Në rreth 2500 përballje gjyqësore në vit që bashkitë kanë me biznese apo individë, ato pritet të mbrohen nga avokati i shtetit. Ndryshimi ligjor që vjen si propozim i Këshillit të Ministrave dhe tashmë është në konsultim publik pritet t’i japë një ndihmë themelore pushtetut vendor, si në ekspertizë ashtu edhe financiarisht. Për të përballuar ngarkesën Avokatura e Shtetit do të ketë të drejtën edhe të rekrutimit të ndihmësve ligjorë.
***
Avokati i Shtetit të mbrojë të gjitha bashkitë në përballjet gjyqësore dhe ligjore. Ky është propozimi i qeverisë, e cila ka hedhur për konsultim publik ndryshimet e reja në ligjin “Për Avokaturën e Shtetit”.
Projekligji parashikon që përfaqësimi nga ana e avokatëve të shtetit për njësitë e qeverisjes vendore të bëhet në të gjitha nivelet e gjykatave, pa pasur nevojë për autorizim të posaçëm.
Aktualisht kjo asistencë juridike ofrohej vetëm përmes marrëveshjeve të posaçme dhe kundrejt pagesës. Në relacion thuhet se bashkitë kanë shprehur pamundësi për të përballuar kostot dhe se rreth 90% e rasteve kanë pasur nevojë për përfaqësim juridik nga Avokatura e Shtetit.
Nëpërmjet këtij parashikimi tashmë Avokatura e Shtetit do të kryejë të njëjtën mbrojtje dhe përfaqësim për bashkitë si ajo që aktualisht kryhet për të organet qendrore. Në rastet kur pushteti vendor do të jetë në përplasje me organet të administratës shtetërore, atëherë këta të fundit do të jenë prioritarë.
Drafti me 7 nene, i depozituar në Kuvend, parashikon krijimin e një funksioni të ri, atë të “ndihmësit ligjor të avokatit të shtetit”, për të rritur kapacitetit e këtij institucioni.
Ndihmësit ligjorë do të jenë juristë të sapodiplomuar me rezultate të larta, të cilët do të ndihmojnë avokatët në analizën e praktikës gjyqësore, përgatitjen e mbrojtjeve standarde dhe hetimet administrative.
Kandidatët duhet të kenë përfunduar studimet në drejtësi në tre vitet e fundit me mesatare 9 deri në 10 dhe të kenë të paktën një vit eksperiencë pune juridike.
Sipas relacionit, ndryshimet vijnë për shkak të ngarkesës së lartë të punës. Avokatët e shtetit ndjekin mesatarisht 7 deri në 10 seanca gjyqësore në ditë, ndërsa institucioni trajton rreth 12 mijë çështje të reja në vit. Me përfshirjen e çështjeve të pushtetit vendor, ngarkesa pritet të rritet me rreth 20%. Vetëm çështjet ndaj bashkive llogariten rreth 2500 në vit.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me mënyrën e emërimit të avokatëve të shtetit. Përveç kandidatëve që dalin nga Shkolla e Magjistraturës, projektligji hap rrugën që avokatë shteti të emërohen edhe persona me mbi 7 vite eksperiencë si ndihmës ligjorë në Avokaturën e Shtetit ose juristë me mbi 10 vite eksperiencë si avokatë, pedagogë të së drejtës apo juristë në administratën shtetërore.
Kjo bëhet për shkak të mungesës së kandidatëve nga Shkolla e Magjistraturës dhe vakancave të shumta në institucion. Aktualisht Avokatura e Shtetit ka 12 vende vakante dhe pritet të plotësojë vetëm 4 prej tyre deri në vitin 2027.
Projektligji parashikon gjithashtu që pranë misionit shqiptar në Këshillin e Europës të rritet niveli i përfaqësimit në GJEDNJ me një ose disa avokatë të shtetit, pasi aktualisht përfaqësohet në nivel juristi.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente











