Pr.buxheti 2025, Tabaku: Rritja ekonomike mbështetet vetëm tek ndërtimi, 0 plane për pensionet

Pr.buxheti 2025, Tabaku: Rritja ekonomike mbështetet vetëm tek ndërtimi,  0 plane për pensionet

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku shprehu sot  shqetësimin për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, ndërsa theksoi se rritja ekonomike e vendit është mbështetur vetëm në sektorin e ndërtimit. Sipas Tabakut, kjo rritje nuk ka sjellë përfitime për sektorët e tjerë dhe nuk ofron një perspektivë të qëndrueshme ekonomike.

Gjatë mbledhjes së komisionit të Ekonomisë dhe Financave ku u prezantua projektbuxheti i vitit 2025, Tabaku ngriti shqetësimin për premtimin e qeverisë që të ardhurat nga taksa e Windfall, të mbledhura gjatë krizës së çmimeve të energjisë, do të shkojnë për rritjen e pensioneve. 

"Ku është mbledhur kjo taksë dhe për çfarë është përdorur ajo?” – pyeti Tabaku, duke nënvizuar mungesën e transparencës nga ana e qeverisë.

Ajo gjithashtu kritikoi parashikimin e qeverisë për të ardhurat nga lojërat e fatit, të cilat janë vlerësuar në 40 milionë euro, dhe kërkoi sqarime për bazat e këtij parashikimi. Duke folur për politikën fiskale, Tabaku theksoi mungesën e një strategjie për lehtësimin e barrës mbi bizneset dhe përshpejtimin e procesit të de-rregullimit.

Për çështjen e pensioneve, Tabaku ngre shqetësime të mëdha dhe kërkon llogari mbi burimet që qeveria synon të përdorë për rritjen e tyre, duke vënë në dukje se rritja e TVSH-së dhe sigurimeve shoqërore nuk mjafton për të përmbushur këtë premtim.

Fjala e Deputetes Jorida Tabaku

E shoh me shqetësim modelin e rritjes ekonomike dhe të ardhurave që keni parashikuar në këtë projektbuxhet. Nuk shoh asnjë stimulim ekonomik mbi ekonominë dhe më mbetet e paqartë se si planifikoni t’i arrini këto të ardhura. Rritja ekonomike e vendit është mbështetur vetëm në sektorin e ndërtimit, i cili nuk ka sjellë ndikim zinxhir tek sektorët e tjerë.

Qeveria ka premtuar që taksa e Windfall do të shkojë për rritjen e pensioneve, duke u bazuar në të ardhurat ekstra nga kriza e çmimeve të energjisë. Ku jemi me mbledhjen e kësaj takse dhe për çfarë është përdorur ajo?

Një tjetër shqetësim është parashikimi prej 40 milionë euro nga të ardhurat e lojërave të fatit. Cilat janë bazat për këtë rritje të pretenduar?

Ju përsëritni integrimin europian, por na mungon një agjendë e qartë e reformave ekonomike. Qeveria flet për këtë agjendë, por nuk e ka publikuar ende. A ekziston vërtet ky plan dhe përse mbahet i fshehur, kur disa pjesë janë në konsultim publik?

Fatkeqësisht, nuk ka asnjë politikë fiskale për të lehtësuar bizneset nga barra rregullatore. Si do t’i japim liri sektorit privat kur mungon çdo iniciativë për de-rregullim? Në fakt, janë bërë 217 ndryshime në ligjin për procedurat fiskale për vetëm 117 nene.

Gjithashtu, keni parashikuar rritjen e TVSH-së si pasojë e inflacionit dhe rritjen e sigurimeve shoqërore nga rritja e pagës minimale, që do të sjellë 60 milionë euro. Ndërkohë, lufta ndaj informalitetit do të sjellë vetëm 15 milionë euro më shumë. Pra, si do t’i rrisni pensionet që pretendoni?

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic