Preç Zogaj: Për dashurinë shkruhet
më mirë duke kaluar vitet

Preç Zogaj: Për dashurinë shkruhet<br />më mirë duke kaluar vitet
TIRANE- Poeti rrëfehet për librin “Fundi, një fëmijëri tjetër” me përmbledhje e poezive të shkruara gjatë dy-tre viteve të fundit. Kujtime për dashurinë dhe ngjarjet e fëmijërisë.

“Mëngjesi i shtyn në thellësi fanitjet,
Por një shqisë e re tërë ditën e ditës
Rreh në cep të syrit, në pore-
Gjithnjë je këndej pari.
Nëse të ndodh diçka, nëse vdes
Nuk do ta marr vesh.”...

Kjo është një nga ato poezitë e freskëta të dashurisë, që duket si përjetim i ditëve më të fundit të poetit Preç Zogaj. Titullohet “Më i fortë se malli im”. Pra, malli i poetit është më kokëfortë se ligjet e natyrës. Nuk do të dëgjoj, nuk do të besoj, nëse e zgjedhura e zemrës së tij një ditë vdes... Edhe pse e pyes me një nëntekst paksa provokues nëse janë “përjetime reale apo fryt i fatntazisë poezitë më të reja të dashurisë”, poeti e anashkalon përgjigjen. Një anashkalim i kuptueshëm. Poezia e ndjerë flet me një gjuhë universale. Kur lexon mes këtyre rreshtave duket se ky është një dedikim që kemi dëshirë t’ia përcjellim njeriut për të cilin na regëtin zemra.

 “Dashuria është para së gjithash është mendim. Nga kjo pikëpamje, kam përshtypjen se për këtë temë të madhe të poezisë mund të shkruhet më mirë akoma duke kaluar vitet”, shprehet poeti Preç Zogaj, i cili dje në Ministrinë e Kulturës (MTKRS) ka promovuar librin “Fundi, një fëmijëri tjetër”. Bëhet fjalë për një përmbledhje të poezive të shkruara gjatë dy-tre viteve të fundit. Në vëllimin e Preç Zogaj gjejmë vargje të bukura për dashurinë, për marrëdhëniet njerëzore, për njerëzit e afërt siç është nëna apo fëmija, e nuk mungojnë as vargjet për Shqipërinë. Poeti Preç Zogaj është mjaft aktiv edhe në fushën e politikës.

“Do të vazhdoj të merrem me politikë, pa i marrë kohën poezisë”, thotë ai në intervistën për “Shqiptarja.com”, duke komentuar një thënie të Havelit se poezia i bën mirë politikës: “Sa për atë që se çfarë i jep poezia dhe letërsia  politikës mund të përgjigjem me një thënie të Havelit, se politika së cilës i mungon dimensioni i humanizmit dhe shkëlqimi i arsyes së kulluar të artit është  padurueshëm e mjerë”. Kështu shprehet poeti Zogaj, ndërsa e pyesin se cilat janë raportet e tij në marrëdhënien me poezinë dhe politikën. Preç Zogaj e ka nisur karrierën e tij si poet, por që nga rinia e tij ai ka vazhduar dhe thotë se do të vazhdojë të merret me politikë dhe publicistikë sikurse deri me sot. Në librin e ri ai vjen me poezi tepër të ndjera, të cilat sjellin një dimension tjetër të krijimtarisë së autorit.
 
Zoti Zogaj, pse e çmoni sot jo vetëm librin e ri, por edhe faktin që po prezantoheni si një poet mes poetëve? Ju ka lodhur politika, keni ndonjë mllef ndaj saj, apo…?

-Ditët  e mia më të bukura janë ato të poezisë. Librat janë arritja ime, suksesi im. Ju e keni parë se unë shkruaj  vazhdimisht dhe botoj çdo tre-katër vjet një libër të ri me poezi. Nuk shkruaj se jam lodhur nga politika, ca më pak për t’i bërë sfidë politikës. Shkruaj kur më vjen të shkruaj. Nuk e sakrifikoj kurrë kohën e poezisë. Po të mundja, nuk do bëja gjë tjetër veçse do të shkruaja poezi. Por kjo është e pamundur. Poezia  është një gjë që jetohet rrallë, për rrjedhim “shkruhet rrallë dhe pa dëshirë”,  thotë  Çezllav Milosh,  ndërkohë që pjesa  më e madhe e jetesës sime  harxhohet në impenjime të tjera shoqërore, siç janë publicistika dhe politika. Me fjalë të tjera, poezia për mua nuk është koha që tepron, përkundrazi: është koha që më privilegjon.  

Askush nuk harron megjithatë se jeni politikan. Që kjo punë i ka hyrë në hak poezisë suaj e dimë, por për cilën gjë mendoni se të qënit poet ndihmon politikën?

-Më lejoni t’ju them e kjo nuk është shumë e saktë. Unë jam marrë e merrem me politikë, por nuk kam qenë drejtues i lartë i ndonjë partie dhe shumë pak kohë kam punuar si anëtar qeverie. Në këto funksione  ka kuptim të flitet për politikanë profesionistë. Dhe në këtë rast nuk do të ishte e natyrshme, madje do të ishte e padrejtë për misionin e rëndësishëm  të politikës ndarja e  kohës me  letersinë.  Angazhimin politik unë e konsideroj një  detyrë qytetare. Pak kohë më parë Papa Françesku  tha gjatë një takimi me të rinjtë dy fjali që më prekën. E para: “angazhimi politik është një detyrë për  kristianët”. E dyta, “nuk është fatkeqësi me  u rrëzu, por  me ndenjë i rrëzuar”. Fjali të thjeshta në të cilët përmblidhet kuptimi i sa e sa jetëve njerëzore, përfshirë timen.  Ja, pra: politika nuk i ka hyrë në hak poezisë sime. Politika është një zgjedhje imja e lirë. Sa për atë që se çfarë i jep poezia dhe letërsia  politikës  mund të përgjigjem me një thënie të Havelit se politika së cilës  i mungon dimensioni i humanizmit dhe shkëlqimi i arsyes së kulluar të  artit është  padurueshëm e mjerë.
 
Pse i ktheheni motivit të fëmijërisë? Ju  lutem na tregoni një mbresë që nuk e dimë nga fëmijëria juaj? Është tamam koha kur ne përkthejmë  me një gjuhë vërtetësie fëmijërinë tonë?

-Shiko, ky nuk është një libër për fëmijërinë. Titulli është marrë nga një poezi në të cilën flas nga këndvështrimi i sotëm për gjëra të cilat i kanë pas  shpëtuar fëmijërisë  së dikurshme. Është  koncepti i riciklimit të vazhdueshëm të fëmijërisë në trajtën e habisë poetike. Por ky libër, nëse flasim për frymën, ka më shumë religjion se fëmijëria. Madje unë  desha të vendos një titull religjioz, por ky që më propozoi një mik m’u duk më poetik, më i thjeshtë. Mbresa që më kthehet herë pas here nga fëmijëria është  ndarja  nga të jetuarit në besim, në fe. Jam munduar ta përcjell këtë përjetim kompleks në poezinë “Pa perëndi fëmijëria ime”. Mbresa tjetër lidhet me diferencimin klasor. Unë isha  nxënësi më i mirë i klasës, por nuk kisha të drejtë të bëja roje nderi pranë lapidarëve apo varrezave të dëshmorëve. Edhe ky përjetim vjen në një formë të re, ma merr mendja, që lidhet me një vështrim sipëror të fatit nga babai im.
 
Poezitë tuaja të dashurisë janë të ndjera. Edhe ato të shkruara së fundi, sikur t’i kesh shkruar 25 vjeç. Janë dedikime reale apo fryt i fantazisë...?
 
-Po sikur të  zëvendësoni  njëzet e pesën me pesëdhjetë e pesën, çfarë do të ndryshonte? Dashuria është para së gjithash mendim. Nga kjo pikëpamje, kam përshtypjen se për ketë temë të madhe  të poezisë mund të shkruhet më mirë  akoma duke kaluar vitet. Tagora, nobelisti indian, ishte tetëdhjetë vjeç kur tha se  tani do të donte të fillonte të shkruante.

Duket sikur ka një fill lidhës mes jush me Lasgush Poradecin. I ka përjetuar ai, mendoni, të gjitha dallgët e dashurisë të hedhura në letër. Cila është ajo që ju bën ta kuptoni më mirë poetin kombëtar?

-Tema e dashurisë  si temë qendrore, lirizmi dhe një gjuhë poetike e ndjerë, pa ngarkesa, që priret  drejt thellësisë pa  u bërë e errët -ndoshta janë këto disa karakteristika  të fillit lidhës për të cilit flisni ju. Poradeci shkruan ndryshe gjithsesi. Unë ndihem me afër Fatos Arapit për sa i përket kantilenës lirike-erotike. Padyshim që poeti i ka përjetuar  motivet që ka hedhur në letër. Madje me shumë se sa ka hedhur ne letër. Përjetimi për poetin është si atelieja e skulptorit ku gjithnjë ka shumë lëndë të parë të papërdorur  apo skarcitetet, që janë hequr nga blloku për të nxjerrë figurën artistike.
 
Së fundi, do të merreni pas kësaj vetëm me poezi, apo edhe me poezi, edhe me politikë?
 
-Kjo pyetje na kthen në fillim të intervistës. Po të mundja, do të merresha vetëm me poezi. Por poezia jetohet rrallë dhe shkruhet pa dëshirë. Në paça fat, do të vazhdoj të shkruaj poezi. Do të vazhdoj të merrem me politikë dhe publicistikë sikurse deri më sot. Pa i marrë kohën poezisë. 

(Shkrimi u publikua sot në gazetën "Shqiptarja.com")
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti