Presidenti Meta dekreton ligjin e rëndësishëm për reformën në drejtësi

TIRANE - Dekretohet ligji për “Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Zëdhënësi i presidencës Tedi Blushi, deklaroi sot se këto ndryshime duhet të ishin miratuar prej kohësh nga Kuvendi i Shqipërisë. Gjithashtu Blushi ka kërkuar mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes dhe mirëfunksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

Presidenti i Republikës ka dekretuar gjithashtu 3 ligje të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë. Bëhet fjalë për ligjin për “Mbrojtjen Civile”, për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për taksat kombëtare të ndryshuara, dhe ligjin për Asistencën Sociale. Nga korriku i vitti 2017 kur Ilir Meta mori detyrën si president ka marrë në shqyrtim 193 ligje, nga të cilat ka dekretuar me miratim 156 ligje, ka kthyer në Kuvend 14 të tillë dhe ka vendosur të lërë në heshtje 16 ligje.

Deklarata e zëdhënësit Tedi Blushi

Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në ushtrim të kompetencave të Tij, në mbështetje të nenit 84 dhe 93 të Kushtetutës, me Dekretin nr. 11242, datë 30.07.2019, ka miratuar; “Shpalljen e ligjit nr. 47/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;

Presidenti i Republikës, që prej muajit janar-shkurt 2017, ka insistuar në vijimësi për realizimin e ndryshimeve të domosdoshme ligjore të nenit 221 të këtij ligji shumë të rëndësishëm për Reformën në Drejtësi dhe ngritjen dhe funksionimin e organeve të reja që do të bënin të mundur plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe emërimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Problematikat e zbatimit të kësaj dispozite ligjore dhe pamundësia reale e disa prej organeve të sistemit të drejtësisë për të zbatuar këtë dispozitë të ligjit (nenit 221) në mënyrën se si ato ishin parashikuar u konstatua që në janar 2017 moment ky kur u hodh shorti i parë nga Kuvendi për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Në këtë dispozitë të ligjit përcaktoheshin kushtet dhe kriteret që duhet të plotësonin  kandidatët për t’u përfshirë në shortin për tu zgjedhur anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe procedurat e përzgjedhjes së këtij organi.

Organet respektive të asaj kohe (Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së) që duhej të propozonin, apo të cilave ju është kërkuar propozimi i kandidaturave për hedhjen e shortit për zgjedhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në këto 3 vjet nuk kanë patur të gjithë mundësinë për të zbatuar nenin 221 në mënyrë të unifikuar, pasi jo të gjitha organet kishin në përbërjen e tyre, kandidatë që kishin përfunduar Shkollën e Magjistraturës, siç e kërkonte domosdoshmërisht kjo dispozitë ligjore që sot po ndryshon.

 Zbatimi rigoroz i kësaj dispozite diktonte problematikë në realizimin e shortit dhe kufizimin e numrit të kandidatëve për tu zgjedhur anëtar të KED.

Paqartësia dhe pamundësia e zbatimit praktik dhe në kohën e duhur të nenit 221, apo e dispozitave të tjera të ligjit nr. 115/2016, që u konstatuan më pas nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetuese me Vendimin nr.41, dt 16.05.2017 dhe Vendimin nr.78, datë 12.12.2017, kanë provokuar gjithmonë jo vetëm debat politik e publik, por veçanërisht kanë shkaktuar problematika thelbësore duke penguar zbatimin rigoroz të procedurave ligjore për hedhjen e shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke mundësuar bllokimin e këtij organi të rëndësishëm e për rrjedhojë duke pamundësuar plotësimin e vakancave të Gjykatës Kushtetuese dhe zgjedhjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një organ shumë përcaktues për integritetin e sistemit të drejtësisë. Ky organ është bllokuar për dy vite radhazi në mënyrë të pajustifikueshme pavarësisht nga përpjekjet sistematike të Presidentit Meta jo vetëm që prej marrjes së kësaj detyre, por dhe kur ishte Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. 

Presidenti i Republikës ka kërkuar në vijimësi përmirësimin e dispozitave të ligjit nr. 115/2016 dhe plotësimin e vakumit të krijuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë shfuqizuar disa dispozita të ligjit nr 115/2015 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Më në fund, pas 30 muajsh, Kuvendi me ligjin nr. 47/2019, miratuar në datë 18.07.2019, ka përmirësuar nenin 221 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe ka plotësuar vakumin ligjor.

Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë ka vlerësuar dhe ka realizuar ndryshimet e domosdoshme në ligjin nr. 115/2016 në një kohë shumë të vonuar, sërish Presidenti i Republikës i mirëpret ato, dhe për këto arsye me Dekretin nr.11242, datë 30.07.2019, ka vendosur shpalljen dhe miratimin e këtij ligji pa vonesë, duke shpresuar në mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes dhe mirëfunksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta në ushtrim të kompetencave të Tij, në mbështetje të nenit 84, 85 pika 1, dhe 93 të Kushtetutës, që prej marrjes së detyrës përgjatë veprimtarisë dhe vendimarrjes kushtetuese në procesin legjislativ të shqyrtimit dhe dekretimit të ligjeve, përgjatë periudhës korrik 2017 – korrik 2019:

Numri i ligjeve të paraqitura për shqyrtim dhe dekretim: 193 ligje, nga këto:

Ka Dekretuar me shpallje/miratim                                           156 ligje

Ka Dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend                  14  ligje

Ka vendosur të lerë në heshtje                                                    16 ligje

Aktualisht Presidenti i Republikës ka në shqyrtim 7 ligje  (ligjet nr.44, 48, 50, 51, 52, 53, 54)

Presidenti i Republikës në ushtrim të kompetencave kushtetuese për shqyrtimin dhe për t’u shprehur me dekret për ligjet e përcjella nga Kuvendi i Shqipërisë, ka bërë vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre ligjeve në raport me:

Parimet kushtetuese dhe dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;

Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;

Aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë ka aderuar apo ka ratifikuar;

Mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut;

Kuadrin ligjor aktual në fuqi në Republikën e Shqipërisë;

Parimet themelore të shtetit të së drejtës;

Interesin publik, mbrojtjen e pronës dhe të mirës publike, vlerave më të larta të shoqërisë dhe interesit kombëtar.

Presidenti i Republikës i garanton të gjithë se çdo ligj i miratuar nga Kuvendi, do të shqyrtohet me përgjegjësi të plotë.

Presidenti i Republikës, me veprimtarinë dhe kompetencën që i njeh Kushtetuta, nuk do të lejojë të bëhet pjesë e rendit juridik vendas, ligje që:

– Nuk respektojnë frymën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;

–  Cenojnë në mënyrë flagrante parimet kushtetuese, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut;

– Vendosin sadopak në rrezik interesin publik, apo nuk janë në harmoni me kuadrin rregullator në fuqi.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen