Portret, Tano Banushi duhet të rilindë

Portret, Tano Banushi duhet të rilindë
TIRANE- Kur përmendim Eskilin, menjëherë kujtojmë ditët kur lindi teatri. Ky art lindi si formë e funksionimit demokratik të shoqërisë athiniote. Tragjikja dhe komikja zbritën në ribaldat e mermerta të amfiteatrove të Greqisë së lashtë, si dy ushtri të korracuara deri në pathyeshmëri. Këto fuqi platonike për kohën, ndoshta u bën e para pozitë e opozitë e alternueshme e jetës së qytetit shtet Athinë. Teatri tragjik, si formë me peshë e heroizmit, e qëndresës, ekzistencës dhe vdekjes, alternohej ne podin tjetër me teatrin komik si një mënyrë efikase për të lehtësuar dhimbjen dhe emocionet që merrte spektatori i kohës prej teatrit tragjik.

Tragjikja u mësonte bashkëkohësve arsyet madhore për të cilat duhej të sakrifikohesh, pra të vdesësh. Tek komikja do të lexoheshin lehtësisht një sërë arsyesh të natyrshme për të cilën duhet jetuar. Kjo ndjesi e pakrahasueshme që komedia serviret, ishte edhe pikë sinjali i madh i suksesit të Komikes. Me komiken dhe komikët u inamoruan masat e gjera të të gjitha shtresave, që nga antikiteti e për të ardhur në vitet ‘70 – ‘80 të shekullit të 19-të, ku yjet e rinj të qytetit të Shkodrës të organizuara në çeta teatrore apo individë, u lidhën ngushtë me komiken si nevojë e të jetuarit, e të jetuarit me çdo kusht.

Djepi i Shkodrës gazmore u bënë banakët e rrobaqepësve, këpucarëve, marangozëve  e zejeve të tjera. Kjo mori gaztoresh shërbeu për t’i përcaktuar fizionominë e kohërave të reja të këtij qyteti e për të krijuar një traditë gazmore, e cila nuk u shua më kurrë. Përkundrazi zuri vend në vet natyrën me prirje humoristike të shkodranit. Jo më kot, në ato vite thuhej “ku mblidhen tre labë nis një koncert, ku takohen tre shkodrane fillon një estradë“.
 
Tradita, yjet e humorit në Shkodër
 
Mjafton të kujtojmë rrugën që përshkoi mes të tjerëve vargu i gjatë i njohur i Osos së Falltores, Kol Tivari, Zef Hilgeges, Ndoc Temali, Adem Kastrati, Filip Daise, Zenel Brojes, Kasem Taipit e Kole Shirokës. E më vonë ky brez do t’ia dorëzonte duarve të sigurta të një detashmenti të talentuarish si: Tano Banushi, Zyliha Miloti, Bik Pepa, Gjosho Vasija e Zef Deda, Besnik Çinari, Jolanda Shala, Paulin Preka, Gëzim Kruja, Katrina Biga, Drane Xhaj. Jetës së vrullshme artistike të teatrit të estradës ju ofruan shkrimtarë të talentuar të humorit si Paulin Selimi, Fadil Kraja, Kolec Pepa, Besnik Çinari. Repertorit të mrekullueshëm të estradës i shtoheshin nga premiera në premierë paroditë e kupletet e suksesshme të shkruara nga Tanoja.
 
Tano Banushi, ky fenomen i teatrit “Migjeni”
Tano Banushi, Artist i Popullit, ky fenomen i teatrit “Migjeni, i institucionit kult të humorit shkodran e shqiptar; aktor i një mori figurash të papërsëritshme, binomi Banushi–Miloti brenda një kohe të shkurtër u kthye në një mit. Janë të paharrueshme situatat e krijuara ndër skeçe. Mjafton të kujtojmë skeçet, “Beqoja në spital”, “Fotografi”  “Martese me interes“ dhe dhjetëra figura te tjera. Është me vend të kujtohet profesionalizmi i lartë tek “Leoja”, “Këshilli i ndrikullave“, ku ai bashkë me T. Kurtin, V.Ninon, A.Fishtën jepnin një leksion për të gjithë teatrin komik kombëtar.

Tanoja ishte një rivelacion që nga debutimi i tij i parë e deri tek premiera e tij e fundit. Ai mbarte mbi supe një peshë gjigantësh në skenën e humorit. Rreth 150 premiera, që i takon afro 300 personazheve të ndryshëm të interpretuar. Ai ka vlerën e veçantë të një kronikani serioz. Çdo ngjarje, çdo kritikë, çdo vlerësim, çdo korrigjim që kishte të bënte me skenën e teatrit të estradës, ai me kujdesin më të madh i fiksoi në letër duke na dhuruar një arkivë të pasur e të pashoqe. Më 7 Gusht 1993, aktori i madh, komiku i fundit klasik i traditës së vjetër shkodrane, u nda nga jeta. Ai do t’i thonte lamtumirën pa zë shtëpisë së madhe “Migjeni“. Një urdhër i “marrë” nuk lejoi homazhet në hollin qendror të teatrit Migjeni. Humorist i pashoq, i thjeshti në madhështi, mbi supet e miqve e të shokëve ikte pa humor në banesën e tij të fundit. Sipari ishte mbyllur për këtë kolos të humorit. Por askush s’do t’i besonte ngjarjeve në vijim.
 
Metamorfoza e estradës në Shkodër
 
Me Tanon metamorfozat lulëzuan si askund e si asnjëherë. Kabina e tij ku mjeshtri i madh skaliste figurat e shfaqjeve të ardhshme, u kthye në një ambient të panevojshëm e të padenjë për atë çka ishte më parë. Studioja e estradës që ishte burimi dhe lavdia e artit skenik e asaj që Shkodra mburret ndër  vite, sot është  në një gjendje të mjerueshme. Epidemia e moskujdesit dhe e harresës ka vite që bën punën e saj.

Kanë kaluar pothuajse 20 vjet dhe figurat e jashtëzakonshme të asaj plejade impresionuese, pothuajse në teatër janë inekzistent. S’i takon më askund, as në arkivë, as në ndonjë fotografi të vendosur si dikur në korridoret e pafund të teatrit Migjeni. Ndaj dua të përfundoj me një invokacion për krye institucionin kulturor, të ndihmojë që të kthejnë shkëlqimin e dikurshëm kësaj figure gjeniale. Ishte ai dhe ajo gjeneratë për të cilët ne mburremi sot.

Është në nderin dhe qytatarinë e gjithkujt, t’i kujtojë e t’i nderojë ata! T’i lëmë mënjanë intermedet mes kujtdo dhe artistit. Sepse të tillë artistë në historitë moderne të qyteteve, vijnë vetëm një herë në 70 vjet. Është koha që në nderim të figurës së Tano Banushit, teatri ta rikthejë furishëm emrin e tij dinjitoz. Është koha që Tano Banushi, Artist i Popullit të rilindë. E të fillojmë të besojmë se pa emrat Z.Jubani, T.Banushi, T.Kurti, P.Soja, V.Nino, A.Fishta, Z.Miloti, , B.Çinari, L.Bushati, Z.Deda, P.Shllaku,Y.Bala, R.Marku teatri “Migjeni do të ishte i pakuptimte dhe jetim. Ashtu siç do të ishte i pakuptimtë dhe jetim Luvri pa muzeun e famshëm të kryeveprave botërore.
 
*Aktor/ Regjisor

 Shkrimi u publikua sot (19.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Veton Surroi: Akomodimi mendor me presidenten Harris

Veton Surroi: Akomodimi mendor me presidenten Harris