Prokuroria e Elbasanit ka urdhëruar arrestimin e ish-drejtorit të Përgjithshëm të rrugëve Dashamir Xhika, pas abuzimeve që janë konstatuar në procedurat tenderuese dhe mbikëqyrëse në ndërtimin e rrugës Elbasan-Gjinar. Procedurat për ndërtimin e kësaj rruge kanë nisur që në vitin 2009.  Arrestimi i Gjikës është realizuar në banesën e tij, ndërkohë në pranga ka rënë edhe Andi Toma, ky i fundit ish-funksionar i Partisë Demokratike i arrestuar dhe disa vite më parë për abuzimet gjatë ndërtimit të autostradës Durrës-Kukës dhe Rexhep Tarba (mbikëqyrësi i punimeve në rrugën e Gjinarit).

Përveç Xhikës, Tomës  dhe Tarbës janë arrestuar edhe 3 persona të tjerë, biznesmenë, pra 6 të arrestuar në total, një në arrest shtëpie, ndërsa 6 janë lënë në detyrim paraqitje. Abuzimet financiare të shkaktuara përllogariten në shifrën 5 miliard lekë të vjetra.I gjithë operacioni është udhëhequr deri në mesnatë nga drejtuesi i prokurorisë së Elbasanit Ardian Nezha, të proceduar janë ish-zyrtarë të lartë, kolaudues dhe disa biznesmenë të kompanive ndërtuese “Arifaj” dhe Tre vllezërit Hysa”.

Kompania administrohet nga Besnik Hysa, Kujtim Hysa dhe Flutura Hysa dhe është themeluar prej vitit 2001. Dy vëllezërit tashmë janë arrestuar nga policia, ndërkohë mes të arrestuarve është Rezarta Bokçiu, e cila administron kompaninë e ndërtimit “Arifaj”. Mes të arrestuarve janë edhe zyrtarët që kanë bërë kolaudimin fiktiv të rrugës Elbasan-Gjinar.

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, sipas detyrave dhe funksioneve që kanë pasur, kanë kryer veprime dhe mosveprimeve të kundërligjshme, që kanë sjellë si pasojë shpërdorimin e fondeve publike në shumën rreth 5 miliardë lekë të vjetra, të dhëna nga buxheti i shtetit për realizimin e objektit “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit”, dhe objekti nuk është realizuar” thuhet në akuzën e prokurorisë për zyrtarët e lartë.

Report Tv ka siguruar vendimin e gjykatës për lejimin e kontrollit të banesave për; Xhikën, Tomën, Tarba, vëllezërit Hysa dhe Rezarta Bokçiun. Dosja në fjalë është një nga tre dosjet për të cilat, prokurorja e Elbasani Amanda Xhaferi,kallëzoi për “Shpërdorim detyre” në polici ish-drejtuesin e prokurorisë Dritan Gina. Gina u akuzua nga Xhaferi se kishte fshehur dosjen e rrugës Elbasan-Gjinar.

Të arrestuar
Dashamir Xhika
Andi Toma
Besnik Hysa
Kujtim Hysa
Flutura Hysa
Rexhep Tarba

Arrest shtëpie
Rezarta Bokçiu

Detyrim Paraqitje/ Kolaudues
Lek Tusha
Astrit Qafa
Malvina Kallabaku
Afërdita Basha
Kastriot Braha 

Gjenden 80 dosje me tendera në banesën e Xhikës
Policia ka gjetur dhe sekuestruar në banesën e Dashamir Xhikës dokumente tenderash me vlerë për hetimin. Sipas burimeve të Report Tv policia gjeti 80 dosje tenderash rrugësh me dokumente origjinale.  Dashamir Xhika banon në një rezidencë të njohur vilash në kryeqytet, ndërsa kontrolli është bërë ditën e sotme pas miratimit të kërkesës nga gjykata.  Pas arrestimit mbrëmjen e djeshme, Dashamir Xhika pritet që të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë ditën e shtunë.

Xhika dhe Toma, dy funksionarët e LSI dhe PD
Dashamir Xhika kandidoi deputet në zgjedhjet e 25 qershorit nga radhët e LSI në qarkun e Elbasanit, i treti në listë, por nuk arriti që të hynte në Kuvend, pasi kjo forcë politike mori vetëm dy deputetë, Kryemadhin dhe Haxhinaston.

Në fillim të mandatit të dytë të qeverisë Rama, Xhika u kallëzua penalisht për shpërdorim detyre në punimet e rrugës Elbasan-Tiranë, ndërsa mbrëmë u arrestua, së bashku me ish- zv/ drejtorin Toma dhe 9 të tjerë, por për punimet e rrugës Elbasan-Gjinar.

Zv/ drejtori Andi Toma është personi tjetër që është arrestuar nga policia për abuzimet në rrugën Elbasan-Gjinar. Ai ka qenë ish-drejtor i Përgjithshëm të Rrugëve nga viti 2008-2013 (në kohën kur qeveriste PD). Andi Toma ka qenë ish-funksionar i Partisë Demokratike i arrestuar dhe disa vite më parë për abuzimet gjatë ndërtimit të autostradës Durrës-Kukës.

Redaksia Online
d.b/A.D/shqiptarja.com