/ATSH/- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, po qëndron në Emiratet e Bashkuara Arabe me ftesën e Princit të Kurorës, Sheikut Mohammed bin Zayed bin Sultan Al Nahyan.
Presidentja Jahjaga takoi sot një delegacion të Fondacionit të Shkëlqesisë së Saj, Sheikës Fatima bint Mubarak, nënës Mbretëreshë të Emirateve të Bashkuara Arabe, nga i cili pranoi njoftimin për përkrahjen e Shkëlqesisë së saj për të ndërtuar qendrën kirurgjike të fëmijëve dhe departamentin për trajtimin e kancerit të fëmijëve në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Presidentja Jahjaga, sipas njoftimit dërguar nga Presidenca, e falënderoi Shkëlqesinë e saj për përkrahjen dhe përkujdesjen e saj dhe familjes mbretërore të Emirateve të Bashkuara Arabe për qytetarët e Kosovës dhe mirëqenien e tyre, duke theksuar se ky vazhdim i bashkëpunimit është simbol i marrëdhënieve shumë të mira bilaterale dhe miqësisë mes dy vendeve dhe dy popujve.Projekti i ndërtimit të qendrës për përkujdesjen e fëmijëve pritet që të lançohet në një vizitë zyrtare nga një delegacion i lartë i Emirateve të Bashkuara Arabe gjatë muajit dhjetor.









