Partizani-Vllaznia është superfida e javës së 19 të Superligës, që luhet të premten në Arenën e Demave duke nisur nga ora 19:00. Partizani i vendit të 3 ka vetëm 1 pikë më pak se shkodranët, të cilët ndryshe nga të kuqtë kanë fituar 2 ndeshjet e fundit në kampionat.
“Është ndeshja më e madhe deri më tani. Jemi fokusuar shumë te përgatitjet, por kemi disa probleme me mungesat. Gjithsesi nuk dua të ankohem, por do të shohim sesi do të shkojë,”-u shpreh Thomas Brdaric, trajner i Vllaznisë.
Java e 19 e Superligës nis të premten në orën 16:30 me sfidën Skënderbeu-Elbasani. Korçarët e vendit të fundit nuk fitojnë prej 10 ndeshjesh, ndërsa përballë do të ketë Elbasanin e Ivan Gvozdenovic, ish-trajnerin që u largua nga korçarët vetëm pak ditë më parë.
“Është momenti që gjërat të kthehen. A është e lehtë? Sigurisht që në këtë punë që bëjmë ne nuk ka asnjëherë gjë të lehtë sepse futbolli është i paparashikuar,”-tha Ernest Gjoka, trajner i Skënderbeut.
Kjo javë e Superligës vijon të shtunën me Tirana-Laçi dhe Dinamo-Egnatia, ndërsa mbyllet të dielën me sfidën Teuta-Bylis.