Fillimi i vitit ka shënuar tashmë edhe nisjen e fushatës, dhe sikurse e do tashmë tradita tipike shqiptare parti të ndryshme kanë nisur të mobilizojnë anëtarësinë dhe të ndjellin votues duke shpalosur premtime nga më të ndryshmet. Duke qenë se gara premton që të jetë goxha agresive edhe premtimet kanë pasur prirjen që të jenë tejet agresive duke kapërcyer e qendruar vite dritë larg mundësive konkrete për ti vënë ato në jetë.

Ky ekzagjerim i skajshëm i premtimeve është mbase edhe një kut matës i papjekurisë së politikës shqiptare e cila ende nuk i kushton vëmendjen e merituar programeve politike dhe platformave elektorale dhe bazohet akoma në pretendime të mëdha që i hedhi hi syve qytetarëve. Aq më tepër që disa prej veprimeve më të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë mund të materializohen në parlamentin e ri vetëm nëse arrihet një kompromis I gjërë dhe sigurohet shumica e cilësuar.

Tradita e premtimeve populiste pa një bosht të qartë ideologjik dhe pa një angazhim të mirëfilltë programor, duket se po vazhdon edhe më e konsoliduar sivjet dhe po e lë votuesin shqiptar më të hutuar se më parë. Premtimi që më së paku është i realizueshëm nga një parti më vete është padyshim ai që jepet për integrimin. Situata qesharake e tre ligjeve të bllokuara nga opozita për hir të një problemi periferik e nxjerr në pah faktin që pa 84 vota pra pa shumicën e cilësuar vështirë se mund të shkohet përpara. Sikurse e ka dëshmuar tashmë legjislatura që po mbyllet, të qenurit mazhorancë nuk mjafton që të realizohen kushtet që çojnë para në procesin e anëtarësimit dhe është e kotë të thuhet votoni kundër bllokimit apo ne jemi forca e vetme që mund të sigurojë integrimin kur dihet që asnjë parti e vetme nuk ka gjasa që të sigurojë 3/5-at e deputetëve (përveçse nëse ka ndër mend të vjedhë votat dh eta çojë Shqipërinë drejt Kubës e Koresë së Veriut) .

Një situatë e ngjashme është edhe me premtimet ekonomike të papërmbajtura që jepen. Vështirë se mund të realizohen ato premtime për eleminim e varfërisë dhe papunësisë kur dihet që qeverisë shqiptare i kanë ngelur në dorë shumë pak mundësi për të patur të tillë impakt në ekonomi. Jo vetëm sepse ne shteti ynë ka privatizuar të gjitha ndërmarrjet e mëdha dhe ka pak instrumente në dorë për të sjellë ndryshim. Pra përtej politikave fiskale e monetare në dorën e qeverisë për ta përmirësuar ekonominë shqiptare duhen zgjidhur problem shumë më të mprehta që kërkojnë edhe konsensusin e opozitës.

Kështu nuk mund të flitet për një ekonomi të zhvilluar në vendin tonë nëse nuk përmirësohet zbatueshmëria e ligjit në vendin tonë gjë që kërkon reformim të sistemit të drejtësisë, zgjidhjen njëherë e mirë të problemit të pronës, përmirësimin e bazës ligjore për sa i përket veprimtarive ekonomike. Në këtë aspekt vota e opozitës, cilado që ajo do të jetë, ëshët e domosdoshme për të mundësuar kësilloj reformash legjislative që kërkojnë shumicë të cilësuar. Për mos të folur pastaj që edhe ndryshimet ligjore nuk mund të kenë impakt të menjëhershëm nëse nuk përmirësohet ndjeshëm administrate përkatëse dhe rritja e efikasitetit dhe profesionalizmit të administratës në vetëvete është një process i gjatë dhe i mundimshëm.

Një pjesë dërrmuese e problemeve ekonomike të sotshme që hasin shqiptarët nuk vijnë vetëm nga përgjegjësia politike e qeverisë apo dobësia e institucioneve shtetërore por edhe nga kriza globale dhe rrethanat në të cilat gjenden tregjet ndërkombëtare. Po ashtu sjellja e gabuar konsumatore dhe mungesa e kapaciteteve sipërmarrëse janë po aq të dëmshme për sa i përket gjendjes ekonomike dhe këto të fundit duan shumë kohë që të ndreqen. Prandaj do të nevojiteshin premtime ekonomike të realizueshme te mbështetura në një njohje të mirë të realitetit dhe potencialit tonë dhe në plane veprime e hapa konkretë që janë me të vërtetë të zbatueshëm.

Është e pandershme që publikut shqiptar t'i premtohen qiqra në hell.
Premtimet më ekstravagante janë ato që premtojnë bashkimin e menjëhershëm territorial të copëve të ndryshme të kombit, të cilat jo vetëm që tallen me ndjenjat patriotike dhe ushqejnë me iluzione shumë qytetarë që e kanë ëndërruar një Shqipëri etnike në territoret e asaj të shpallur prej Ismail Qemalit, por edhe na vë në pozitë të vështirë me aleatët tanë ndërkombëtarë. Kur dihet që parti të mëdha si PD apo PS nuk mund të realizojë dot pa konsensus një reformë apo një ligj në parlament, si mund të pritet që një parti e sapokrijuar të marrë aq shumë mbështetje sa të rrëzojë elitën aktuale politike shqiptare dhe të përmbysë një konjukturë të tërë ndërkombëtare për sa i përket coptimit të trojeve etnike shqiptare. Në raste të tilla propozimet politike për një bashkim tak-fak Shqipëri-Kosovë tregojnë se disa demagogë janë me të vërtetë duke fluturar me presh airlines dhe retorika populiste po kalon kufijtë e fantashkencës.


Pavarsisht se kush do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme, ajo që dihet është se vendi vuan nga probleme aq të thella sa në mënyrë të pashmangshme nevojitet bashkëpunimi i rivalëve politikë për të mundësuar ato reforma e ndryshime që mund të adresojnë këto probleme. Është e pandershme që t'u thuhet votuesve se duke ngjeshur radhët në llogore, duke luftuar dhëmbë për dhëmbë me kundërshtarin dhe duke vazhduar me klimën e konfliktimit, bllokimit dhe revanshit do të jetë e mundur që Shqipëria të ecë përpara.

Edhe po të ketë rotacion, mazhorancës së re do t'i duhen dendur votat e opozitës së ardhshme për të sjellë ato reforma thelbësore që do ia çlirojnë potencialin e zhvillimit vendit tonë. Pa një klimë bashkëpunimi dhe përfshirjen e shumë aktorëve nuk do të mund të votohet integrimi apo reformat të tjera që lidhen me drejtësinë, administratën, aspiratën kombëtare shqiptare dhe një radhë të gjerë sfidash që ne kemi për të ardhmen. Sot nevojitet prej partive politike që të qëndrohet me këmbë mbi tokë me premtimet dhe të mendohet seriozisht për platforma zgjedhore të vërteta e të realizueshme.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Sqhiptarja.com(print), 1 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)