Çelja e negociatave për Shqipërinë, Biden: BE po ndërmerr hapa për integrimin e Ballkanit Perëndimor! Mbështesim aspiratën për Evropën e plotë

"SHBA mirëpret hapat që BE po ndërmerr për integrimin e Ballkanit Perëndimor duke hapur bisedimet e pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut". Ky ishte reagimi i Joe Biden, presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ka përshëndetur çeljen e negociatave pas mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare që u mbajt këtë të martë (19 korrik) në Bruksel.

Biden nuk lë pa përmendur luftën në Ukrainë duke thënë se Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, por është e rëndësishme që të ketë mbështetje për një Evropë të plotë e të lirë. Ndër të tjera thekson se hapat që BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë ditët e fundit duhet të frymëzojnë të gjithë aspirantët e BE-së në rajon për të rritur angazhimin e tyre për forcimin e demokracive të tyre

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin hapat e rëndësishëm që Bashkimi Evropian po ndërmerr për të çuar përpara integrimin e Ballkanit Perëndimor në komunitetin euroatlantik duke hapur bisedimet e pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një moment kur Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim aspiratën për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe.

Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i begatë mbetet thelbësor për këtë vizion. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një partner i fortë dhe i besueshëm ndërsa ato vende punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit. Hapat që BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë ditët e fundit duhet të frymëzojnë të gjithë aspirantët e BE-së në rajon për të rritur angazhimin e tyre për forcimin e demokracive të tyre”, shkruan Biden.

Me duartrokitje u përcoll momenti historik i çeljes së negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian pas pritjes disa vjeçare. kryeministri Rama tha se tashmë bëhet fjalë për një rrugëtim për jetë a vdekje në në vrapin e fundit drejt anëtarësimit të plotë. Eurokomisioneri Varhelyi dhe Borell vlerësuan përpjekjet e qeverisë dhe thanë se tashmë duhet konsensus politik për të ecur më tej. 

Në konferencën e parë ndërqeveritare me vendet anëtare, mbajtur në Bruksel, kryeministri Edi Rama tha se Bashkimi Evropian është fati i shqiptarëve, teksa këtë moment, e cilësoi fillimin për transformimin e vendit.  Hapjen e negociatave e quan tërësisht të merituar, e për ta vërtetuar këtë, bëri një paralelizëm mes drejtësisë së vjetër e asaj të re. Komisioneri për Politikën e jashtme në Bashkimin Evropian, Joseph Borrel tha se me Shqipërinë, Europa do të plotësojë vetveten.

Vendimi për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, u mor ditën e shtunë, pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez, duke zgjidhur kështu ngërçin me Bullgarinë. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut prej kohësh, kishin mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që bllokuan integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian si dhe të Shqipërisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:33
Çelja e negociatave, Kim: Hap historik, SHBA do të mbështesë Shqipërinë për reformën në drejtësi

1656445883_80006165271ab78f5.jpg

Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim ka reaguar për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE. Teksa ka shpërndarë mesazhin e presidentit të SHBA-së Joe Biden, Kim shkruan se ky është një hap historik. Ambasadorja thotë se SHBA do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë për reformën në drejtësi si edhe në hapat e e tjerë të nevojshëm për anëtarësimin e plotë në BE.

“Urime Shqipërisë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare të sotme, hap historik, i shumëpritur drejt anëtarësimit të plotë në familjen e Bashkimit Europian. SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm përpjekjet tuaja për reformën në drejtësi dhe hapat e tjerë të nevojshëm për anëtarësim. Përpara”, shkruan Kim.

/SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë