ANGLI - Arsenali dhe Chelsea iu përgjigjën Manchester United, duke marrë fitore për raundin e 25-të në Premier League. ‘Topçinjtë’ fituan 3-0 kundër Sunderlandit duke mbajtur kreun e renditjes, ndërsa te Chelsea, Palmer shënoi tre herë për fitoren 1-3 kundër Wolves.
Arsenali i shënon tre gola Sunderlandit
Arsenali siguroi një fitore të rëndësishme duke mposhtur bindshëm Sunderlandin me rezultatin 3-0. Skuadra londineze dominoi takimin dhe rasti i parë serioz erdhi në minutën e 30-të, kur Declan Rice provoi nga distanca, por topi përfundoi shumë pranë shtyllës. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 42-të, kur Martin Zubimendi realizoi një gol spektakolar me kthesë nga skaji i zonës, pas asistimit të Leandro Trossard, duke kaluar Arsenalin në avantazh.
Në pjesën e dytë, vendasit vijuan me ritëm të lartë dhe në minutën e 66-të gjetën golin e dytë. Kai Havertz asistoi saktë për Viktor Gyokeres, i cili u tregua i saktë. Deri në fund të ndeshjes, “Topçinjtë” vulosën fitoren, teksa sërish Gyokeres doli në skenë duke realizuar golin e tretë për rezultatin përfundimtar 3-0.
Chelsea ‘kafshon’ Wolves, tre gola Palmer
Chelsea fitoi në udhëtim 1-3 kundër Wolves. Ndeshja u zhbllokua që në minutën e 13-të, kur pas një faulli në zonë ndaj lojtarëve të Chelsea, gjyqtari Jarred Gillett akordoi penallti. Cole Palmer mori përsipër ekzekutimin dhe me shumë qetësi realizoi golin e parë.
Chelsea vazhdoi presionin dhe në minutën e 35-të fitoi edhe një tjetër penallti, pas një ndërhyrjeje të gabuar të Yerson Mosquera brenda zonës. Sërish Palmer ishte i saktë nga pika e bardhë, duke dyfishuar për 0-2.
Vetëm tre minuta më vonë, londinezët shënuan edhe golin e tretë. Marc Cucurella bëri një depërtim të shkëlqyer në krah, ndërsa topi përfundoi te Cole Palmer, i cili me një goditje precize e dërgoi topin në rrjetë për 0-3. Wolves shkurtoi në minutën e 54-t me Toluwalase Arokodare.
Me 56 pikë Arsenali mbetet në krye të Premier League, nëntë më shumë se Man. City (një ndeshje më pak) dhe Aston Villa.
Komente






