Një prej emrave të përfolur si kandidat për president të Republikës së Kosovës, Murat Jashari, është shprehur qartë se nuk ka ambicie për këtë pozicion dhe as për t’u përfshirë në politikë.

Komentet Jashari i bëri gjatë një interviste për një media në Kosovë, pas deklaratave të ditëve të fundit, se po shihet një figurë nga familja Jashari si një opsion për President të Kosovës, një deklaratë e përsëritur edhe sot nga zv.kryeministri Glauk Konjufca.

Po ashtu, Murat Jashari ka thënë se nuk ka të drejtë as morale e as profesionale që ta përdor emrin e familjes Jashari për kalkulime politike apo për poste publike.

“Më shumë se gjithçka, për mua si Murat, është emri i familjes Jashari, është barrë e madhe mbi supe. S’kam të drejtë as morale e as profesionale që ta fusë emrin e familjes Jashari në kalukime politike apo për poste publike.

Emri im sa i përket kësaj çështje, çdo herë është përmendur, sa herë ka ardhur çështja e Presidentit, emri im është përmend. Ua kam sqaruar protagonistëve që s’kam ambicie politike, pra gjeni një emër tjetër.

I kam bërë të qarta arsyet pse nuk e bëj. Familja Jashari u takon të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë janë tanët”, ka thënë mes të tjerash Murat Jashari.