Portreti misterioz i Moisiut, zbulohet
autori i tablosë 30 mijë euro

Portreti misterioz i Moisiut, zbulohet<br />autori i tablosë 30 mijë euro
Çdo ditë të martë Televizioni austriak ORF III në rubrikën Art dhe Kulturë,  transmeton një emision shumë interesant, i cili në thelbin dhe përmbajtjen e tij bën të njohur dhe vlerëson, thesaret e artit, të shkencës, të letërsisë, thesare nga arkivat; copëza vlerash të koleksioneve private nga populli i thjeshtë, nga familjet e mëdha elitare e me tradita të shoqërisë austriake, nga dyqanet antiquare, nga koleksionistët, nga komunitetet fetare, e nder të tjerët edhe nga koleksionet e veshjeve apo të objekteve të artit pamor që Theatrot e Vjenës kanë në pronësi.

Me rastin e përvjetorit 125-të të krijimit të Teatrit Popullor të Vjenës, ky emision u realizue në ambientet e këtij teatri. Trupen televizive dhe drejtuesit e emisionit, i shoqëroj nëpër ambientet e Teatrit, drejtori Michael Schottenberg, i cili ka 10 vjet që  është drejtuesi i këtij insitucioni.

Kujtdo që viziton sallonet e shumta dhe të mrekullueshme të “Volkstheatrit”,  i bien në sy shumë vepra arti të cilat janë më shumë portrete aktorësh me famë, që luajtën në skenën e dytë për nga madhësia të Austrisë, në skenën e Teatrit Popullor. Portrete të aktorëve të njohur që u lindën dhe u rritën në skenën e këtij teatrit, ndër të cilët është edhe piktura e gjeniut të skenës teatrore botnore, mjeshtrit me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiut.

Ishte idea e drejtorit Schottenberg, pas ardhjes në drejtim të këtij istitucionit, të  krijojë në “sallonin e bardhë” një galeri, me të gjithë portretet e drejtorëve të teatrit (përvec portretit të tij), të cilët ishin drejtues që nga vjeti 1945, portrete të realizuar nga piktor shumë të njohur europianë të cilët janë një vlerë e shtuar e artit pamor.

Këtë vit, për të festuar në mëndyrë të vecantë jubileun e 125-­të të Volkstheatrit (Teatrit Popullore), ishte nxjerr nga koleksionet e mrekullueshme e shumë të vjetra që ky institucion zotëron, një pikturë e punuar në vaj mbi kanavacë me përmasa 106 x 83cm, nga një ndër piktoret më në zë të gjithë vendeve gjermanisht folëse, piktura e aktorit botëror Aleksandër Moisi, Jedermannit të parë në historinë e teatrit austriak e që i solli aktorit famën botërore.

Për administraten e teatrit, kjo pikturë kishte autorsi dhe vlerë të panjohur dhe për këtë qëllim ditën e martë me 21 tetor 2014, emisioni televiziv pat qëllim të zbulonte se kush ishte autori dhe të bëhej vlerësimi monetar, ti vendosej një cmim që do të sherbente për koleksionistët që mund të ishin të interesuar ta blenin, por edhe për qëllim të sigurimit të kësaj pikture nga firmat që sigurojnë veprat e rëndësishme të artit.

Piktura e Moisiut mban në pjesen e poshtme të saj emrin e Johanna Terwin (Moisi), e cila ishte grueja e aktorit të madh dhe që pas vdekjes së tij së bashku me pikturën, i kishte dhuruar Teatrit Popullor të Vjenës edhe arkiven personale të bashkëshortit të saj Aleksandër Moisiu.

Ai isht një Mbret për Teatrin Popullor të Vjenës
Drejtori i teatrit Schottenberg, në fillim të programit, e paraqet rastin “Portreti i aktorit Moisi” me keto fjalë:

“Tash 125 vjet Teatri Popullor i Vjenës ofron emra të mëdhej të kulturës e të skenës. 

Në vjetin 1920 solli mbi skenë edhe emrin e aktorit Aleksandër Moisi, Jedermannit të parë në historikun e teatrit, i cili e bëri atë të famshëm, në Vjenë dhe në mbarë botën. I dashtuni i grave e aventurieri Moisi, mëshironte në rolet e tij shpesh figura me karaktere të forta si Dantoni, apo si Hamleti e Othello. Ai bënte një jetë të shthurun dhe të lodhëshme, por ishte aktori ma i paguar për kohën e tij.

Ka disa dekada që Teatri ynë, ka në pronësi një portret të legjendarit, yllit të skenës Moisi, por pa ditur dicka më të saktë mbi këtë pikturë – vazhdon drejtori, tashti kërkoj që me ndihmen e ekspertëve të artit, të nxjerr  nga errësira në dritë këto të panjohuna.”

Ekspertet austriak të artit, pas disa kërkimeve që bënë për të njohur sekretet e kësaj pikture,  arritën të lokalizonin mbishkrimin e autorit të pikturës, sipër në cepin e majtë të saj. Ato erdhen në përfundimin se: Autori i portretit të aktorit Aleksandër Moisi është piktori gjerman Leo von König, një nga artistët më në zë të grupit “Secession të Berlinit”. Piktura është punuar në vitin 1933, gjë që na lë të kuptojmë që kemi të bëjmë me një zbulim shumë të cmuar. Sipas ekspertit, sot në raport me kohën, portreti ka vlerën e 30000 €.

Një pikturë e ngashme, portret i Moisiut ishte shitun në vitin 1991 në Mynih të Gjermanisë për shumën 11000 DM.
Kush ishte Leo von König dhe Berliner Secesion?

Leo von König ishte një piktor gjerman, përfqësues i grupit të Berliner Secession. Ai  u lind me 28 shkurt 1871 në Braunschwieg të Gjermanisë dhe vdiq në prill të 1944 Tutzing. Ishte i biri i një gjenaerali kavalerie dhe një dame aristokrate gjermane. Bëri studimet në akademinë mbretërore të arteve në Berlin dhe mbas saj akademinë Julian në Paris. Jetoi dhe punoi si mësimdhënës pikture në Berlin (Berliner Kunstgewerbeschule). Së bashku me Libermann, Corinth dhe Slevogt, ishte nder përfaqësuesi kryesor të “Grupit të ndarë të Berlinit” dhe i përkiste rrymës së Impresionismit .

Ai ka punuar shumë me portrete të personaliteteve të njohura të kohës, të cilët i kishte miq dhe kolege, por edhe në peisazh. Berliner Secession, quhej grupi i artistëve gjerman, piktor dhe skulptor të cilët në maj të 1898-tës u ndanë nga Shoqëria e madhe e artistëve berlinez të artit dhe formuen SECESSION që në latinisht do të thotë – Ndarje -.
 
Aleksander Moisi dhe rolet e tij në Teatrin Popullor të Vjenës
Sipas Schottenberg¸ Aleksander Moisiu ishte një yllbotëror ( Weltstar ). Ai pritej nga njerzit në të gjithë botën, si një Popstar.  Po ashtu në kohën e suksesit të tij, Moisiu  ishte artisti më i reklamuar në botë. Fotot me fytyrën e tij mund të shiheshin të varura në kryeqytetet më të mëdha të botës.

Aktiviteti i tij në Teatrin Popullor të Vjenës fillon me rolin e Danton-it nga Bücher në pjesën – Vdekja e Dantonit në vitin 1921, për të vazhduar me :

Rolin e Othellos, në “Othello”, të Shekspirit (1921)
Rolin e Edipit, në “Mbreti Edip”, të Sofokliut (1922)
Rolin e Fedjes, në “Kufoma e Gjallë”, e Tolstoit (1922)
Rolin e Montesumës, në dramën “Shpëtimtari i bardhë”, i Gerhart Hauptmann (1923)
Rolin e Kontit të Charolais, nga Beer-Hofmann,në dramën “Konti i Charolais” (1925)
Rolin e Henrikut të IV, në dramën “Maska e Gjallë”, nga Pirandello (1926)
Rolin e Gaztorit Feste, në “Cfarë të dëshironi ju”, të Shekspirit (1926)
Rolin e Hamletit, nga “Hamlet”, i Shekspirit (1926)
Rolin e Markezit von Posa, në “Don Carlos”, të Schillerit (1929)
Rolin e Villibald, në “Djemtë e këqij në shkollë”, të Nestroy (1929)
Rolin e Jedermann, në “Jedermann”, nga Hofmannsthal (1929)
Rolin e Kaplanit Ferdinand Holl, në “Luajnë ndjenjat e Verës”, të Schnitzler (1930)

Vjenë, me 9.12.2014


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Çështja e emrit/ Mitsotakis kërcënon Shkupin, Greqia mund të bllokojë procesin integrues të Maqedonisë së Veriut

Çështja e emrit/ Mitsotakis kërcënon Shkupin, Greqia mund të bllokojë procesin integrues të Maqedonisë së Veriut