Teksa opozita ka marrë dakordësinë për të propozuar emrat e kandidatëve për president në raundin e dytë dhe të tretë, Grupi parlamentar “Aleanca për Ndryshim” do të propozojë në diskutimet mes grupeve opozitare emrin e Dashamir Shehit si kandidat për president.

Fatmir Mediu dhe Agron Duka e konfirmojnë këtë propozim për Report Tv, të cilët thonë se do t’ia vendosin nesër në tryezë Enkelejd Alibeajt me të cilin pritet të ulen për të dakordësuar emrat që do t’i çojnë kuvendit për votim të hënën.

Ditën e sotme palët arritën dakordësinë, ku ranë dakord që të opozita të japë emër për president në 2 raundet e ardhshme, ndërsa nëse do jetë e nevojshme do të ketë të drejtë edhe PS të japë emra në raund të katërt dhe të pestë.

Tashmë opozitës do t’i duhet të ulet brenda vetvetes dhe të shprehë brenda ditës së diel kandidaturat për emrin e kreut të shtetit. Dakordësia e arritur sot është kundërshtuar nga Komisioni i Rithemelimti të Berishës. Luçiano Boçi, i cili sipas 'Rithemelimit' është mandatuar për negociatat për presidentin me opozitën, i konsideron false bisedimet mes Partisë Socialiste dhe Enkelejd Alibeajt. Sipas tij Balla dhe Alibeaj procesi është një tallje.

Për herë të parë sot u zhvilluan negociata mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, për emrin e ri të presidentit të vendit. Negociatat, me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, u zhvilluan në prani të kamerave. Palët e 4 grupeve parlamentare u mbledhën Kryesinë e Kuvendit. 

Raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit do të jetë në datë 23 maj ora 18:00. Vendimi u mor në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve, ku nuk munguar akuzat dhe kundër akuzat mes palëve. Raundi i parë dështoi pa asnjë emër konkret për presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Ndonëse nuk kishte asnjë kandidat për t’u votuar, sipas Kushtetutës së Shqipërisë ky quhet si një raund votimi i ezauruar për t’ia lënë vendin katër raundeve të tjera.