PRISHTINË, 5 Mars /ATSH/.-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, vizitoi sot komunën e Drenasit, ku u takua fillimisht me kryetarin e komunës, Nexhat Demaku, nga i cili u njoh me zhvillimet e përgjithshme dhe me problemet e sfidat në komunë.
Kryetari Demaku gjithashtu e njoftoi presidenten edhe me çështjen e migrimit të qytetarëve nga kjo komunë dhe me uljen e madhe të kësaj lëvizjeje në javët e fundit. Ai tha se komuna po përballet me vështirësi në procesin e zhvillimit ekonomik.
Presidentja Jahjaga mori pjesë në përurimin e punishtes së rrobaqepësisë për gratë e Drenasit, e udhëhequr nga Kadire Tahiraj, duke e cilësuar një projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm për fuqizimin ekonomik të grave.
"Punishtja po hapet në një ditë të veçantë, siç është dita e sotme, që simbolizon edhe sakrificën tonë si popull dhe si shtet për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë. Pjesë e kësaj sakrifice dhe e kësaj dhimbjeje të madhe kanë qenë edhe gratë tona, kanë qenë heroinat tona, që unë u them grave që kanë qenë viktima të dhunës në përgjithësi gjatë luftës. Një numër i tyre tanimë nuk janë në mesin tonë. Një numër tjetër i tyre kanë tani një projekt, që i fuqizon ekonomikisht ato përmes programeve të trajnimit dhe avancimit", tha Presidentja Jahjaga. Ajo shtoi se kjo punishte është nismë e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarat e Dhunës në përgjithësi pas luftës, i përkrahur fuqishëm nga KRCT-ja, nga ambasada britanike dhe USAID-i.
"Ky është një projekt i përbashkët dhe i financuar në një pjesë të madhe edhe nga një fondacion, pas prezencës sime në Samitin Global të Grave vitin e kaluar, i cili është financim për blerjen e makinave. Ky është hapi i parë. Projekte të tilla do të ketë edhe në komuna të tjera. Komuna tjetër e radhës do të jetë komuna e Gjakovës në të njëjtin projekt dhe do të përkrahet fuqishëm nga institucioni im, por edhe nga institucionet e tjera të vendit", theksoi Presidentja Jahjaga./b.j/k.s/