Primo Petris: Ja pse e solla
“La Traviata”-n në ditët e sotme

Primo Petris: Ja pse e solla<br />“La Traviata”-n në ditët e sotme
“Edhe pse nuk është hera e parë që vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, mund të themi me plot bindje që është hera e parë që vjen me madhështinë e vërtetë që kjo vepër ka”. Ishte ky njoftimi i TKOB për premierën “La Traviata”. E ashtu ndodhi, hyrja e artistëve që interpretuan në këtë opera ishte krejtësisht e veçantë dhe e mirëmenduar nga regjisori italian Primo Petris. Ndryshe nga të gjitha herët u dha një “La Traviata” e jetuar në kohët e sotme.

Në një intervistë për emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli”, regjisori Petris u shpreh se “La Traviata, e ngjitur në skenë si aktuale dhe moderne pati një rezultat të mirë. “Kjo funksionoi, e rëndësishme është të bëhet mirë dhe të jetë koherente në skenë”, thotë ai. “La Traviata” vepra e Giuseppe Verdit, me libret të Francesco Maria Piave, bazuar në romanin e Aleksandër Dyma-s (i biri), “Zonja e Kameljeve”, u interpretua nga artistët jo si në vitet 1800, kohë kur Verdi e shkroi, por në kohët e sotme. Skena ishte magjike me mjeshtërinë e interpretimeve të artistëve si Eva Golemi, Romona Tullumani, Max Jota, Ylber Gjini, Vikena Kamenica, Maria Prifti, Dorina Selimaj, Denis Skura, Armando Likaj, Orgert Islami e Sokol Hidersha. Në rolin kryesor, atë të Violetës, Eva Golemi e interpretoi me gjithë emocionin që përçoi dhe tek publiku.
 
Zoti Petris, pse menduat të ngjisni në skenë “Traviatën” e kohës sonë?
 
-Kjo ishte një ndër operat më të rëndësishme të repertorit tonë italian. “La Traviata” për italianët është si të thuash Shën Mëria. Është një opera rëndësishme, në fakt ka qenë një drejtori ynë që gjithmonë na thoshte ”La Traviata” nuk studiohet, “La Traviata” dihet”. Kjo “Traviata” ishte një moment takimi me kastën artistëve që nuk i kam njohur vetëm këtu, por i kam takuar edhe jashtë Shqipërisë dhe në gjithë botën. Kemi punuar së bashku edhe herë të tjera, si për shembull me Eva Golemin që është një artiste shqiptare e madhe, por jo vetëm shqiptare. Ajo është shqiptare sepse ka lindur këtu, por ajo është artiste ndërkombëtare. Kemi bashkëpunuar edhe me maestro Giancarlo De Lorenci me të cilin nuk është hera e parë që bashkëpunojmë për të sjellë “La Traviatan” këtu. Është hera e dytë. Këtë herë këtu në Shqipëri e kemi vënë la në skenë të aktualizuar. Jo si të jetohej në vite 1800, por si të jetohej në kohët e sotme. Kjo sepse opera nuk është muze. Ne nuk mund t’i bëjmë gjerat si një muze për t’i ekspozuar, sepse nuk është një gjë që mund të vendoset në vitrinë. Opera flet për ne sot. Dashuria dhe urrejtja e ‘800-s jetohen edhe sot. Edhe Verdi e shkroi këtë opera në vitet ‘800 dhe e përshtati për atë kohë, domethënë ai donte një Traviatë të kohës së tij dhe ne bëmë një Traviatë të kohës sonë
 
Po publiku shqiptar si i priti risitë e premierës. Çfarë vutë re veçanërisht nga reagimi i tij?
-Me sa pashë, publiku shqiptar e pëlqeu shumë premierën, sepse vura re që u ngritën të gjithë në këmbë. Domethënë aktuale dhe moderne kjo mënyrë e vënies në skenë po funksionon. E rëndësishme është që vepra të bëhet mirë dhe duhet të jetë koherent në skenë, dhe përfundimi: publiku ishte shumë i ngrohtë sepse ishin të gjithë në këmbë në fund të shfaqjes.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com", versioni print

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Makina përplas këmbësorin teksa kalonte rrugën, 62- vjeçari dërgohet në spital

Gjirokastër/ Makina përplas këmbësorin teksa kalonte rrugën, 62- vjeçari dërgohet në spital