Prindër, ja si të “shpëtoni”
fëmijët nga dhimbjet e mesit

Prindër, ja si të “shpëtoni”<br />fëmijët nga dhimbjet e mesit
Fëmijët mund të vuajnë nga dhimbjet e mesit, që kur janë në shkollë, nëse prindërit nuk kujdesen për ta. Një udhëzues për mjekët e shkollave por dhe prindërit, i Ministrisë së Shëndetësisë jep këshilla se si duhet të sillemi më fëmijët që të mos kenë dhimbje mesi kur të rriten.

Shqetësimi kryesor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, është mbajtja e çantës së shkollës në shpinë. Në rast se çanta e shkollës ka një peshë të madhe (përfshirë librat, ujin apo pajisjet e tjera shkollore), atëherë fëmijët rrezikojnë që të vuajnë nga dhimbjet e mesit. Gjithashtu, duhet treguar kujdes edhe për mënyrën se si shohin televizor fëmijët apo kur luajnë lojëra elektronike. “Kirurgët thonë që pajisjet elektronike në vetvete nuk janë problem, dhe që zgjidhja nuk është që të mos përdoren ato.

Por, duhet treguar më shumë kujdes ndaj qëndrimit, veçanërisht zakoneve të mira të qëndrimit ulur. Ata shpjegojnë që kujdesi ndaj posturës, thuajse është zhdukur në të gjithë botën. Gjithashtu, ata shtojnë që, për më tepër prindërit, mësuesit e edukatës fizike dhe mjekët e familjes, e pranojnë si normale posturën jo të rregullt të fëmijëve e adoleshentëve. Prova më e thjeshtë për të kontrolluar shtyllën kurrizore tek ata, është që t’i kërkosh fëmijës të përkulen dhe të prekin majat e gishtave të këmbës.

Ata me dëmtime të shtyllës kurrizore nuk do të munden të përkulin kurrizin, aq sa duhet për të prekur gishtat. Adoleshentët të cilët rrinë të ulur për orë të tëra pranë ekranit me kokën e përkulur, e detyrojnë shtyllën kurrizore të krijojë hark. Ata mund ta ndryshojnë këtë duke qëndruar drejt e mbështetur mbi bërryla.

Një rol thelbësor luajnë dhe mjekët e shkollave si dhe mësuesit e aktivitetit fizik në shkolla, të cilët duhet ti drejtojnë më shumë rreth aktiviteteve fizike, si: futboll, karate, hedhje. Këto do shënonin një diferencë të madhe në jetën e tyre të përditshme. Në ditët e sotme fëmijët janë më shumë të stresuar se 20 vjet më parë dhe aktiviteti fizik realisht do i ndihmonte”, - thotë udhëzimi i Ministrisë së Shëndetësisë.

Për prindërit
Tërhiqni herë pas here vëmendje fëmijëve, të mbajnë pozicionin drejt të trupit si gjatë ngrënies së vakteve, ashtu edhe gjatë ushtrimit të detyrave të shkollës. Mos i lejoni që të ushqehen në divan, por duke mbajtur pozicionin drejt vetëm në tavolinë, pa mbështetur parakrahët.

Regjistrojini minimalisht dy herë në javë në aktivitete fizike jashtëshkollore, si: sporte të ndryshme sipas grupmoshës, not, futboll, basketboll, karate, balet, tenis. Mos lejoni që fëmija juaj, të shtrihet në divan apo krevat gjatë kohës që shikon televizion apo luan me lojëra elektronike. Ai apo ajo të përdorë çantë me rrota me dorezë të gjatë (minivalixhe), për të evituar mbajtjen e ngarkesës në shpinë. Në të kundërt, përdorini të dy krahët e çantës në mënyrë që ngarkesa të shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjithë trupin.

Vendosja vetëm e njërit krahë të çantës, çon në devijim e trupit nga njëra anë e ngarkesës. Sigurohu që fëmija të mos shohë televizion, të lozë kompjuter apo të rrijë ulur, pa bërë një pushim, jo më shumë se 20 minuta. Mundohuni që fëmijët të mos i shoqëroni me makinë për në shkollë, pasi e ecura është një pjesë e rëndësishme e regjimit ditor të aktivitetit fizik. Ndonjëherë, çantat e shkollës i shkaktojnë fëmijëve dhimbje në qafë si dhe në shpatull. Për t’i shmangur këto, ndiqni këto rregulla:

-Qëndroni drejt. Nëse çanta ju shtyn në përkuljen e trupit apo animin nga njëra anë e trupit, do të thotë që fëmija po mban një ngarkesë më shumë seç duhet.
-Kufizoni peshën. Mundohuni të mbani sa më pak libra që të jetë e mundur. Mjekët rekomandojnë, që fëmijët duhet të mbajnë jo më shumë se 10% deri në 15% të peshës së trupit. Për shembull, nëse fëmija peshon 30 kg, çanta duhet të ketë një peshë jo më të madhe se 3 deri 4.5 kg.

-Jepini mundësi kurrizit të pushojë. Kur mundeni, lëreni çantën në dollap dhe merrni vetëm çfarë ju duhet.
 
Çfarë duhet patur parasysh nga mjekët dhe prindërit
Karakteristikat e dhimbjes - përfshirë kohëzgjatja e dhimbjes, rëndesën, përhapjen e dhimbjes, shqetësime të gjumit dhe ndaj aktiviteteve të tjera të ditës, ashtu si dhe faktorët shoqërues apo rëndues.
Simptomat shoqëruese – temperaturë, humbje peshe, simptoma neurologjike (dobësi muskulare apo paraliza, mpirje, ç’rregullime të ecjes, disfunksion të vezikës urinare apo zorrës).
Historia të kaluara mjekësore. – Si për shembull: episode të mëparshme të dhimbjes së qafës apo shtyllës kurrizore, artrit, traumë.

Histori familjare – Si: artrit, skolioz.
Historia psikologjike – depresion që e keqëson dhimbjen e mesit apo dhimbje e mesit që shkakton depresion.
Historia sociale –mbajtja e çantës së shkollës, aktivitetet e shkollës, aktivitetet sportive (sidomos sportet e kontaktit, atletikë, zhytje, etj).


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane