Tirane - Pak ditë nga 112 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, Prishtina ka njoftuar se do i bashkohet Paradës së Shqiptarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka njoftuar lajmin duke theksuar se Tirana do të mirëpresë miqtë nga Prishtina për të festuar bashkë 112 vite pavarësi dhe krenari kombëtare.
Tirana mirëpret miqtë nga Komuna e Prishtinës për të kremtuar së bashku 112 vite pavarësi dhe krenari kombëtare. Bashkia Tiranë dhe Unioni i Bashkive Shqiptare, në bashkëpunim me Shoqatën “Rrënjët Shqiptare”, sjellin për të dytin vit radhazi “Paradën e Shqiptarëve”, shkruan Veliaj.
Në mesazhin e saj, përfaqësuesja e komunës së Prishtinës, ka listuar disa nga shoqatat që do i bashkohen paradës në Tiranë. Ajo thotë se janë rreth 200 artistë që do të sjellin në kryeqytet energjinë e Prishtinës.
“Nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina shumë dashuri për ju. Urime 112 vjetori i pavarësisë suaj. Në paradën e sivjetshme ngPrishtina a po i dërgojmë një numër shumë të madh të artistëve dhe performuesve. Janë rreth 200 artistë dhe performues të cilët do të bartin energjinë e kryeqytetit tek ju. Ju urojmë më të mirat për ju. Tirana na prisni, së shpejti jemi tek ju. Faleminderit”, thotë ajo në mesazhin e saj.