Armand Duka (i vetëm në garë) kërkon mandatin e shtatë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, teksa e drejton këtë institucion që prej vitit 2002. Sot FSHF po mban Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore dhe Duka tha fjalën e tij përpara 48 delegatëve me të drejtë vote.

Presidenti Duka theksoi rëndësinë e miratimit të Ligjit të Sponsorizimit, rritjen e pranisë së tifozëve në stadiume, si dhe nevojën për mbështetje më të madhe institucionale për infrastrukturën sportive, duke e konsideruar sportin prioritet publik.

Në të njëjtën kohë, presidenti evidentoi progresin e ekipeve kombëtare, zgjerimin e përfaqësimit ndërkombëtar të Shqipërisë në strukturat e UEFA dhe FIFA, si dhe organizimin me sukses të eventeve madhore europiane, që kanë rritur imazhin e vendit në arenën sportive.

Duka foli edhe për financat, duke shtuar se sipas tij FSHF-ja është ndër të vetmet federata në Evropë që mbulon me financat e saj gjithë aktivitetin.

"Kampionatet tona kanë ndryshuar ndjeshëm. Sot ato janë shumë më të shumtë në numër e të shtrira në të gjithë territorin e Shqipërisë, si në nivel kombëtar, ashtu edhe rajonal.

Ne mund të jemi e vetmja federatë në Europë, që jo vetëm organizojmë të gjithë garat profesioniste e amatore, kombëtare e rajonale, por edhe mbulojmë të gjitha kostot për organizimin e tyre,  për arbitra, delegatë, vëzhgues, zyrtarë ndeshjesh,  tashmë edhe për teknologjinë VAR, që është një kosto shumë e shtuar për FSHF Por jo vetëm këto, ne mbështesin edhe me bazë materiale, duke financuar 100% të topave të futbollit në të gjitha nivelet e garave dhe 95 % të uniformave të lojës dhe stërvitore për të gjithë futbollistët e futbollistet që luajnë në vendin tonë.

Çdo javë, në Shqipëri zhvillohen qindra ndeshje kombëtare e rajonale për djem dhe vajza duke arritur edhe mbi 600 në periudha piku. Sot, në sistemin tonë janë të regjistruar 27.866 persona – lojtarë, trajnerë, arbitra dhe vëzhgues. Dhe kemi më shumë futbollistë se kurrë më parë, 24.183", tha Duka mes të tjerash.


Lajmi kryesor:

Armand Duka 'garoi' i vetëm, 48 delegatë i japin mandatin e shtatë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit! Zgjidhen anëtarët e Komitetit Ekzekutiv