Pse protestuesit veçuan udhëheqësin komunist dhe një rrëfim nga deputeti demokrat në sallën e Kuvendit të Shqipërisë një vit më vonë

Thirrjet kundër diktaturës gjatë ndeshjes Besa-Partizani të dielën e 25 marsit 1990 do të pasoheshin me arrestime në stadium dhe më pas nëpër shtëpitë e Kavajës. Të nesërmen, më 26 mars, në Kavajë u zhvillua demonstrata e parë antikomuniste në sheshet dhe rrugët e një qyteti. Protestat në Kavajë kishin nisur me shpërndarje traktesh dhe parrulla antikomuniste në hapësira publike, duke u kthyer shpejt në një lëvizje të hapur kundër regjimit komunist.

Protesta do të kulmonte më 25–26 mars 1990, me thirrjet që shpërthyen “Liri-Demokraci”, duke sulmuar simbolet e regjimit, duke grisur e djegur materiale propagandistike si veprat e diktatorit Enver Hoxha. Protesta vijoi të nesërmen me marshim drejt policisë, ku turma kërkoi lirimin e të arrestuarve, hodhi gurë, theu xhama.

Reagimi i regjimit ishte i ashpër dhe represiv: u kryen arrestime masive, dhunë fizike dhe tortura për të identifikuar organizatorët, ndërsa situata u militarizua me dislokimin e forcave speciale, tankeve dhe shpalljen e shtetrrethimit. U dha urdhër për gatishmëri të plotë ushtarake dhe madje për përdorim armësh, megjithëse disa drejtues ushtarakë refuzuan të qëllonin mbi popullin. Në protestat që do të vijonin në qytet do të vritej i riu 22-vjeçar Josif Buda.

Një vit më vonë, kur regjimi kishte rënë, në Kuvendin e Shqipërisë, i dalë prej zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit, deputeti demokrat Naim Karriqi do të sillte detaje të ngjarjes dhe kërkesën e tij për të hetuar autorët e krimeve në Kavajë. Ai sjell detaje të protestës ku bien në sy renditja e disa parullave, siç ai i mbante mend. Nëse turma klithte “Poshtë Nexhmije Hoxha”, në anën tjetër brohoriste “Rroftë Ramiz Alia”, ku me sa duket shihnin shpresë se udhëheqësi komunist, pasuesi i diktatorit, kishte dhënë shenja të liberalizmit.

Tema sjell fjalimin e deputetit Naim Karriqi, i cili tregon edhe për mbledhjet e njëpasnjëshme që u zhvilluan nga organet e regjimit komunist, lëvizjet që u kryen prej tyre dhe krimet e pazbardhura të tyre. Këto krime nuk kanë ende autorë edhe sot pas 36 vitesh.

Fjalim në parlament i deputetit Naim Karriqi, në maj 1991

Naim Karriqi - I nderuar zoti Kryetar,

Të nderuar deputetë,

Për sa u përket ngjarjeve të Shkodrës dhe për materialet që u dhanë këtu ruaj shumë rezerva, si për materialin e Komisionit parlamentar, ashtu dhe për atë të Ministrit të Punëve të Brendshme.

Do ta kaloj pak ngjarjen në planin e disa ngjarjeve që kanë ndodhur, për të përcaktuar një të vërtetë që ndodh vazhdimisht te ne: Së pari, janë ngjarjet e 26 marsit 1990 në Kavajë, ku pati demonstrim para Degës së Punëve të Brendshme të rreth 2000 vetave që kërkonin lirimin e njerëzve të arrestuar pa asnjë bazë, duke hedhur parullat: “Rroftë Ramiz Alia”, “Poshtë dinastia”, “Poshtë Nexhmije Hoxha”. Në datën 26 mars në Komitetin e Partisë së Punës të Kavajës u bë një mbledhje e jashtëzakonshme, deri në orët e vona (pas orës 24).

Në datën 27 mars 1990 filluan arrestimet, represaljet. Sekretari i parë i rrethit të Durrësit, Muho Asllani, ndodhej në krye të punëve. Benzi i tij qëndronte deri në orët e vona në Degën e Punëve të Brendshme. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, për çdo problem deklaron me gojën e tij se për arrestimet ose lirimin e njerëzve do të pyetet Komiteti i Partisë dhe sekretari i parë, Muho Asllani. Biseda me të zhvillohet në Komitetin e Partisë së Punës të Kavajës dhe pastaj bëhet prerja e fletarresteve për dhjetëra demonstrues.

Në datën 10 korrik rreth orës 18.30 në Komitetin e Partisë të Kavajës, sekretari i parë Agron Tafa ka thirrur shefin e seksionit të Degës së Punëve të Brendshme dhe kuadro të ushtrisë.

Pas 5-10 minutash mbledhje dalin me dhjetëra policë e sambistë dhe, të hapur në formacion zinxhirë, sulmojnë në parkun e madh të qytetit, ku gjendja deri në atë moment ishte krejt e qetë, njerëz të shkujdesur, grupe-grupe, duke luajtur e biseduar. Filluan represaljet, kapen të rinj nga mosha 14 deri 30 vjeç dhe dërgohen forcërisht në polici. Populli, i trembur, s’kupton asgjë. Afër është bar-lulishtja “Rinia” e qytetit. Qytetarë kavajas, duke pirë të qetë, merren forcërisht nga forcat e ruajtjes së rendit. (Reagim nga salla).

Unë e kuptoj që nuk do të dalë e vërteta, sepse janë komitetet e Partisë ata që i kanë realizuar të gjitha veprimet.

Me indinjatë po ju them se, pasi u bënë të gjitha ato represalje me makina, sambistë e policë, me dhjetëra qytetarë futen forcërisht nëpër makina dhe dërgohen në një drejtim të pacaktuar. Në orën 21 vritet i riu 22-vjeçar Josif Buda. Edhe për këtë moment menjëherë sekretari i parë, Muho Asllani, gjendet në qytetin e Kavajës, analizon gjendjen dhe thuhet se i vrari është goditur nga pallatet me një mjet të fortë. Faktikisht më vonë del se nuk është vrarë me një mjet të fortë, por me armë. Dhe përfundohet me një polic të arrestuar e të dënuar, në një kohë që edhe ai vetë nuk pranon asnjëherë se është vrasësi./TemA