Praga zyrtare ka komentuar për herë të parë marrëveshjen e arritur mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë CEZ. Mes akuzve të opozitës për qeverinë se marrëveshja me CEZ  do rëndojë mbi xhepat e shqiptarëve, Ambasada e Republikës Çeke në Tiranë  në një reagim thekson se mirëpret arritjen e marrëveshjes mes palëve dhe miratimin e saj në Parlamentin e Shqipërisë më 31 Korrik 2014.
 
“Në vijim të shumë deklaratave aktuale publike që adresojnë marrëveshjen e arritur ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe shoqërisë Çeke CEZ, a.s., Ambasada e Republikës Çeke në Tiranë dëshiron të kujtojë se Qeveria e Republikës Çeke gjithnjë ka kërkuar një zgjidhje miqësore të mosmarrëveshjes që korrespondon me marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve dhe mbështetjen e gjatë dhe të fortë të ofruar nga Republika Çeke aspiratave të anëtarësimit në BE të Republikës së Shqipërisë. Republika Çeke mirëpret arritjen e marrëveshjes mes palëve dhe miratimin e saj në Parlamentin e Shqipërisë më 31 Korrik 2014. Republika Çeke e konsideron marrëveshjen si një kompromis mbi kërkesat legjitime të palëve që rezultoi nga negociata të gjata”, theksohet në reagimin e ambasadës.
 
Republika Çeke sipas njoftimit vlerëson asistencën e dhënë nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në lehtësimin e negociatave ndërmjet palëve dhe inkurajimin e vazhdueshëm në drejtim të të dyja palëve nga partnerët e tjerë ndërkombëtarë si Bashkimi Europian, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar për një zgjidhje të mosmarrëveshjes jashtë gjykatës.
 

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)