Prifti më i famshëm i anti-mafies në Itali intervistë për Report Tv: Si të luftoni krimin (VIDEO)

TIRANË - Kriminalitetin dhe mafien nuk mund ta luftojë vetëm policia dhe drejtësia, por duhet patjetër roli dhe kontributi i shoqërisë civile dhe medias. Ky është mesazhi që përcjell Don Luigi Ciotti, prifti më i famshëm në Itali për kontributin e tij në luftën kundër mafies dhe krimit. Në një intervistë për Repor Tv, Don Luigi Ciotti rrëfen se si krijoi shoqatën "Libera" pas vrasjes nga mafia të Falkones dhe Borselinos ndërsa sot është kthyer në një pikë referimi për 1600 organizata italiane dhe ndërkombëtare në luftën kundër paligjshmërisë. 

Intervista

Së pari, ju falënderoj për këtë intervistë. Kjo është vizita juaj e parë në Shqipëri?

Është hera e parë që vij. Shoqata “Libera” që bën koordinimin e shumë shoqatave në Itali, por edhe në Amerikën Latine, në Afrikë dhe në të gjithë Evropën, ka qenë këtu, ka qenë në kontakt me disa shoqata shqiptare. Është shoqëria civile, roli i shoqërisë civile, i qytetarëve, i grupeve të qytetarëve, që duhet të japin edhe kontributin e tyre në luftën ndaj krimit të organizuar.

Ju e dini që në Shqipëri ekziston fenomeni i krimit, i korrupsionit, i mafias. Si luftohet ky fenomen dhe a duhet ta bëjë këtë luftë vetëm policia dhe drejtësia?

Jo, në asnjë mënyrë. Magjistratura, prokuroria, forcat e policisë kanë një forcë shtypëse. Forca gjyqësore duhet të jetë e fortë, por duhet edhe kontributi i shoqërisë civile, në tre plane, në tri fusha: në planin kulturor, edukues. Pra ndryshimi duhet të fillojë nga njohja, pra roli i shkollave, i universitetit. Nga ana tjetër, në planin shoqëror. Pra, lufta ndaj mafias, korrupsionit dhe kriminalitetit do të thotë, në shumë kontekste, zhvillohet në fushën politiko-sociale, d.m.th. politikat e familjes, e shëndetësisë, e shoqërisë, e shkollës, e kulturës, e shërbimeve. Do të thotë punë. Kjo është e rëndësishme, thelbësore.

Ju keni dhënë një kontribut të rëndësishëm në Itali në luftën kundër këtij fenomeni. Çfarë duhet bërë në Shqipëri, ku perceptimi dhe frika për krimin dhe paligjshmërinë është e madhe?

Frika bashkohet edhe duke bashkuar forcat. Ne jemi menduar që të bëjmë bashkë këtë herë, qytetarët, në mënyrë që të merrnin edhe ata përgjegjësitë e tyre, të bashkëpunonin me institucionet. Në qoftë se bëjnë gjërat e duhura, pra t’i qëndrojmë pranë dhe t’i ruajmë, në mënyrë që institucionet të bëjnë atë që duhet të bëjnë, pra të bashkëpunojmë. Nga ana tjetër, si qytetarë, si shoqata, si lëvizje kemi detyrën të japim kontributin tonë për ndryshimin që ne ëndërrojmë, se të gjithë ëndërrojmë ndryshim, të gjithë ëndërrojmë gjëra më të bukura, më të rëndësishme, më pozitive. Ndryshimi duhet të fillojë nga secili prej nesh, ne duhet të jemi pjesë e këtij ndryshimi. Prandaj ne jemi munduar të bëjmë bashkë një sërë realitetesh në Itali, të bëjmë bashkë shoqata të mëdha, lëvizje të mëdha, pra bëhet fjalë për miliona njerëz dhe një nga gjërat që kemi bërë p.sh., disa vite më parë, është që kemi mbledhur mbi një milion firma në Itali për një peticion për ligjin, që sot është bërë ligj, që të mirat dhe asetet në duart e mafiozëve të shndërrohen në pasuri të përbashkëta. Është një ligj që ka ardhur nga poshtë, e kemi ndërtuar nga poshtë. Por mafiozët vazhdojnë të riciklojnë paratë, kështu që shkuam në Bruksel për ta nxitur Parlamentin Evropian për të bërë një direktivë, që më pas u realizua, për konfiskimin dhe përdorimin social në të gjithë Evropën. Në vitin 2014 dhe në vitin 2016 ndodhën disa ndryshime të rëndësishme, amendamente të rëndësishme, prandaj, në qoftë se duam, edhe nëse jemi të vegjël, edhe nëse jemi të dobët, atëherë, në qoftë se ne bëhemi bashkë, mund të realizojmë politika në shërbim të të gjithëve.

Ky ligj mund të bëhet edhe në Shqipëri?

Shqipëria ka bërë një punë të mirë për asetet e konfiskuara. Sigurisht që mund të përmirësohet. Ka disa asete të konfiskuara, kam vënë re një diskotekë që është konfiskuar dhe që është bërë një ëmbëltore. Tani, di që në Durrës do të fillojë një kafe letrare. Këtu ka filluar, pra duhet fuqizuar, duhet mbështetur, duhet inkurajuar. Ky është edhe kuptimi i këtij takimi, që ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Është e bukur që edhe mes shoqatave t’i japim një dorë njëri-tjetrit, secili me përvojat e veta, pra ta ndihmojmë njëri-tjetrin.

Ka një lloj frike nga grupet e shoqërisë civile, kur vjen puna për të folur për krimin dhe mafian. Si do t’i inkurajonit ju këto grupe?

Edhe te ne, edhe në Itali, kemi pasur shumë probleme, vazhdojmë të kemi probleme, se kuptohet që mafiozët e korruptuar nuk të duartrokasin në qoftë se u heq pasuritë e tyre dhe ia fal komunitetit. Por është kjo mënyra, është një nga mënyrat, e pakta, pra t’u marrim ato pasuri që janë rezultat i krimit, i dhunës, dhe ngandonjëherë edhe i vdekjes. Prandaj është e rëndësishme që të kemi guxim më shumë se gjithë të tjerët. Nuk duhet t’i lëmë vetëm personat e ekspozuar, duhet t’i mbrojmë dhe duhet të ecim përpara, duhet të bëjmë përpara. Të mirat e konfiskuara duhen vënë në përdorim të shoqërisë, të rajoneve, të enteve lokale, të cilat i përdorin për t’i ofruar një shërbim kolektivitetit, që po ndodh edhe në Shqipëri dhe i përdorim në mënyrë të kujdesshme. Kjo është e vetmja mënyrë. Është e rëndësishme që të mos hiqet dorë. Në fillim edhe ne kemi marrë kërcënime, kemi pasur probleme, por ngadalë, çdo gjë bëhet ngadalë. Rruga është në të tatëpjetë, por duhet ta bëjmë bashkë, me tri fjalë që duhet të jenë konkrete: e para është vazhdimësia; e dyta është fjala ne, që do të thotë bashkëpunim; dhe më pas përgjegjësia për të punuar me institucionet, t’u qëndrojmë pranë, t’i nxisim që të bëjnë gjënë e duhur.

Në Shqipëri aktualisht po zbatohet reforma në drejtësi, vetting-u kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar. Po shoqëria civile, çfarë mund t’i japë kësaj reforme?

Janë role të ndryshme, por sigurisht shoqëria civile duhet të kërkojë atë që është e drejtë, duhet të nxitë, duhet të njohë, të inkurajojë çdo akt kundër korrupsionit. Para disa ditësh isha në Sllovaki. Atje kam pasur të njëjtin problem dhe atje, një djalë shumë i mirë, një gazetar shumë i mirë dhe partnerja e tij, Jang dhe Martina, të cilët i vranë. Pra, Sllovakia zbuloi dramën e kriminalitetit mafioz nëpërmjet vrasjes së gazetarit dhe u zbulua që mafia ishte në nivelin politik, në nivelin e prokurorisë, në nivelin e policisë. Pra, kishte një rrjet mafiozësh, kishte një përzierje vërtet mbresëlënëse, por për fat të mirë u zbulua pas sakrificës së një kolegut tuaj të jashtëzakonshëm, 28 vjeç. Ai bëri hetime serioze dhe e eliminuan sepse po prekte fuqitë në nivele të larta, pushtete në nivele të larta. Para disa ditësh ishim atje me shumë të rinj, me shoqata, me lëvizje sepse duhet ta çojmë përpara këtë punë, të mos e humbim toruan, të bëhemi bashkë, të mos i lëmë vetëm ata që i janë futur kësaj loje dhe duhet të ndikojmë që shtypi, dhe në informacionin tim është shtylla e demokracisë në një vend, shtypi duhet të ndihmojë në sensibilizimin dhe në inkurajimin e njerëzve. Duhet ta kuptojmë që, edhe në qoftë se rruga është në të tatëpjetë, vetëm duke ecur bashkë mund të bëjmë përpara.

Pra, çfarë roli ka media?

Është thelbësore. Informacioni është shtylla e demokracisë së një vendi, informacioni i kujdesshëm, kurajoz, që i ndihmon njerëzit të ndërgjegjësohen. Por informacioni duhet të jetë i lirë, përndryshe ç’informacion është? Nuk mund të jetë në shërbim të një pushteti apo të interesave të caktuara. Duhet të jetë në shërbim të të gjithëve. Të vërtetën askush nuk mund ta manipulojë, nuk mund ta përafërsosh, nuk mund ta marrësh në krahun tënd.

1573906593_luigiciotti.jpg

Nëse keni një mesazh për politikanët shqiptarë sepse në Shqipëri ka një perceptim se e keqja në këtë vend vjen nga politika.

Nëse politika është larg nevojave të njerëzve, nëse politika është larg rrugës, nëse politika është larg të drejtave, politika është larg politikës, nuk është më politikë, është diçka tjetër. Politika është etika e komunitetit. Sot kemi disa shembuj të mirë nëpër botë, njerëz të mirë që besojnë te politika, që janë të angazhuar, por kemi edhe realitete ku ka një ndarje mes politikës dhe etikës. Atëherë ne duhet të kërkojmë nga politika që të mos jetë politikë kompromisesh, lojërash. Politika duhet të jetë shërbim për të mirën e përbashkët, për të mirën e të gjithëve, përndryshe nuk është politikë.

Kur në Itali u vranë Falkone dhe Borselino, çfarë ndiet brenda jush, tërbim apo nevojën për të ndryshuar gjërat?

Shoqata “Libera” ka ndodhur pikërisht atëherë. Ka ndodhur për të mos i lënë vetëm parlermitanët, për të mos i lënë vetëm ata që po luftojnë. Duhet të ndërgjegjësojmë italianët se ky problem nuk prek vetëm disa zona të Italisë, por na prek të gjithëve. Është ajo që kemi bërë pastaj edhe më pas në Evropë dhe në Amerikën Latine, është problem i përbashkët i të gjithëve. Shoqata “Libera” lind nga rruga, p.sh., do të thotë që është problem që nuk ka të bëjë vetëm me një ishull apo me një qytet, por ka të bëjë me të gjitha vendet tona. Pra, ne duhet të ndërgjegjësojmë, duhet të bëhemi bashkë, duhet të bashkëpunojmë me institucionet sa më shumë që të jetë e mundur, duhet të informohemi, duhet të angazhohemi që të bëjmë pjesën tonë. Po ju jap një shembull: ne si shoqatë “Libera”, me katër universitete kemi bërë një master për korrupsionin, në universitetet e Torinos, të Palermos, të Napolit dhe të Pizës. Të gjitha bashkë. Projekte me mijëra shkolla. Me shkollat sepse nxënësit duhet të kenë mjetet e njohjes sepse nuk i njohin këto probleme. Atëherë kanë frikë, kanë ndrojë, por në qoftë se bëhemi bashkë, gjejmë edhe forcën për ta bërë bashkë një rrugëtim të caktuar.

Dhe në fund, a keni një mesazh për të rinjtë në Shqipëri, që shpeshherë ndjekin modele të gabuara, pra duan të pasurohen pa punuar.

Nuk do të jenë këto modele që sjellin jetë në jetën e tyre. Unë u them të rinjve që ta mbushin jetën me jetë, pra të gjejnë domethënien e vërtetë të jetës, ajo që të çon larg. U uroj që të jetojnë, që të mos jenë pre e gjërave që e shkatërrojnë jetën.

Faleminderit për intervistën!

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë