Presidenti, Servet Pëllumbi:
Kuorumi, me 84 vota

Presidenti, Servet Pëllumbi:<br />Kuorumi, me 84 vota
TIRANE- Ish-kryetari i Parlamentit Servet Pëllumbi shprehet qartë se në tre raundet e para për zgjedhjen e Presidentit kur kërkohet një shumicë e cilësuar prej 84 votash për të votuar, minimalisht në sallë duhet të konfirmojnë prezencën 84 deputetë.

Ndryshe për të votimi nuk mund të hapet, dhe kjo është bërë në të gjithë historinë e Kuvendit të Shqipërisë, për të gjitha ligjet që kërkojnë shumicën e cilësuar të votave, prezenca në sallë ka qënë minimnalisht sa është kjo shumicë e cilësuar që kërkohet sipas Kushtetutës. "Kushtetuta është shprehur shumë qartë në lidhje me kuorumin në rastet kur ka votim me shumicë të cilësuar prej 84 votash, vetëm nëse duan ta ngatërrojnë vetë me dashje.

Kushtetuta është e qartë në këtë pikë, dhe pa kuorum nuk ka votim. Në të gjitha rastet kur nuk plotësohet kuorumi i përcaktuar sipas votimeve, me shumicë të cilësuar apo të thjeshtë nuk mund të hapet votimi", ka qënë deklarata e djeshme e ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, për gazetën "Shqiptarja.com". Njëherësh profesori i socialistëve e ka ilustruar këtë veprim kushtetues dhe me përvojën e tij në krye të Kuvendit të Shqipërisë dhe ku gjatë gjithë kësaj periudhë ka qënë nënkryetare nga kampi i opozitës së atëhershme të PD, kryetarja aktuale Jozefina Topalli.

"Unë kam qënë kryetar Parlamenti dhe nuk mund të hapja votimin me shumicë të cilësuar pa pasur një kuorum prej 84 deputetësh prezentë në sallën e Kuvendit, dhe votimin me shumicë të thjeshtë pa pasur 71 deputetë prezentë", është shprehur ish-kreu i Kuvendit, Pëllumbi. Për të cilin Kushtetuta e ka të përcaktuar qartë se sa duhet të jetë numri i deputetëve në të dyja këto raste të votimit në Kuvend. "Në rastin e zgjedhjes së Presidentit me ndryshimet e reja në Kushtetutë, shumica e thjeshtë prej 71 votash u bë vetëm për raundin e katërt dhe të pestë. Por në votimet në tre raundet e para, që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84 votash, kuorumi duhet patjetër të jetë me 84 deputetë prezentë në sallë.

Në raundin e katërt kur zgjedhja e Presidentit kërkon shumicën e thjeshtë, duhen vetëm 71 deputetë në sallë", ka qënë deklarata e Pëllumbit. Për të cilin, argumentet që jepen në forma të ndryshme, por jashtë kontekstit të Kushtetutës së vendit, kanë vetëm një shpjegim, ngatërresën me qëllim, pasi Kushtetuta është e qartë. Procedura për zgjedhjen e Presidentit, e sanksionuar në Kushtetutë parashikon 5 votime, të fshehta dhe pa debat nga Kuvendi.
Saktësisht, neni 87 i Kushtetutës, i ndryshuar me dakordësinë e mazhorancës dhe opozitës në pranverën e vitit 2008, thotë se Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Shpejtësi, alkool e celular në timon, rreth 9 mijë gjoba për një javë në Tiranë! Rrugorja bën ‘blinacin’

Shpejtësi, alkool e celular në timon, rreth 9 mijë gjoba për një javë në Tiranë! Rrugorja bën ‘blinacin’