Preng Lëkunda "Plaku i maleve”
që nuk njohu kurrë plakjen...

Preng Lëkunda që nuk njohu kurrë plakjen...">
Preng Lëkunda, Artist i Merituar, ishte një talent i lindur. Në jetën e tij nuk pati asgjë që t’ia ushqente këtë talent, që të nxiste sadopak shpirtin e tij prej artisti. “Fuqia e tij krijuese shfaqej dhe pasqyrohej në bukurinë e gjestit, në hirësinë e trupit dhe në magjinë e zërit të tij të kthjellët. Fytyra e tij shprehte lakminë e njeriut të kënaqur, pamjen e shenjtorit të përvuajtur, por edhe egërsinë e ftohtë të njeriut të varfër e të mallëngjyer, të dëshpëruar nga jeta”.

(1) U rrit jetim me një fëmijëri pa buzëqeshje. Aq sa “Ai (Preng Lëkunda,- nënvizimi im, Xh.B.) sillej fshehurazi kasolles së vet për një kafshatë bukë e për pak ngrohtësi. Ai flinte në çadrat e ciganëve, e kur ata dyndeshin: ai kërkonte ndonjë strehë tek familjet fshatare, si p.sh. te Prenda e Kolec Markut, një grua e nderuar në atë fshat që e mbajti shumë afër Prengën, e si ajo dhe shumë familje të tjera, por prapë ai mbeti endacak”.(2)

E, pra Prengën ku e zinte një natë s’e zinte nata tjetër. E. ndoshta ishin këto ec-e-jake, kjo jetë e vështirë e plot mundime, që e rritën Prengën, e poqën para kohe, i pasuruan shpirtin, e bënë aq të ndjeshëm, e bënë artist. Apo lindi i tillë? Sidoqoftë, a pse lindi, apo jeta e bëri, Prenga është një talent i madh i skenës shqiptare. Është një aktor shumëplanësh, i cili shpërthen furishëm e të rrëmben, por edhe herë shfaqet si plak i urtë e të imponohet. Gjithsesi, falë talentit të tij të lindur, çdo figurë e interpretuar prej tij, është gdhendur me mjeshtri të lartë duke lënë gjurmë të thella në historikun e aktrimit shqiptar. Por… “… në jetën shoqërore gjithmonë fshihte diçka. U mbyll përfundimisht në vetvete. Ai kishte një dramë më vete. Të krijonte gjithmonë një pikëpyetje. Kush ishte Prenga? S’ia njohëm kurrë gruan dhe fëmijët. Ishte vdekja e tij e parakohshme që zbuloi bashkë me sekretin edhe varfërinë e tij”.(3)
 
“Rasti e solli,-kujton aktori Bep Shiroka, Artist i merituar, - që të  njihem edhe me Preng Lëkundën, kur u kthye në Shkodër, nga teatri i ushtrisë. Fillimisht erdhi si regjisor në Shtëpinë e Kulturës. Më vonë kaloi aktor në teatrin profesionist të qytetit. Duke parë aktivitetin e tij artistik, them me bindje se Preng Lëkunda ishte një aktor me përmasa kombëtare. Skena teatrore e ka ndjerë peshën e tij. Çfarë dua të them me këtë? Sapo hynte në skenë Preng Lëkunda, salla e mbushur me spektatorë pushonte zhurmat, bisedat e kollitjet. Ai ishte në gjendje, ashtu në heshtje, falë prezencës së tij, të  krijonte qetësi në sallë. Të imponohej. Kjo është një aftësi e rrallë, që duhet ta ketë çdo aktor. Por kjo “unë”, si i thonë një fjale nuk blihet, por është me të lindur. E them këtë, për të ilustruar një rol të tijin, veçuar nga shumë role të bukura që krijoi në skenën e teatrit “Migjeni”. Është fjala për figurën e Vatës në dramën “Toka jonë” të Kolë Jakovës.

Dua t’ju kujtoj se kjo shfaqje është ndër më të mirat e fondit të artë të teatrit “Migjeni”. Në të kanë marrë pjesë aktorë me diapazon të gjerë, si Zef Jubani, Vitore Nino, Antoneta Fishta (këto dy aktore në mënyrë të alternuar interpretuan figurën e Lokes), Tinka Kurti, Ndrekë Prela, Preng Lëkunda, Ndoc Sheldia, Lec Bushati, etj, e që krijuan një galeri rolesh të spikatura e të paharruara. Por roli i Vatës i interpretuar nga Preng Lëkunda, mund të them me bindje të plotë se, ka qenë Vata më i mirë që është luajtur në skenën e teatrit “Migjeni”, por edhe në atë kombëtar. Pra, është më i miri Vatë, më i realizuari. Ndoshta nga që luante vetveten, se… “… as dinim nga vinte dhe as kush ishte, një tip i tërhequr, që edhe cigare as të jepte dhe as të merrte. Kaloi pak kohë dhe ky tip i heshtur e i ndrojtur e gjeti veten te roli i Vatës së Luc Talit në dramën “Toka jonë” të Kolë Jakovës. Figura e tij krijoi një jehonë të madhe në shtyp”.(4)

     Kur flas për këtë figurë artistike,- vazhdon të kujtojë e të tregojë, aktori Bep Shiroka,- flas edhe për veten time. Sepse edhe unë, disa vite më vonë, kam luajtur Vatën. E fuqia e interpretimit të Lëkundës-Vatë, nuk më ka lënë krejt të qetë, për ta realizuar ashtu siç kam dashur unë. Ndoshta rolin tim e kam realizuar aty-këtu ashtu siç ka dashur Preng Lëkunda, sepse kaq i fuqishëm ka qenë interpretimi i tij, sa unë dashur pa dashur s’kisha hall pa rënë diku te “Vata” i Preng Lëkundës. Në atë rol, figura vlonte nga dëshira për post, për pushkë, për atë copë hekur që e mbante në krah. Jo vetëm kaq, por kishte të gërshetuar edhe kënaqësinë që të jepte ky post, për të qenë i parë me tipare të dallkautllëkut, kapadaillëkut dhe të mos sinqeritetit, të atij njeriu që në çdo rast fsheh diçka, që në skutat e shpirtit të tij fshihet e shëtit pabesia. Kjo është dhe arsyeja që Tuçi me dinakërinë e zgjuarsinë e tij e pikasi këtë “pikë të dobët” të Vatës. Dhe Vata nuk hezitoi dhe u motivua bindshëm që të bëhej vegla qorre e Tuçit. Vegla-Vatë, që përveç tipareve që përmenda më sipër, manifestonte edhe një dëshirë të babëzitur. Pra, Vata nuk kishte rrugë tjetër përveçse atij të krimit. Kështu e paraqiti e kështu e interpretoi Vatën aktori i talentuar Preng Lëkunda.

     Tek kujtoj figurën e Vatës, dua të bëj një analogji me atë të Gjetës (po të interpretuar nga Prenga) te drama “Cuca e Maleve”, që e vuri në skenë regjisori i talentuar Mihallaq Luarasi. E bëj këtë analogji në drejtim të partneritetit. Te “Toka jonë”, Preng Lëkunda-Vatë kishte përballë Zef Jubanin-Tuç. Ndonëse Zefi e “mposhte” Vatën (në planin e zgjidhjes së konfliktit të një linje), ky i fundit ishte i mrekullueshëm. Ndërsa te “Cuca e Maleve”, Gjeta (Preng Lëkunda) kishte përballë hetuesin (interpretonte aktori Rikard Ljarja. Për aktorin Ljarja ishte roli i parë në teatër. Natyrisht i mungonte edhe eksperienca artistike.) Preng Lëkunda (Gjetë Lleshi) që në paraqitjen e parë, që në dialogun e parë “e mbyste” këtë hetues që dukej pa gjak, anemik dhe i varfër. Dilte, pra, Gjeta i fuqishëm. Me sa kujtoj, që, edhe në këtë linjë u përqendrua edhe kritika më e madhe. Më vonë u kap edhe një herë në dorë drama për të “zbutur” figurën e Gjetës e për të forcuar atë të hetuesit. Por… nuk ishte defekti i të shkruarit të dramës, por ishte “defekt” i fuqisë artistike të partneritetit.

     Prenga interpretoi dhe Plakun e Maleve, personazh i dramës me të njëjtin titull, shkruar nga Zef Pali e Ton Shoshi. Po them një gjë, ndoshta në pamjen e parë është diçka e zakonshme dhe e njohur, por është e vërtetë, qysh në leximet e para u vizatua figura e Bajram Currit nga Preng Lëkunda dhe e bëri për vete. Ishte e veçanta e tij, që rolin ta kapte shpejt, që në seancat e para të provave. E kapte rolin edhe më pas e mbushte me detaje artistike të nevojshme derisa plotësohej figura. Dhe ishte një figurë kaq bindëse, sepse iu afrua shumë edhe në portret, edhe gjeti ca lëvizje të avashta, qëndrime të fuqishme artistike, do të thosha të “rënda”. E gjitha kjo, së bashku me interpretimin, bëri që kjo figurë të realizohej me sukses,… “duke na dhënë një Bajram-udhëheqës, të papërkulur, të palodhur, taman një ‘tribun të vegjëlisë” siç thotë Noli në elegjinë e tij”.(5)
     Në këtë dramë unë kam luajtur rolin e rojes, të Shpendit, që ndjek hap pas hapi Plakun e Maleve. Krahas si partner, unë jam edhe një “dëshmitar i heshtur” i të gjitha lëvizjeve të tij, për të na dhënë në finale këtë figurë të paharruar.

     Prengën e kam ndjekur në të gjitha shfaqjet e “Plakut…”. Harxhonte shumë energji për atë rol, natyrisht se ishte rol i vështirë. Por e them me plot gojën, se kudo ku u shfaq e kurdo që u shfaq, Preng Lëkunda ishte serioz. Nuk bënte lëshim apo kompromis me vetveten. Kishte një raport të ndërtuar drejtë: asnjë lëvizje të tepruar e asnjë mangut, apo, për ta anashkaluar. E kjo ishte loja e tij e përgjegjshme, e aktorit kryesor, interpretimi i të cilit i dha jetëgjatësinë kësaj drame. Gjithnjë në analizën interpretative të aktorit Lëkunda në realizimin e figurës së Bajram Currit, thuhet: “Me sa pastërti, ngrohtësi e sinqeritet e interpreton heroin aktori Prengë Lëkunda! ... Tek aktori gjejmë thjeshtësi dhe thellësi mendimi. Ai u tregua më tepër aktor i mendimit se sa i gjesteve dhe pozave të jashtme burrërore.(6)

     Një meritë të veçantë në vlerat kualitative të rolit të Bajram Currit interpretuar nga Preng Lëkunda, ka regjisori i talentuar Esat Oktrova. Një pjesë e jetës së tij regjisoriale lidhet edhe me teatrin e Shkodrës, i cili “… u bë natyrshëm, i vërtetë, merita kryesore natyrisht ishte e Esatit. Kështu vazhduan shfaqjet e Esatit deri sa arriti te “Plaku i Maleve”, një vepër që pati sukses, shumë sukses në kohën e vet dhe roli kryesor i ishte besuar Preng Lëkundës, një nga majat e teatrit shkodran që deri në atë kohë luante role të kategorisë së dytë, veç roleve negative, të vogla. Kur Esati i besoi Bacën atij, asnjë nuk e besonte se ai mund ta bënte atë rol. Mirëpo syri i regjisorit të madh ka ditur të zbulojë e t’i jepte këtij aktori pikërisht rolin e Bajram Currit dhe Bajram Curri i Lëkundës, u bë mbi të gjitha një shembull se si mund të vihen në skenë këto pjesë historike”.(7)
     Dhe ky dialog artistik Bajram Curri-Preng Lëkunda ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e Artistes së madhe Tinka Kurti. Ajo do të shprehej: “Esat Oktrova, regjisor i sapo kthyer nga Rusia (Bashkimi Sovjetik, nënvizimi im, Xh.B.) i besoi atij (Preng Lëkundës,- përsëri nënvizimi im, Xh.B.) rolin e Bajram Currit në dramën “Plaku i Maleve”, një dramë me shumë personazhe, me shumë tablo. Një angazhim i guximshëm i regjisorit për të vënë në skenë këtë vepër, që ringjallte Bajram Currin. Dhe… nuk më harrohet nata e provës gjenerale, siç i thoshnim atëhere…
     …
     Papritmas sallën e përshkoi një kujë e fuqishme kur në skenë u prezantua Preng Lëkunda. Ishte mjeshtëria e këtij aktori që solli në skenë të gjallë Bajram Currin dhe, që bëri që edhe e shoqja  e tij të mos e mbante veten. Ishte merita e regjisorit, që gjeti Bajramin, por vetë Bajrami tregoi kush ishte Preng Lëkunda, tregoi potencialin e vet si aktor. Ai u bë i papërsëritshëm në rolet tona kombëtare”. (8)
     Me Prengën si partner,- vazhdon kujtimet e tij, aktori Bep Shiroka,- kemi interpretuar në pjesët: “Toka jonë”, “Kunora e Nurijes”, “Plaku i Maleve”, “Fisheku në pajë”, “Shqiponjat”, etj. Në të gjitha këto pjesë e në të tjera, në rolet e mëdha apo në role të vogla, ishte serioz (siç e thashë pak më parë, por më pëlqen ta përsëris) deri në fund të punës së tij. Por këtij seriozi të madh në punë, i pëlqente humori dhe ishte simpatik në shoqëri.
     Tani dua të kujtoj edhe diçka të dhimbshme, - vazhdoi më tej bisedën Bepi. Shfaqjen e fundit e kam dhënë me Prengën në Hidrocentralin e Vaut të Dejësit. Ishte drama “Fisheku në pajë” i shkrimtarit Fadil Kraja.

     Unë dhe Prenga dolëm të fundit nga skena. Bënte ftohtë. Po zhvishesha, kur më thotë: “Bep, nuk jam mirë! Të lutem bëj përpjekje me e ndalë autobusin. Sa të vij dhe unë”. (Të tjerët kishin kaluar). 
     Ashtu siç vrapova, ashtu edhe u ktheva. I them: “Preng, autobusi ka ikur. Po interesohem se mos të gjej ndonjë makinë rasti”. “Më thotë: “Bep, mos u shqetëso! Nuk mund të vij. Sonte jam pa qejf. Gjendja sikur më është rënduar. Po fle te një shoku im këtu, te poeti Fejzi Gushta. Kam shpresë se kjo gjendje do të më kalojë shpejt”.
     Ashtu e lamë. Unë shkova me një makinë rasti që gjeta papritur, pa e ditur dhe as që më shkonte në mend, se ky do të ishte takimi i fundit.
 
     Të nesërmen dola në teatër. Rrugës pashë se po hiqej reklama e shfaqjes që do të jepej në mbrëmje në qytet. Pyes punëtorin: “Pse po e heq?!” Ai m’u përgjigj: “Po e heq se Preng Lëkunda është sëmurë rëndë. E kanë sjellë urgjentisht nga Vaudejësi”.
     U shqetësova. Sapo mbërritëm në teatër, ra zilja e telefonit. Zëri më lajmëronte tërë dhimbje e trishtim: “Preng Lëkunda vdiq!” U trondita. Dhe menjëherë mendova se, vdiq shumë herët, kur fëmijët e familja kishin shumë nevojë për të. Vdiq herët, se do të bënte punë edhe më të bukura në teatër. Vdiq herët, se, sapo filloi të luante rolet e para në kinematografi, gjë që premtonte shumë për Preng Lëkundën si artist. Eh, kujtimet për Prengën nuk reshtin e nuk do të reshtin kurrë..!
Një natë më parë luajta me të, dhe po në atë orar një ditë më pas, do të shkoja ta merrja… kësaj here nga morgu i spitalit. Nuk mund ta shpreh peshën e dhimbjes e peshën e lotit. Edhe dhimbja, edhe loti më plakën! Ç’të them!?.. Skena njohu boshllëk të pazëvendsueshëm, por e fiksoi në kujtesë për të mos e harruar kurrë: Plakun e Maleve, që nuk njeh plakje”.
 
*Aktori Preng Lëkunda pati 20 vjet (1948 – 1968) jetë artistike. Interpretoi mbi 50 role në skenë teatrore dhe film. Një artist që tërë shpirtin krijues, forcën dhe ndjenjat e tij i vinte në shërbim e funksion të rolit, veprës dramatike a filmike që luante. Aktori Lëkunda hynte në botën e personazheve me forcë të brendshme transformuese, ku çdo gjest a lëvizje, çdo shikim a pauzë e shkurtër përçonte te spektatori një ide, një mendim, si dhe një synim të qartë artistik.
“Kam ardhur në teatrin “Migjeni”, një vit pas Prengës, - kujton aktori Bep Shiroka. – Prej tij kam mësuar shumë, se Prenga ishte njeri krijues, aktor i formuar, që nuk priste shumë nga regjisorët. Kishte shpirt artisti, krijuesi dhe poeti. Kjo besoj se, lidhet dhe me krahinën nga vinte, Mirditën, që është një truall, ku është shkrirë organikisht poezia me tokën dhe me njerëzit e zgjuar që bartin mbi vete historinë, kulturën dhe doket e veta të veçanta nga krahinat e tjera të vendit. Nuk e preferonte lojën aktoreske që i sillte kënaqësi vetëm aktorit, ai bënte gjithcka që kënaqësinë ta ndjente e ta përjetonte spektatori, i cili e ndoqi dhe e duartrokiti gjatë gjithë karrierës së tij artistike”.
“Tek artisti Preng lëkunda, vërtetësia jetësore  ngjeshej fort me vërtetësinë artistike, - kujton gjithashtu regjisori Lec Shllaku. – Çdo rol që i jepja Prengës e “qante” atë. Kjo pasqyrohet qartë tek loja plot shkathtësi, intituitë e vërtetësi në rolet që interpretoi.”

“Forca interpretuesee aktorit Preng Lëkunda shprehej veçanërisht në zërin e tij magjik. Ai e vlerësonte artin e të folurit skenik si një nga elelemtët thelbësore të mjeshtërisë së aktorit. Duke punuar me fjalën, Prenga bënte që në çdo fjalë të shqiptuar të ndjeheshin jo përfytyrime të shkurtëra, por jeta e vërtetë, e plotë dhe e gjallë. Me forcën e fjalës, me interpretimin e saj të bindte me imazhet, me ndjenjat dhe veprimet e matura në skenë, të cilat shpesh e bënin aktorin të paarritshëm”, - kujton aktori dhe regjisori Elez Kadria, i cili ka punuar më se katër vjet me Prengën në teatrin “Migjeni” 


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në SHBA, vriten me armë zjarri brenda shtëpisë çifti i shqiptarëve

E rëndë në SHBA, vriten me armë zjarri brenda shtëpisë çifti i shqiptarëve