Portret/ Bardhyl Xhama, mjeshtri
i rrëfenjës

Portret/ Bardhyl Xhama, mjeshtri<br />i rrëfenjës
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Bardhyl Xhama, i cili vjen me një përvojë të pasur jetësore, njohje të thellë në fushën e diturisë ku ka lënë gjurmë e përvoja të rëndësishme, vjen si një vëzhgues i vëmendshëm i jetës së përditshme...
 
I qetë nga natyra, me një shpirt paqësor që mbart mistere deti, me një vështrim sa të vëmendshëm aq dhe prej kureshtari, sportiv, duke sfiduar pleqërinë, si gjithnjë duke rrëfyer rrëfenjat e tij me brumë nga mençuria e urtësia popullore, rrëfenjat e tij sa pedagogjike aq dhe artistike, të cilat zënë vendin më të gjerë në opusin e krijimtarisë së autorit, i kanë gdhendur më së miri portretin, i kanë falut të veçantën si individualitet artistik në letrat shqipe. Ky është një portret i vizatuar me penelata të shpejta i shkrimtarit për fëmijë e të rinj Bardhyl Xhama, që këto ditë feston 80-vjetorin e lindjes.

Shkrimtari Bardhyl Xhama i takon brezit më të vjetër të letrave shqipe për fëmijë dhe të rinj. Kjo moshë, sot, është e paktë në tempullin e kulturës sonë bashkëkohore e të ardhmërisë. Ndaj, kemi të drejtë t’i krahasojmë me gurë të  çmueshëm; përkujdesja ndaj të cilëve është më shumë se një falënderim, më shumë se një dashuri, më shumë se një nderim. Të mos harrojmë se, ata janë identitet dhe kujtesë, mësues të heshtur dhe mëkues të fjalës shqipe, përhapës të pa lodhur të diturisë e të kulturës shqipe, gjyshër që, edhe përmes një mijë e një sakrificave, falin buzëqeshje, dashuri e ëndrra për nipërit e mbesat e tyre, respektues deri në dhembjen e madhështisë së krijimit ndaj lexuesit të vogël.

Bardhyl Xhama i përket brezit të dytë të shkrimtarëve të letërsisë për fëmijë e të rinj që po krijohej, të cilët, me krijimtarinë e tyre të spikatur, i ngritën më lart e i konsoliduan themelet që vunë paraardhësit e tyre: Qamil Guranjaku, Teufik Gjyli, Spiro Çomora, Zihni Sako, Moisi Zaloshnja, Bedri Dedja, etj., duke qenë bashkëkohës e bashkëpunëtorë të këtij brezi, si: Odhise K. Grillo, Dionis Bubani, Xhevat Beqaraj, Skënder Hasko, Adelina R. Mamaqi, Bekim Harxhi, Petraq Zoto etj. Krijimtaria e tij letrare zë fill në vitet ’50.

Bardhyl Xhama është autor i 15 librave për fëmijë (pa përmendur ribotimet, që në pjesën më të madhe janë ripunuar nga autori). Që nga libri i parë “Përrallat e detit” (përralla, 1975) e deri te ai i botuar një vit më parë që titullohet: “Shtëpia pa libra si trupi pa shpirt” (32 rrëfenja, Botimet TOENA, 2012), nga pikëpamja kohore përfshin një opus të gjerë krijimtarie, me një problematikë të larmishme e interesante, e lëvruar në gjinitë e përrallës, tregimit, novelës, romanit; të zhanreve: fantastiko-shkencore e rrëfenjës, ku në këtë të dytën, autori Xhama ka “stacionuar” vitet e fundit, duke sjellë motive e prurje të reja në marrëdhënie me përditshmërinë e kohës që po jetojmë. Rrëfenja që na sjell Bardhyl Xhama ruan origjinalitet në të rrëfyer e në strukturë, ruan vlerë edukative e didaktike, ruan mesazhe që burojnë nga mençuria e urtësia e popullit. 

Rruga e konsolidimit të profilit të tij artistik përmes krijimtarisë së tij të deritanishme, kritikës e studimeve tona letrare nuk i ka rënë dhe aq shumë në sy. Kjo nuk e ka penguar prozatorin Bardhyl Xhama të punojë pa reshtur, pa naze e bujë, me këmbëngulje e në mënyrë të heshtur. Nga ana e natyrës krijuese, Bardhyli i takon atij grupi shkrimtarësh, që i shkon për shtat sentenca: “Edhe heshtja flet për të”. 

Bardhyl Xhama u lind në vitin 1933, në fshatin Fterrë të rrethit të Sarandës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme pedagogjike në qytetin e Gjirokastrës. Qysh në bankat e shkollës së mesme nisi të botojë krijimet e para, veçanërisht në gjininë e poezisë, në gazetat e kohës. Që nga vitet ’50 e gjer më sot vazhdon të jetë bashkëpunëtor i pothuajse i të gjitha gazetave e revistave për fëmijë që dalin në vendin tonë, por edhe në Kosovë e Maqedoni.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, punoi për disa vjet mësues në qytetin e Sarandës e njëkohësisht vazhdoi edhe studimet e larta. Në vitin 1960 u diplomua për gjuhë shqipe e letërsi në fakultetin Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës. Në vitet ’60 nisi punën në gazetën “Mësuesi”, ku punoi për një kohë të gjatë e me përkushtim dhe botoi artikuj, reportazhe, udhëpërshkrime e përshkrime të ndryshme, për ecurinë dhe problemet e shkollës, gjuhës, letërsisë e arsimit në përgjithësi. Këtë punë e çoi dhe më tej, kur punoi në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor e veçanërisht në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Gjatë këtyre viteve, Bardhyli botoi disa studime e broshura, në të cilat pasqyroheshin  përvojat, dhe arritjet e shkollave të ndryshme të vendit tonë. Për veprimtarinë e tij në fushën e arsimit, Bardhyl Xhamës i është akorduar titulli “Mësues i merituar”.
Botimet e deritanishme letrare të autorit, ku një pjesë janë nderuar me çmime, janë këto:

“Përrallat e detit”, përralla, 1975; “Zhytësit e vegjël të thellësive”, novelë, 1977; “Ekspedita e kaltër”, roman fantastiko-shkencor, 1980; “Zjarrëfiksi i pyllit”, përralla, 1987; “Tërfili me katër fletë”, novelë e përralla, 1989; ribotim, 1999; “Pse qau delfini?”, 50 rrëfenja, 1996; “Në kthetrat e piratit”, roman, 1997; “Lejleku me akullore”, 20 përralla, 1998; “Djaloshi që kapte rrufetë”, 60 rrëfenja, 2000; “Djali me tre brirë, përralla, 2002; “Tre vëllezërit”, novelë, 2003; “Arratisje nga kafazi”, përralla e rrëfenja, 2007; “Pëllumbi me fjongo të kuqe”, 60 rrëfenja për fëmijë e prindër, 2007, Shtëpia pa libra si trupi pa shpirt, 32 rrëfenja, 2012.

Duke iu rikthyer biografisë artistike të shkrimtarit Bardhyl Xhama, mendojmë që kontributet dhe arritjet e tij letrare shpërfaqen veçanërisht në dy rrafshe: në zhanrin fantastiko-shkencor e në zhanrin e rrëfenjës.

Në vitet ’80, shkrimtari Bardhyl Xhama boton romanin “Ekspedita e kaltër”, një krijim fantastiko-shkencor. Nuk ishte rastësi dhe as e papritur. “Shenjat” e para autori i kish dhënë me novelën “Zhytësit e vegjël të thellësive”. Vepra “Ekspedita e kaltër” (lëvron për herë të parë gjininë e romanit) plotëson më tej portretin shkrimtarit. Duke qenë një zhanër të ri, solli kërshëri e interes tek lexuesit e vegjël. Vepra përmendet jo vetëm si arritje e autorit, por edhe si arritje e vetë zhanrit në letërsinë shqipe për fëmijë. Duke mos harruar se, është koha, kur ky zhanër ka një rrugë e përvojë modeste, endet përmes një kohe të politizuar e disa veprave tejet të politizuara. Me këtë vepër dhe me guximin e tij krijues, shkrimtari Bardhyl Xhama çel një udhë të re shikimi në zbulimin e mistereve të detit, sjellë informacion të ri e të panjohur shkencor (të botës nënujore); njëkohësisht plotëson dhe zgjeron më tej larminë e individualiteteve krijuese që merren me këtë zhanër, por duke ruajtur veçanësitë e profilit të tij.

Teksa “shikoja” me ëndje këto piktura mbresëlënëse të skenave të romanit, m’u kujtua një shkrim nga shkrimtari Andrea Morua. Ai në mes të tjerave thoshte: “Tani që po shkruaj këto radhë, jam 78 vjeç dhe shpresat për një të ardhme të largët s’janë për mua. Por ja që kemi një dëshirë të pashuar të mendojmë për të ardhmen dhe ta përgatisim këtë të ardhme.” Dhe këtu duhet t’i kërkojmë arsyet, pse autori Bardhyl Xhama, i vendosi dhe i trajtoi në një të ardhme, ngjarjet e romanit të tij “Ekspedita e kaltër”. Dhe për një çast, le të takohemi me ngjarjet që flasin në ardhmërinë e romanit.

Kështu, Saranda, ku nisin ngjarjet e kësaj vepre, tashmë është bërë me të vërtetë një qytet me pallate shumëkatëshe e vila në gjithë kodrat, me Universitet, me hotele turistike, me portin e veçante të jahteve etj. Bregdeti i Jonit dhe Adriatikut, që nga Butrinti deri në Durrës, është mbushur me hotele turistike e vila moderne, në Ksamil, Kakome, Bunec, Qeparo, Jal, Himarë, Dhërmi, Orikum, Pojan e me tej, janë ndërtuar e po ndërtohen qyteza e fshatra turistikë, ka gjetur rrugëzgjidhje “autostrada” në gjithë vijën bregdetare, deri në kufirin grek. Qendra turistike në Llogora dhe Orikumi, janë bërë të lakmueshme për vizitorët vendas e të huaj. Butrinti, që përshkruhet si një qendër muzeale botërore, ku organizohet dhe një simpozium shkencor i përvitshëm, sot i ka tejkaluar parashikimet e autorit. Dhe kështu mund të përmendnim dhe sa e sa parashikime fantastike e shkencore që përshkruhen në roman e që sot kanë gjetur zbatim. Kjo ia shton vlerën romanit dhe kam bindje se do t’u nxitë fëmijëve e të rinjve të sotëm  fantazinë dhe dëshirën për të kërkuar e eksperimentuar, për të zbuluar e ndërtuar vepra të reja për të ardhmen e vendit.

Shkrimtari Bardhyl Xhama sikur i “harron” gjinitë letrare që ka lëvruar me sukses në vite. Procesi i tij krijues hyn një udhë të re. Merret (më saktë preferon) një zhanër të ri, siç është rrëfenja, pak e shenjëzuar në rrjedhat e shkrimit artistik për fëmijë. Megjithatë, si shenjë nderimi kujtojmë Migjenin e Madh e Kutelin e Madh kontribuues si rrallë shkrimtarë në këtë zhanër. Shkrimtari Bardhyl Xhama boton brenda një dekade katër vepra me të njëjtin koncept dhe gjuhë artistike. Ato janë: “Pse qau delfini?” (50 rrëfenja, Tiranë, 1966, 2000, 2003, Toena); “Djaloshi që kapte rrufetë” (60 rrëfenja, Tiranë, 2000, Toena); “Arratisje nga kafazi” (përralla e rrëfenja, Tiranë, 2007, Erik), “Pëllumbi me fjongo të kuqe” (60 rrëfenja për fëmijë e prindër, Tiranë, 2007, Toena); “Shtëpia pa libra si trupi pa shpirt” (32 rrëfenja, Tiranë, 2012, Toena). Po të vihen re, titujt e librave, në marrëdhënie të parë formale me lexuesin e vogël, kanë një konotacion të tillë, që është sa thirrës aq intrigues, me ngjyresa përrallore dhe me fshehtësi çudibërëse. E, duke i mbetur kësaj hullie, gjithashtu në vështrimin e parë këto libra ngjajnë si katërtiptik. Ngjajnë apo nuk ngjajnë, mund të jetë e diskutueshme, por, ama, jemi të një mendjeje me shkrimtarin Skënder Hasko, kur thotë: “Çdo libër është si vazhdim i të mëparshmit.” Dhe kjo është e vërtetë. Le ta quajmë një libër shumëfaqesh, ku urtësia dhe mençuria popullore, ku mesazhet e virtytshme “shëtisin” nga jeta në libër e nga libri në jetë.

Domosdo, nga ana e autorit, rrëfimi ka një përzgjedhje, gjithashtu ka një modelim strukturor për ta bërë mikrongjarjen “të ndihet rehat”. Ajo mbartë një kod etik, shpërfaq një vlerë që ka peshën e urtësisë popullore, vlerë që zbërthehet detaj pas detaji përmes një “bashkëbisedimi” të ngrohtë me lexuesin e vogël.

Pavarësisht konfiguracionit të rrëfenjës, që sipas studiuesit e shkrimtarit Astrit Bishqemi: “janë krijime artistike midis tregimit e përrallës” i paprekur mbetet “tharmi” i fjalës së urtë, të cilën autori me mjeshtri e ruan si një margaritar, dhe pa u ndjerë e pa kuptuar ia “vendos” në “xhepin” e zemrës a të shpirtit si një mik të mirë lexuesit të vogël, për të kuvenduar gjithherë me të. Tregues që nënvizojnë origjinalitetin e rrëfenjës së krijuar nga shkrimtari Bardhyl Xhama. 

Ndodhitë e shtjelluara thjeshtë e qartë, gjatë gjithë veprimit me vlera urtësie e përvojë jete. Ajo shkrihet organikisht në strukturën e çdo rrëfenje. Si mik i rrëfenjës nuk është vetëm lexuesi i vogël por edhe prindi i tij. Dhe s’ka si të ndodhte ndryshe se, kolana “Rrëfenja për fëmijët tanë” përfshin: 1.Shtëpia pa libra, si trupi pa shpirt – 32 rrëfenja: Për librin, shkollën e diturinë. 2.Dora me baltë, buka me mjaltë – 42 rrëfenja: Për punën dhe ndershmërinë në punë. 3.Guri i rëndë, në vend të vet – 38 rrëfenja: Për emigracionin. 4.Pse u ndërpre xhirimi i filmit – 24 rrëfenja: Për atdhetarizmin e trimërinë. 5.Hakmarrja e shpendëve – rrëfenja: Për ruajtjen e mjedisit. 6.Fjala si bleta – rrëfenja. 7.Gardhi kalbet, armiqësia mbetet – rrëfenja. 8.Një krimb than një lis – rrëfenja.

Bardhyl Xhama vjen me një përvojë të pasur jetësore, njohje të thellë në fushës e diturisë ku ka lënë gjurmë e përvoja të rëndësishme, vjen si një vëzhgues i vëmendshëm i jetës së përditshme. Të  gjitha këto, e shumë udhë e shtigje të tjera që i lashë pa thënë, këto rrëfenja mbartin aromë JETE, maksimalisht gjithçka që shkrimtari Bardhyl Xhama ka parë në jetë. E, këto rrëfenja që mbartin “copëza jete” ruajnë gjithherë autentiken e vëzhgimeve e shpesh didaktike të autorit, si dhe vërtetësinë e një moduli universal përrallor: ku e mira triumfon mbi të keqen. Dhe me këtë mesazh të rëndësishëm, përmes rrëfenjave që ende s’i ka shkruar, na vjen në këtë 80-vjetor të lindjes shkrimtari Bardhyl Xhama, të cilit i urojmë gjithë të mirat e kësaj toke!
      
(Shkrimi u botua sot në gazetën "Shqiptarja.com" (print), e diel, 30 qershor 2013)
(ar.sh/shqiptarja.com)
 

 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti (VIDEO)

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti (VIDEO)