Për të larë borxhet e mbetura që nga ish-komunat, por edhe të rejat të krijuara pas reformës territoriale-administrative të 2015-ën, qeveria do t’u japë 12 milionë euro bashkive.

Përmes aktit normativ që rishikon për herë të katërt buxhetin e shtetit, është caktuar edhe fondi që do të përdoret nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

“Ky fond shpërndahet 60 për qind në bazë të stokut të detyrimeve të prapambetura dhe 40 për qind sipas numrit të popullsisë së përdorur në formulën e shpërndarjes së transfertës së pakushtëzuar për vitin 2025”, thuhet në aktin normativ.

Nga fondi prej 12 milionë eurosh, gati 30% të tij e marrin 5 bashkitë që kanë edhe borxhet më të mëdha. Bashkia Kavajë që deri në fund të shtatorit kishte 7.2 milionë euro detyrime të papaguara, merr një fond prej 2 milionë euro për të paguar një pjesë të tyre.

Më pas është bashkia Pogradec, kryetari i së cilës ka kërkuar vazhdimisht ndihmën e shtetit për të shlyer borxhet e vjetra. Kjo bashki ka 2.6 milionë euro borxhe dhe si transfertë nga buxheti 843 mijë euro, më pas është Durrësi të cilit praktikisht i shuhen borxhet pasi merr si transfertë 532 mijë euro. Kurse Dimali me afro 1.7 milionë euro detyrime do të marrë 526 mijë euro dhe Rrogozhina përfiton 485 mijë euro.

Me përjashtim të Tiranës, e cila vlerësohet se i ka të gjitha kapacitetet financiare për të shlyer detyrimet, të 60 bashkitë e tjera do të marrin para nga kjo transfertë e buxhetit të shtetit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në total të 61 bashkitë e vendit kanë 28.2 milionë euro detyrime të prapambetura nga 32.5 milionë euro që ishte vlera në fund të vitit 2024. Edhe pse detyrimet e pushtetit vendor kanë ardhur në rënie, ‘sëmundja’ e vjetër vijon, pjesa dërrmuese e tyre janë për investime të kryera dhe të papaguara nga bashkitë, të cilat kanë 10 milionë euro detyrime për investimet.

Më pas janë borxhet për pagesat e energjisë elektrike, pagat e punonjësve, dhe shpronësime rreth 7 mln euro, si dhe detyrimet për shërbime prej 5.3 milionë euro.

FONDET PËR TË LARË BORXHET
Kavajë               2 mln euro
Pogradec         843 mijë euro
Durrës            532 mijë euro
Dimal              526 mijë euro
Rrogozhinë     485 mijë euro

 

DETYRIMET E PRAPAMBETURA TË BASHKIVE
Dhjetor 2024     32.5 mln euro
Shtator 2025       28.2 mln euro
Diferenca            -4.3 mln euro

 

BORXHET E BASHKIVE SIPAS KATEGORISË
Investime                                  10 mln euro
Energji, shpronësime, paga        7 mln euro
Shërbime                                  5.3 mln euro
Vendime gjyqësore                  2.5 mln euro