ka kenë dikur
fund e majë i veshun n’ar.
E njaj ar qi ka pasë veshë
kah mendoni se ka shkue?
njikta hajna ja kanë zdeshë
e ndër banka e kanë çue.
...
S’ka njoftë ligje as rregullore
ka qenë raje çdo zyrtar
ma randësi ka pas një horre
se ma i nderti qytetar.
Në e paç pasun ndoj kushëri
ministër a deputet
ke pas të drejtë për nëpunësi
pa ditë të shkruajë emnin e vet.
Dhe 34 strofat e këtij karnavali, përfundojnë me një humor paksa tragjik nga bejtexhiu Shiroka, i cili thotë: “T’gjithëve mbarë tue iu përshëndetë? Pleq e t’ri sido qit jeni/ po tham, si sot nji vjetë/ për në m’pafshi qar e keni...”
Kola nuk doli më në publik. Dhe është e kuptueshme... Gjatë vitit 1936, ai kishte grumbulluar mëllefin e madh për ta shfryrë e për ta paraqitur me realizëm, nota humori e sarkazme në karnavalin e vitit 1937. Kola përgatiti tufëzën: “Karneval, mos e lsho vedin”. Mjerisht ato bejte mbetën në sirtarin e tij... Nga që përgjithësisht, vargjet e këtyre bejteve janë të panjohura, po ju njohim me disa nga strofat e tij:
...
T’kam pasë thanë se n’vendin tonë
Kurrnji send nuk ecë për s’mbarit,
Askerkuej s’i bahet vonë
Edhe n’pasët Kombi i Shqyptarit.
...
Pse na pvetë se “ku po vemi?”
Tue na pa n’këtë farë mjerimit,
Kah kërkojmë atë që nuk kemi:
Liri fjalet e mendimit?
Jeni plakë, keni mbarue
E këtë fjalë pa frikgë e thona,
Rinisë postet me ia lshue,
Se Shqypnija asht e jona...
Me strofat që pasojnë, autori i këtyre bejteve interesante e plot magji humori çon kushtrimin:
Çoju, pra, popull i shkretë,
T’drejtën tande me kërkue
Mos rri strukë e mos rri fjetë
Për në daç ti me shpëtue!
Ma mos t’kapna për dyer tmdhaja,
Por t’ia ndijmë fjal’t çerekçisë,
Vetëm kshtu na mban uzdaja
Me ia pa ftyrën lirisë.
Por... nga këto kritika të rënda në adresë të qeverisë, Kola pësoi shumë telashe, të cilat i kapërceu me shumë vështirësi. Ai u dënua që të mos dilte kurrë më në karnavalet përgjatë tërë jetës së tij. Kremtimi i karnavaleve vazhdoi edhe për disa vite. Pushoi së qeni në vitin 1939.
Që nga ky vit e deri më 1944, në rrugët e Shkodrës nuk u dukën surretnit e karnavaleve. Nëpër vite-karnavalesh Kola doli herë me maskë kuçedre, herë me maskë triumfi, herë mbi karron që e meremetonte vetë me kujdes e gjithë humor, ku do të recitonte bejtet. Karnavalin e Kolë Shirokës nuk e panë me sy të mirë autoritetet e kohës. Po t’i shikosh sot pjesët e mbetura dhe të arkivuara nga familja, shumë strofa janë të ngjyera me të zeza. Ajo ngjyrë e zezë e keqdashëse nuk ishte e zonja të rezistonte, sepse shumë strofa gjithë humor kapërcyen vitet dhe erdhën gjer në kohën tonë, e na flasin qartë që gazmoret e Kolë Shirokës sfiduan anakronizmin e kohës e censurën e asaj kohe...
Kolë Shiroka vdiq më 14.10. 1984 në Shkodër, në moshën 84 vjeçare. Ai na la vargje humori që s’harrohen lehtë nëpërmjet udhëtimeve të karnavalit.
Çuditërisht ky njeri që jetën e tij e lidhi me karnavalin, që, sikur s’u mjaftua me këtë sofër të begatë humoristike; si një kujtim lirik shkroi librin: “Lamtumirë, djalëri!” (Shtypshkronja “Nikaj”, Tiranë, 1932). Krahas poezive humoristike të tipit karnavalesk që autori i kishte për merak dhe për zemër, përfshihen dhe një tubëz lirika me shfrime e përmallime, me ëndrra e zhgjandrra, dëshirime e pendime djaloshare “të kohës që ikën e nuk vjen më”, me kujtime nostalgjije e deri diku edhe në shfaqjen e ndonjë reje pesimizmi të pranuar dhe të përligjur, dialogët idilike me vashën, ku elementët e përshkrimit të natyrës ‘intonohen’ në gjendjen shpirtërore të personazheve, etj., - të gjitha këto flasin se Kolë Shiroka ishte dhe një poet lirik, e brumi i poezive, figurat, kadenca, etj., gjejnë reflekse të motiveve e këngëve popullore shkodrane, të cilat mendoj, që autori Shiroka i njihte mirë.
Pa durim pres t’agojnë drita
Rrexet diellit me ja pa
Kjeçë i ri e s’mund u prita
Ty i dashtun pa t’u ba.
N’kohë ma t’bukren ti m’harrove
Thue s’jam njajë qi kjeçë dikuer
Dashtunin nuk e kujtove
Mos u ban kaq zember guer. (poezia: Mos u ban kaq zember guer, f.18)
Edhe sot, shkodranët kujtojnë vargje të shumta nga krijimtaria e autorit Kolë Shiroka. Teksa i kujtojnë, në fytyrat e tyre i ravijëzohet buzëqeshja... S’mund ta kuptojnë emrin e komikut Kolë Shiroka pa humor e buzëqeshje. Dhe kanë të drejtë... se jetojnë në kohë humori i tij brilant dhe lirizmi i shpirtit...
Shkodër, nëntor – dhjetor 2016
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com