Dokumentacioni dorëzohet direkt në destinacionin e aplikantit në të gjithë Shqipërinë
Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi dhe Drejtuesi i ZRPP, Ilirjan Muho
TIRANË, 14 Korrik/ATSH-Gjergji Mima/ - Posta Shqiptare nënshkroi sot një marrëveshje të re me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Marrëveshja u nënshkrua në zyrat e ZRPP nga Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi dhe nga Drejtuesi i ZRPP, Ilirjan Muho.
Falë kësaj marrëveshjeje, nga sot, të gjithë qytetarët që aplikojnë për dokumentacione të ndryshme pranë ZRPP, pasi të kryejnë pagesën pranë zyrave postare, do të kenë mundësi që të marrin dokumenacionin e tyre në adresën që disponojnë, pasi do të jetë po Posta Shqiptare që do t'ua dorëzojë në destinacion.
Ky shërbim ofrohet tashmë që prej vitit 2007, ndërkohë që risia e kësaj marrëveshjeje të re është se, qytetarët do të mund të shmangin radhët nëpër sportele për të tërhequr dokumentacionin e tyre, ndërsa ky i fundit nga sot u vjen në shtëpi nëpërmjet Postës.
Gjithashtu, një tjetër risi e kësaj marrëveshjeje do të jetë edhe ofrimi i ketij shërbimi në 35 Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pasi aktualisht ky shërbim ofrohej vetëm në 7 Zyra Vendore.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje do t'i vijë në ndihmë qytetarëve duke eleminuar në maksimum pritjet dhe radhët e gjata pranë sporteleve, duke u kursyer atyre kohën dhe kostot financiare të transportit, si dhe do të përmirësojë cilësine e shërbimit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ndaj qytetarëve. /a.ke/












