Pranvera Bogdani: 45 vjet në gjurmët e Balshajve, 100 vjet zotër të Arbërit nga Budva në trevat e Moresë

Principata arbërore e Balshajve e ka zanafillën në shekullin e 14-të, duke e shtrirë sundimin e saj aty rreth viteve 1360. 

Kjo principatë, që për rreth 100 vjet zotëroi tokat e arbrit, duke u shtrirë nga viset e Kotorit në Mali  të Zi e deri në jug të tokave shqiptare; ngaqë ne u pushtuam nga serbët, ishte lënë në errësirën e mosnjohjes.

Por, ajo që na zbulohet, në një intervistë ekskluzivisht për Report TV me historianen Pranvera Bogdani, do të hedh dritë, jo vetëm në historinë e njërës prej principatave më të pavarura dhe më të lulëzuara, por edhe në enigmat e përplasjeve të mëdha, me principatat e tjera arbërore, me serbët e në fund me Venedikun, urën më të fortë të lidhjes me arbrit, edhe në shekujt që pasuan me Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Historiania e njohur, profesoreshë Bogdani, e cila punon me përulje e pasion, iu ka kushtuar 45 vite të jetës së saj kërkimeve shkencore e fakteve historike për të ardhur tek libri më i mirë i vitit 2019 “Balshajt” në 20 vjetët e parë të shekullit të 15-të.

Pranvera Bogdani ra në sy të publikut vetëm kur u vlerësua nga “Akademia Kult”.

Edhe pse është nëna e një personazhi të famshëm në botën e sportit, Erjon Bogdanit, tek kjo historian e përkushtuar, buron thjeshtësia e njeriut të ditur, gjë që na e zbulon gjatë rrëfimit të një historie fatkeqësisht të munguar në fletët e librit të madh të Historisë së Shqipërisë.

Me korrektesë e qartësi akademike, profesoreshë Bogdani na fton të mësojmë një nga faqet më të rëndësishme të historisë sonë, për të kuptuar më mirë qëndresën e kulturës dhe gjuhës shqipe

Intervista

Profesoreshë Pranvera, ju tashmë keni botuar librin “Balshajt” për një nga familjet princërore më të mëdha të arbrit,  që ishte edhe libri i vitit i vlerësuar me çmimin e Akademisë Kult.  Si nisi kjo punë, pse gjithë ky interes juaji për një nga familjet më të mëdha për Balshajt?

-Historia mesjetare e Shqipërisë kulmon me epopenë skënderbejane, “Skënderbeu” si figurë qendrore e mesjetës ishte personaliteti që duhej kuptuar në kohë. Dhe, historiografia shqiptare ka bërë kujdes ta kuptojë fenomenin “Skënderbe” dhe ç’ndodhte para tij. Shoqëria mesjetare arbërore njihte formacionin feudal të Balshajve. Ishte i përmendur që nga fundi i shekullit të 19-të, por kishte studime dhe në shekullin e 20-të.

Si njohëse e gjuhëve të huaja klasike, latinisht, greqishte e vjetër, italisht, gjuhë moderne, greqishte e re, gjermanisht, pak serbisht, frëngjisht po, unë iu futa studimit të kësaj periudhe, dhe me rezulton se kemi të bëjmë me një dinasti që kap 100 vjet të historisë shqiptare. Fillon në vitet 1360 të shekullit të 14 dhe përfundon gati në vitet ‘60 të shekullit të 20-të me fundin e Skënderbeut. Pra  100 vjet histori e 100 vjet histori e Skënderbeut duke shkuar gati paralel në shekullin e 15-të të dyja, krijojnë mundësi për t’i parë fenomenet dhe dukuritë historike shqiptare me një këndvështrim tjetër. Por, ku qëndron efekti Balshajt? : -Efekti Balshajt qëndron në faktin që i dha Skënderbeut një ndjeshmëri tjetër historike. Skënderbeu shprehej se “Unë jam trashëgimtar i Balshajve dhe në objektivat e mia është ndërtimi prapë i shtetit të Balshajve.”

Po të shikojmë shtetin e Balshajve, është një shtet që përfshiu gati gjithë trojet shqiptare të atëhershme, shtrihej në veriu nga gjiri i Rizonit, ku përfshiheshin Budva, Ulqini, dhe zbriste poshtë deri në jug, poshtë në trevat e arbëreshëve të Moresë. Nga lindja kapi krahinën e Kosovës dhe poshtë në jug deri në Manastir e tutje. Një shtet të tillë të shtrirë nga pikëpamja territoriale nuk e gjen në kohën e Skënderbeut. Skënderbeu ishte  një tjetrë fenomen, sepse ngjarjet historike që i paraprinë shtetit të Skënderbeut dhe që sqarohen tek shteti i Balshajve tregojnë se sa vështirësi i ishin krijuar Shqipërisë dhe megjithatë me një Skënderbe ajo arriti të ripërtërijë dhe të ngrejë më lart lavdinë dhe traditën arbërore.

Cilat kanë qenë ato dokumentet e para që të kanë lënë një impresion dhe ke kërkuar ende për ta përmbushur atë mozaikun e panjohur të Principatës së Balshjave?

-Principata e Balshajve me këtë shtrirje të madhe, pati marrëdhënie me të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor të sotëm. Në c’kuptim?: Me boshnjakë, me kroatë, me serbë. Në këtë libër, unë përpiqem të shpjegojë se mesi i shekullit të  14-të, por edhe shekulli i 15-të, përveç zhvillimit ekonomik shoqëror dhe kulturor që kishin trevat Ballkaniko-Perëndimore, ndodhte që feudalët dhe ata që merrnin përparësinë në zona të caktuara, e kishin ndjerë nevojën për t’u shtrirë në drejtimet që impononte ekonomia. Për të kuptuar historinë e Balshajve i referohem Anonimit të Tivarit. Është një prift francez , që i shkruante mbretit të vet. Këtu ka forca që flasin gjuhën e tyre. Gjuhë që shkruhet me germa latine. Ka forca që mund të mobilizojnë rreth 15 mijë ushtarë dhe të të ndihmojnë ty për të realizuar një aksion të suksesshëm. Domethënë, që këtu fillon ideja që popullohej kjo zonë, sidomos e pati qendrën në Shkodër,  nga një popullsi që dallonte nga fqinjët, por që dinte të merrej vesh edhe me fqinjët. Por unë do të thosha edhe diçka tjetër. Për Balshajt që dokumentet më rilevante, më të rëndësishme, na vijnë nga burimet dhe kronikanët serbë.

Konstandin Filozofi, një kronikan goxha i njohur në botën serbe na shkruan se “Balshajt ishin shqiptarë”. Jo rrallëherë ndonjë historian përpiqet ashtu si edhe për Skënderbeun thonë, pa dale se nuk i takon kësaj kombësie, kësaj “nacio” siç shkruhet në dokumente të tjera latinë që flasin gjuhën shqipe, që flasin një gjuhë të veçantë, por që është pjesë e një grupimi tjetër. Kurse vetë kronikat serbe, vetë burimet serbe, na pohojnë se në breza Balshajt janë shqiptarë, nga Balsh plaku, në brezin e parë tek bijtë e tij, tek nipërit, stërnipërit e kështu me radhë.

Ka ndodhur ndonjë ndryshim tingullor, apo ndonjë ndryshim i bashkëtingëlloreve me kalimin e kohës tek mbiemri Balshajt?

-Unë besoj se mbiemri Balshajt, jo vetëm na vjen nëpërmjet librit të Marin Barletit, jo vetëm na vjen nga vjen nga studiuesit që e trajtuan çështjen, në mënyrë të kufizuar, por e trajtuan. Por edhe sot e kemi. E kemi Ballsho, Balla, Balsha, kemi Ballshin si qytet, kemi Bajzën të zbutur. Duhet të jetë shumë i lashtë, duhet të jetë them si ndryshim i princit Balai, ose Ballaj, varet sesi e lexon, në veri të Liqenit të Shkodrës që po bëhet një kërkim edhe për një qytetërim të veçantë dhe thesare të pafund parash, që të tregojnë për një tregti dhe një marrëdhënie me trevat europiane, por edhe ballkanike. Për ne shqiptarët është e qartë dhe pa probleme të afrojmë këtë emër me familjet tonë arbërore. Por ka patur edhe studiues që thoshin. “Këta princër, këta fisnikë, duhet të vijnë nga princër francezë; De Bo p.sh.ose italianë De Balsa etj”, por faktet tregojnë se ishin vendas dhe ndihmuan për ecjen përpara të kombësisë shqiptare në mesjetë.

Cilat kanë qenë lidhjet e principatës së Balshajve me Drishtin, sepse kam parasysh aty Statuset e Drishtit,që janë statuse shumë të veçanta dhe që kanë bërë bujë herë pas here gjatë zbulimeve të tyre në arkivat e Italisë, të Venedikut apo arkiva të tjera, ku gjenden dokumentat e mesjetës shqiptare?

-Drishti ishte një fortesë në Mesjetë e vogël në krahasim me Shkodrën, Ulqinin, Tivarin, por edhe Durrësin, ku njëri prej tyre, Balsha i Dytë, u shpall dukë i Durrësit, kur krijoi një shtet të madh.  Por feudalëve që vinin, e çonin origjinën e tyre deri në kohen e perandorëve bizantinë të  engjëllorëve. Dhe në këtë kuptim, Balshajt edhe e kanë pasur si qytet mbështetës,  por edhe drishtianët, vende-vende i kanë mbështetur, por edhe kanë dashur të shpëtojnë në një moment të dytë, të ndajnë ekzistencën e tyre nga Balashajt. Ka dokumente venecianë që thonë. U bë ç’u bë me luftën, ndihmuan si e ndihmuam Blashën, por tani na lini të qetë.

Çfarë roli dhe ndikimi kanë pasur atë në historinë e Shqipërisë që kanë  edhe gjithë këto aleanca me principata e Arbërit?

-I përfshinë të gjitha principatat nën çatinë e Balshajve gati hynë të gjithë.  Asnjëri nuk mund të thoshte që ishte jashtë principatës së Arbërit. I kishin njohur si kryezotë, të gjithë këta që dalin pas kohës së Skënderbeut i kanë njohur si kryezot më parë. Për shembull, në Ballsh u gjend dhe është objekti më me vlerë që kemi në Muzeun Historik  Kombëtar, është epitafi, jo vetëm epitafi por pëlhura me të cilin ishte mbuluar Gjergji i Dytë, Strazimir Balsha, kur vdiq. Ishte qëndisur i mbuluar i tëri me argjend dhe thuhet “qëndistari është një princ  arianitas”. Domethënë, Balshajt u bënë simbol i Arbërisë. Në kohën e Balshajve ne kemi pasur flotën tonë arbërore, që vinte nga bregdeti Dalmat, Gjirit të Rozonit, deri poshtë. Dhe kulmin e fuqisë që barazoheshin me venecianët, që kishin edhe ata dukatin e vet, sepse venecia quhej Republika e Shën Pjetrit, por kreun e shtetit e quante Dukë i Venetikut dhe fenomene të tjera. Tashti pjesa ajo që është për të thënë dhe u tha në libër. Pjesa e luftës është epilogu i Balashajve dhe rilindja e Kastriotëve në pjesën veriore. Por dukë u Durrësit e shpalli veten Balsha i Dytë, që vinte nga zotërimet e jugut.  A kemi ne në jugë krahinë e Dukatit, vjen nga Duka. Kemi Elbasanin në Shqipërinë  e Mesme që unë do ta quaja një transformim të emrit nën presionin Osman. E lanë emrin gjithandej dhe u sollën si zotër të vërtetë.  Bashkë me Balshajt kanë qenë edhe tre priftërinj të dëgjuar, në fundin e historisë së Balshajve, me mbiemër Bogdani. Domethënë janë disa familje që e shoqërojnë këtë 100-vjeçar dhe pastaj kemi Skënderbeun. Skënderbeu bëri krushqi me Balshajt.

Ju na rrëfyet periudhën e shkëlqimit të Balshajve. Tani është nevoja për të ditur atë që është edhe periudha e rënies. Rënia që natyrisht ka pasuar me pasojat në kurrizin e shqiptarëve, në fatin e arbërit.  Dhe ne duhet ta dimë na ka ardhur kjo rënie e madhe e principatave të Arbërit që kanë qenë në zenitin e vet?

-Nuk mendohet që Shqipëria mesjetare jetonte jashtë rretheve kulturore të botës së atëhershe, qoftë perëndimore, qoftë lindore. Por shkëlqimi i qyteteve, mundësitë ekonomike, rrugët e mëdha tregtare të kripës, që shkonte deri thellë në Kosovë rruga e Xhentës për shembull, dhe e lidhte treva të thella me perëndimin, e bunin të lakmueshme trevën shqiptare, kombësinë shqiptare. Aty i kishim. Prapa shpinës i kishim të gjithë. Me ç’mënyra, e dinin vetë.

Për shembull, Venecia erdhi si një fuqi tregtare, pa interesa territoriale, por ama me marrëveshje, në tavolinë, mori Durrësin. Me marrëveshje në tavolinë, duke shfrytëzuar vështirësitë e princërve shqiptarë, mori Lezhën.  Me marrëveshje në tavolinë mori Shkodrën. Princi shqiptar e nënshkroi shpejt... me shpresën që... të lësh një qyte të lësh një zemër të shtetit, nuk është e lehtë, por e mori. I vuri letrat Venediku, programet e veta dhe desh të stabilizojë një sundim të vetin.

Në këtë moment përplasen. Nuk ishte e lehtë edhe për shqiptarët të përshtateshin, ta duronin, sepse qenë dhurata që princërit Dukagjinët, Balshajt, Topiajt i bënë Venecias. Komuniteti, bashkësia, populli ndeshi në pengesa të mëdha. Filluan të ndryshojnë taksat, filluan të ndryshojnë rrugët. Filluan të merren masat për organizim. U bë deri regjistrimi i zonës i qytetarëve me pasuritë e veta dhe i zonës së fshatit. Për ata që e jetuan qenë ngjarje të vështira. Për ne që bëjmë histori janë mundësi për të kuptuar mentalitetin, statusin, mënyrën e organizmit të shqiptarëve në këto treva. Këtë rezultat kanë sot fakti që Statutet e Shkodrës e të Drishtit i gjejmë në Arkivën e Venedikut. Po këtë rezultat kanë edhe fakte që regjistrat e parë të kadastrës ne i kemi taman nga venecianët, datojnë në 1416-1417, por përmbajnë brenda dhe një mesazh tepër të fuqishëm. Shqiptarët, arbërshët, kur regjistronin pronat e tyre  deklaronin: “Ne këtë pronë e mbajmë avantiko”, do të thotë prej lashtësie.

Fakti që kërkohet një thesar për Balshajt, është një legjendë urbane, apo ka fakte e dokumente historike se gjenden diku e ekzistojnë në të vërtetë thesaret e tij?

-Fakti i thesareve hyn në atë misterin, edhe në legjendën. Unë do them këtë. Ishin të dalë shqiptarët edhe në atë kohë.  Balsha i Tretë ishte i biri Helenës serbe të Stefan Lazareviçit që u vra në betejën e Kosovës. Helena për të mbrojtur interesat e birit të vet, ndenji për nja dy vjet rresht në Venecia dhe i binte derës së Senatit venecian: Djali im kërkon hirin e drejtë. Kërkoi pasurinë e babait, si të thuash atë që la i ati. E kërkoi me armë, por e kërkoi edhe me diplomaci.  Krahas Helenës, shoqërohej edhe nga një delegacion i Marës, që po të lexojmë historinë e Barletit është vajza e parë e Gjon Kastriotit, e martuar me një princ malazez. Do të thotë që familjet fisnike shqiptare në atë kohë, ishin dhe jetonin me një luks të kohës.

A ka pasur dominacë të popullsisë shqiptare në Mal të Zi?

-Edhe kjo është një çështje interesante. Ka patur shumë, sepse nuk mund të shpjegohet ndryshe, që princat Balshajt arbëror e shtrinë sundimin e tyre dhe atje i kishin qendrat e veta të mbështetjes, por erdhi edhe tkurrja. Nën presionin osman që vinte nga poshtë, nënë trysninë veneciane e cila shkoi deri në aleanca me osmanët e  kohës për t’i shtypur dhe ndrydhur shqiptarët.

Sot po të vesh në Malin e  Zi,  gjen Gjelat atje, mbiemri Gjel, nga Gjel sot ne lexojmë Gjelçiç, ai është Gjeli. Ai u bë Gjelçiç më vonë. Si ky ka edhe fise të tjera që dashje, pa dashje pranuan t’i shtojnë, të bëjnë një prapashtesë, nisën të jetonin ndryshe...

U asimiluan, apo jo?

-Rezervohem ta them, sepse edhe sot po të vesh tek Gjelajt, flasin shqip. Nuk quhet asimilim, quhet përshtatje me asimilimin.

Ju me treguat se studiues të mesjetës serbë, kanë shkruar për zotërimet e Balshajve, shkëlqimin, dhe natyrisht për historinë e arbërit kryesisht pa futur interpretime të përkatësisë së tokave, siç ndodh me studiuesit e rinj serbë sot?  

-Studiuesit serbë edhe e kanë idenë, edhe e kanë shkruar, edhe kanë trajtuar principatën e Balshajve, e dinë, por nuk iu pëlqen shuam që të thonë se janë shqiptarë. Dhe kujtojnë se nëpërmjet Balshajve do të tërheqin edhe Skënderbeun. do të dalim në një histori një cikë të ngatërruar, sepse kemi të bëjmë me princa që bënë dhe krijuan edhe lidhje martesore. Do të thotë aleanca edhe me serbët, por aleanca serioze, sepse Knjaz Llazari sot është një nga figurat themelore të historisë së popullit serbë dhe se dhëndri i tij, Gjergji II, Strazimir Balsha, ishte një shqiptar, por në kuptimin dokumentar dhe me dokumentet e shteteve që kanë të bëjnë me ne qe në shtet, goxha i shtrirë, i gjerë. Vetëm në këtë kuadër, edhe ne kemi patur  numër të madh, por arritëm të mbijetojmë. Skënderbeu i shkruan letër princit të Tarantos në  Itali dhe i thotë: “Siç tregojnë kronikat tona, ne quhemi epiriot dhe të parët tanë qenë Aleksandri i Madh dhe Pirroja. Aleksandri i Madh që bëri fushata ekspansioni në lindje dhe Pirroja që provoi të kapërceje Adritaikun dhe të dalë në Itali me beteja.

Sa vjet ju është dashur për të punuar rreth këtij libri, deh si u ndjetë që pas punës suaj u vlerësuat edhe me çmimin kult si libri më i mirë i vitit pak ditë më parë?

-Do të tregoj një fakt që për mua është shumë i çuditshëm. Unë nxënëse e Fakultetit të Historisë-Filologjisë në Tiranë, ndaheshin temat e Diplomës dhe që në vitin e dytë të Universitetit më takon të bëjë temën e Balshajve. Atëherë isha gati 20 vjeç, sot jam 68 vjeç. I bie 48 vjet përpara që  unë njoh këtë personazh e mbaj në mendje, e kërkoj, e qëmtoj. E tregoja madje në familje, dhe libri të botohet me rastin e 550-vjetorit të Skënderbeut dhe prapë për çudi për fat, libri mori edhe një çmim, Çmimin “Kult 2019”.

Pra, me një libër ju na rikthyet një nga principata më madhështore ende të panjohur për fat të keq edhe në mjedisin akademik .  

-Ju falënderoj profesoreshë për prurjen tuaj. Ju përgëzoj për çmimin që morët dhe këtë histori të panjohur për fat të keq,  ende në mjedisin akademik.

Edhe unë ju falënderoj që këto punë që dikur ishin me natyrë akademike do t’i kthehen me forcë edhe njëherë lexuesit shqiptar.

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Tjetërsimi i 66 mijë m2 tokë te Rana e Hedhun, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për Fran Frrokajn

Tjetërsimi i 66 mijë m2 tokë te Rana e Hedhun, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për Fran Frrokajn