Prag kolapsi, qeveria kërkon
100 mln USD për energji

Prag kolapsi, qeveria kërkon <br />100 mln USD për energji
TIRANE - Qeveria shqiptare ka kërkuar urgjentisht nga Banka Botërore një kredi për të shpëtuar vendin nga kolapsi energjetik, por duke e zhytur më tej atë në borxhe. Jane Armitage, drejtore e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, tha dje se "BB po diskuton me qeverinë për të akorduar një kredi emergjente me vlerë 100 milionë dollarë për importin e energjisë".

"Jemi të zhgënjyer nga rezultatet e privatizimit të operatorit të shpërndarjes", tha ajo, duke shtuar se CEZ nuk ka arritur të ulë humbjet dhe të rrisë faturimet. Ndërkohë, gjithnjë sipas saj, institucionet publike kanë shtuar problemet në këtë fushë, duke mos paguar faturat e energjisë dhe duke mos lejuar rritje të tarifave. "Në këtë moment, nuk jemi të gatshëm për të lejuar ekzekutimin e garancisë 60 milionë eurosh për CEZ-in. Ky vendim kalon përmes vlerësimeve të thella të natyrës juridike", tha ajo, duke nënvizuar faktin që kanë nisur bisedimet me qeverinë shqiptare për të siguruar energji elektrike për vendin.

Gjatë një takimi në ambientet e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë me përfaqësues të medias, me rastin e përfundimit të mandatit të saj, Armitage u shpreh se rritja ekonomike në Shqipëri është e pamjaftueshme për të rritur mirëqënien sociale dhe për të ulur varfërinë. Ka pak të ngjarë, tha ajo, "që rritja ekonomike e Shqipërisë këtë vit të jetë më shumë se 1%, ndikuar kjo nga kriza ekonomike botërore, ndërkohë që jemi optimistë të presim situatë ekonomike më të përmirësuar për vitin e ardhshëm".

Sipas saj, në vitin e ardhshëm pritet një përmirësim më i lehtë, por megjithatë situata ekonomike do të ngelet e pasigurt. “Niveli prej 60 përqindësh i borxhit publik përfaqëson rrezik të konsiderueshëm; nuk ka më hapësirë për të nxitur ekonomikë duke rritur borxhin. Situata është më shqetësuese sesa tregojnë shifrat, për shkak të detyrimeve të prapambetura të sektorit publik. Besojmë se pagesat e prapambetura mund të jenë mes 1 dhe 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, u shpreh Armitage.

Armitage theksoi se procesi i privatizimit në energji nuk arriti të ulte humbjet në rrjet, që ishte objektivi kryesor i këtij privatizimi. Kjo ka ardhur si rezultat edhe i mungesës së dialogut mes kompanisë CEZ dhe qeverisë për gjetjen e një zgjidhjeje, u shpreh Armitage, por edhe për shkak të mungesës së përgjegjësisë së qytetarëve dhe institucioneve të ndryshme, që nuk kanë paguar detyrimet, duke sjellë humbje të konsiderueshme. Sipas drejtoreshës së Bankës Botërore për Europën Juglindore, kjo bankë ka ofruar vazhdimisht mbështetje për këtë sektor, i cili, sipas saj, nuk po tregon shenja pozitive.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?