"Kuptova që punë është bërë". Kështu deklaroi Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla pasi dorëzoi në SPAK prova të reja për Sali Berishën dhe familjen e tij për çështjen e privatizimi të ish kompleksit 'Partizani'. Ndër të tjera theksoi se vlerëson faktin që SPAK ka ecur mirë me hetimet ndërsa në çështje thotë se ka shumë elementë penalë si falsifikimi ushtrimi i ndërtimit të paligjshëm. Balla shtoi se shpreson që drejtësia e re të japë rezultat për këto hetime. Me bindje tha se nuk heq dorë për kallëzimin e tij për Sali Berishën dhe familjarët, për të cilët thotë se kanë përvetësuar një pronë. 

Në dalje të SPAK, Balla u pyet edhe për ndryshimet në qeveri por zgjodhi të mos komentonte duke thënë: “Po mos ma humbni lajmin për këtë…” dhe u largua. Para se të shkonte në SPAK, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përmes një postimi në rrjetin social facebook deklaroi se kush mendon se kanë hequr dorë nga akuzat gjatë kohës që ishin në opozitë, e ka shumë gabim.

 “Kush mendon se kemi hequr dorë nga akuzat tona gjatë kohës kur ishim në opozitë, e ka shumë gabim. Prej vitit 2012 dhe pa asnjë ndërprerje vit pas viti, kam denoncuar grabitjen e kompleksit Partizani, duke përvetësuar ndërtesat dhe fushat e futbollit mu në qendër të Tiranës. Sot në SPAK depozitohen prova të reja të kësaj mega-grabitje. Kam shumë besim se Drejtësia e re do t’i shkojë deri në fund”, shkruan Balla.

Privatizimi i kompleksit ‘Partizani’ është një dosje që tashmë e ka në dorë Prokuroria e Posaçme. Në këtë padi të bërë më herët  nga Balla akuzohen për shpërdorim detyre ish-kryeministri Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami. SPAK i ka kthyer përgjigje Kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Ballës i cili më 18 shkurt i dërgoi një letër ku kërkonte informacione se çfarë është bërë me hetimet pas padisë së tij në vitin 2020 për privatizimin e kompleksit Partizani nga Familja Berisha. Në përgjigjen e SPAK thuhet se çështja është nën hetim. Çështja është regjistuar për veprën penale të parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal që parashikon 'pastrim të produkteve të veprës penale', pra pastrim parash. 

Më 17 nëntor 2020 Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka dorëzuar një kallëzim penal në SPAK, për privatizimin e kompleksit “Partizani”. Balla ka ngritur akuzë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks. Një pronë  me rreth 10.000 m2, mu në qendër të Tiranës në vitin 2008 e prapa është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë. Nëse çdo qytetar shqiptarë do ta vlerësonte është një pronë me 10.000 m2  duke ndërtuar 17 kulla me një vlerë 21 milionë euro kjo është blerë më pak se vlera e një garsoniere të shitur në atë zonë. Në letrën për SPAK Balla ka kërkoi informacion se çfarë është bërë me këtë hetim.

Klubi sportiv "Partizani" ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes që qëndronte këtu, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot mund të shihni këtë grup me 17 kulla në Rrugën "Frosina Plaku", tek ish Fusha e aviacionit, qendra më të madhe sportive në zemër të kryeqytetit, me përmasa 26.000 metra katrorë, qe në fund u pagua vetëm 14.000 euro.

Në atë tokë sot janë ndërtuar dhe po ndërtohen ende dhjetra kulla të kompleksit Magnet 1 dhe Magnet 2 që vlejnë 4.000 herë më shumë, nga të cilat Jamarber Malltezi, dhëndri i ''doktorit", është bashkëpronar me mbi 40% të aksioneve. Një çështje e errët që prodhoi fitime prej dhjetëra miliona eurosh. Falë ligjit të transparencës, për herë të parë, e gjithë dosja për privatizimin e '' Kompleksit sportiv Partizani '' ka dalë nga arkivat e ministrive me kërkesë të gazetarëve investigativë të Report TV, të cilët e studiuan atë për muaj me radhë.

Lexo këtu edhe investigimet e Report Tv për privatizimin e 'Kompleksit Partizani' nga 'klani Berisha'
INVESTIGIMI I

INVESTIGIMI II
INVESTIGIMI III

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:15
Depozitoi në SPAK prova të reja për privatizimin e kompleksit Partizani, Balla: Kuptova që është bërë punë

 

Kreu i grupit socialist të PS, Taulant Balla ka folur për mediat pasi depozitoi në SPAK prova të reja për privatizimin e kompleksit Partizani duke thënë se kuptoi që është bërë punë.

“Kjo çështje është e qartë, shpresoj që drejtësia e re të japë rezultat. Ajo që di unë s’kam për të hequr dorë kurrë 10 vite sot isha këtu për të vënë në dispozicion dokumenta dhe vlerësoj faktin që SPAK ka ecur mjaft mirë në hetimin e kësaj çështje.

Kallëzimin tim e dini shumë mirë, në krye është ai që ka qenë kryeministër në atë kohë dhe familjarët e tyre të cilët kanë përvetësuar një pronë që ka shumë elementë penalë. Aty ka plot elementë siç është falsifikimi ushtrimi i ndërtimit të paligjshëm. Unë kuptova që punë ishte bërë, kaq mund tu them”, tha Balla.

Në dalje të SPAK, Balla u pyet edhe për ndryshimet në qeveri por zgjodhi të mos komentonte duke thënë: “Po mos ma humbni lajmin për këtë…” dhe u largua.

Ora 14:58
Balla mbërrin në SPAK, do të depozitojë prova të reja për privatizimin e kompleksit Partizani (VIDEO)

Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla ka mbërritur në SPAK për depozituar prova të reja për privatizimin e kompleksit Partizani.