Më 30 prill të vitit 1991, Ramiz Alia u zgjodh President i Shqipërisë, post që në të vërtetë e kishte mbajtur si vazhdimësi të rolit të tij si udhëheqës i partisë-shtet, PPSH-së. Në seancën parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 31 marsit, ai u propozua nga ish-anëtari i Byrosë Politike, Xhelil Gjoni, i cili në emër të 30 deputetëve paraqiti kandidaturën e Ramiz Alisë për president. Natyrisht, presidenti u votua me shumicën parlamentare të PPSH-së, e cila kishte fituar zgjedhjet e 31 marsit të atij viti.
Alia e udhëhoqi vendin mes protestash dhe trazirash të shumta për rreth një vit, deri më 22 mars 1992, kur zgjedhjet e parakohshme sollën mazhorancën e Partisë Demokratike. Më 4 prill 1992, Alia dha dorëheqjen, përmes këtij teksti drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.
Letra e dorëheqjes së Ramiz Alisë
Të nderuar deputetë,
Zgjedhjet e 22 marsit sollën një ndryshim rrënjësor në përbërjen politike të Kuvendit Popullor. Uroj që ky ndryshim të rezultojë sa më i favorshëm për zhvillimin demokratik dhe përparimin e gjithanshëm të Shqipërisë. E kam pranuar detyrën e Kryetarit të Shtetit në emër të së mirës së atdheut, në emër të unitetit të popullit, në emër të progresit politik dhe të konsolidimit të demokracisë. Janë të njëjtat arsye dhe obligime që sot më shtyjnë t’i kërkoj Kuvendit të ri Popullor pranimin e dorëheqjes sime nga ky funksion, duke shpresuar se Parlamenti do t’ia besojë këtë detyrë një personaliteti të ri që është në gjendje ta çojë vendin drejt objektivave që synohen nga shumica e popullit.
Me respekt,
Ramiz Alia
Tiranë, 4.04.1992
Në seancën ku u miratua dorëheqja e Ramiz Alisë, u zgjodh President i Republikës Sali Berisha, për ta mbajtur këtë post për pesë vite, deri në korrik të vitit 1997. Berisha u rizgjodh president po atë vit, në shkurt të vitit 1997, në një situatë kaotike, kur vendi ishte përfshirë nga revolta e shkaktuar prej firmave piramidale. Ky fenomen solli revoltën e qytetarëve shqiptarë që kishin humbur paratë në firmat rentiere dhe çoi më pas në rënien e institucioneve, hapjen e depove të armëve dhe, për pasojë, rreth 3 mijë viktima në të gjithë territorin e vendit.
Rizgjedhja e Berishës si president në këto kushte krijoi një reagim mjaft të ashpër te protestuesit në mbarë vendin. Ai mori 113 vota të një parlamenti të dalë nga zgjedhjet e manipuluara të 26 majit të një viti më parë. Situata politike vijoi të ashpërsohej deri në momentin kur u vendos data e zgjedhjeve të parakohshme, më 28 qershor 1997. Këto zgjedhje i fitoi me mazhorancë të cilësuar Partia Socialiste dhe aleatët e saj, rezultat që solli edhe dorëheqjen e Sali Berishës nga posti i kreut të shtetit.
Deklarata e dorëheqjes së Sali Berishës
24 korrik 1997
Për 5 vite me radhë, me votën e lirë të zgjedhësve shqiptarë, kam drejtuar shtetin. Në këto 5 vite kam mbrojtur dhe zhvilluar së bashku me shumicën e shqiptarëve alternativën e Partisë Demokratike, e cila bazohej në vlerat, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, dinjitetin njerëzor, fjalën e lirë, besimin dhe lëvizjen e lirë, pronën, tregun dhe vlerat e tij, integrimin dinjitoz të Shqipërisë në Evropë dhe në institucionet euroatlantike si një vend sovran dhe i pavarur, si dhe mbrojtjen e palëkundur të lirive dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve kudo në botë.
Kriza financiare e fajdeve, fenomen padyshim negativ i qeverisjes, u shfrytëzua si pretekst nga antikomunistët shqiptarë dhe mbështetësit e tyre për të organizuar rebelimin e armatosur komunist, rezultatet e të cilit ishin rikthimi në pushtet i nomenklaturës së fundit komuniste në Shqipëri dhe rënia e Partisë Demokratike në minorancë.
Kohët që vijnë shpresoj t’u japin mundësi shqiptarëve të rivlerësojnë edhe një herë me gjakftohtësi pesë vitet e demokracisë dhe pesë muajt e rebelimit. Ndonëse jam zgjedhur nga një parlament i dalë nga zgjedhje shumë herë më të lira dhe më të ndershme se sa ky që po mblidhet sot, kam qenë dhe mbetem i palëkundur në vendimin tim për të përfillur minorancën e Partisë Demokratike përpara bashkëqeverisjes me mazhorancën.
Prandaj deklaroj dorëheqjen e parevokueshme nga posti i Kryetarit të Shtetit, për të vazhduar jetën time politike parlamentare në mbështetje të vlerave dhe alternativës që unë besoj: alternativës së demokracisë së bazuar në vlerat e tregut, integrimin e Shqipërisë në Evropë dhe institucionet euroatlantike dhe zgjidhjen e drejtë të çështjes sonë kombëtare.
Në seancën e 24 korrikut, Kuvendi pranoi dorëheqjen e Berishës pa debate dhe pa e hedhur në votim. Po atë ditë, Komisioni i Mandateve dhe Imunitetit miratoi mandatin e tij si deputet, me arsyetimin se, në momentin e konstituimit të Kuvendit Popullor dhe të mbledhjes së komisionit, ai kishte paraqitur dorëheqjen nga funksioni i Presidentit të Republikës.
Pak ditë më pas, Berisha u betua si deputet dhe vijoi drejtimin e Partisë Demokratike deri më sot. Për tetë vite në opozitë, PD kaloi kriza të njëpasnjëshme, për t’u rikthyer në pushtet në vitin 2005. Pas tetë vitesh qeverisje, Berisha dha dorëheqjen pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2013, por nuk u largua nga politika dhe as nga ndikimi në drejtimin e partisë.
Berisha u rikthye zyrtarisht në krye të Partisë Demokratike në vitin 2022, pas krizave të thella që solli përjashtimi i tij nga grupi parlamentar si pasojë e shpalljes “non grata” nga SHBA. Prej 13 vitesh, Partia Demokratike ka pësuar shtatë humbje në beteja elektorale, ndërsa lidershipi i saj nuk ka ndryshuar/ Tema
Komente









