TIRANË - Përmbytjet e një dite më parë në vend, të cilat prekën edhe Tiranën, kanë ngjallur polemika edhe brenda qeverisë. Kreu i Shtabit të Emergjencave Civile Shemsi Prençi hedh akuza ndaj inxhinierëve projektues të autostradës Tiranë-Durrës se kanë përmirësuar anën estetike duke vendosur drita dhe palma, por nga ana tjetër nuk kanë menduar për funksionalitetin e saj duke ngushtuar kanalet kulluese të ujit. I ftuar në studion e Report Tv, Prençi kërkoi ndjekje penale për inxhinierët që kanë bërë projetin e rrugës duke i lënë kanalet kaq të cekëta.
"Nuk jam me profesion inxhinier por dua të them që niveli i kanalait në të dyja anët e autostradës është ngushtuar dhe është cektuar, nuk është studiuar mirë nivelii prurjeve. Në një projekt shtetëror ku merren mijëra euro nuk duhet të pyetet drejtori i Emergjencave, ai mund të pyetej më parë.Segmenti nga ura e Kasharit deri te kthesa e Kamzës është rikonstruktuar por nuk është ruajtur thellësia e kanaleve kulluese e cila duhet të ishte ruajtur patjetër. Ky kanal si mund të bëhet më i cekët? Duhet të ishte bërë më i thellë, të lidhej më Lanë. Është gabim inxhinierik. Për mua inxhinerët duhet të pyeten, të merren në pyetje nga prokuroria, madje duhet të hetohen sepse ne nuk kemi nevojë për rrugë të bukura por për rrugë funksionale", - tha kreu i Shtabit të Emergjencave Civile.
Gjatë së dielës autostrada u mbulua nga uji e po ashtu një pjesë e gjatësisë së palmave në anë të autostradës u zhytën në ujë, por fatmirësisht asnjë prej tyre nuk u rrëzua.