
Kryetarja e Komunës së Ranillugut në Gjilan të Kosovës, Tanja Atic, është marrë në pyetje nga Policia e Kosovës, pas dyshimeve se mund të ketë ushtruar ndikim te votuesit nga komuniteti serb gjatë procesit zgjedhor.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani tha për RTK, se Atic dyshohet të ketë ushtruar presion ndaj qytetarëve që nuk kishin një orientim të qartë politik apo mbështesnin subjekte të tjera. Sipas tij, votuesit dyshohet se janë paralajmëruar për humbje të përfitimeve financiare që marrin nga institucionet e Serbisë, në rast se nuk votonin sipas udhëzimeve të caktuara.
Atic është intervistuar në prani të avokatit të saj, me qëllim sqarimin e rrethanave dhe verifikimin e informatave të pranuara nga organet e rendit. Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ajo është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, kryetari i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se KQZ-ja është në dijeni për raportime lidhur me thyerje të heshtjes zgjedhore nga subjekte politike, por ka theksuar se trajtimi i këtyre rasteve nuk është në kompetencën e këtij institucioni dhe se veprimet merren nga organet përgjegjëse në bazë të ankesave të paraqitura.
Lajmi kryesor:
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë/ Përfundon procesi i votimit, pjesëmarrja 45%! Më 9 shkurt arriti 46.54%











