Problematike/ Pse kjo indiferencë
e mungesë solidariteti nga publiku?

Problematike/ Pse kjo indiferencë<br />e mungesë solidariteti nga publiku?
SHKODËR -Problem kryesor për mbarë gazetarët që e duan këtë profesion në Shkodër është indiferentizmi dhe mungesa e solidaritetit të publikut ndaj artikujve dhe kronikave, kritike apo investiguese, të cilat prej vitesh kanë goditur fenomene e skandale, për të cilat Prokuroria duhej që të ishte vënë në lëvizje menjëherë. Më ka ndodhur disa herë që persona të njohur apo të saponjohur e dinin se ende punoja për gazeta apo televizione në të cilat kisha punuar, pra jo në kohën e tashme. Me fjalë të tjera, ata nuk kishin shfletuar gazetë apo parë lajme qysh në momentin kur rastësisht më kishin lexuar apo parë në aktivitetin tim.

Raste të tilla të ngjashme u kanë ndodhur edhe kolegëve të nisur nga vetë pohimet e tyre. Kjo dallohet qartë në ato pak raste kur shoqëria civile në Shkodër ka tentuar që të mbledhë qytetarë për të protestuar për shkelje të ndryshme dhe rezultati ka qenë katastrofë. Nuk kanë mundur që të mbledhin më shumë njerëz sesa vullnetarët e tyre, me të cilët mezi mund të mbushnin një autobus.

Ky fenomen ka çuar edhe në perceptimin, në një shkallë të gjerë negative, për punën e gazetarëve, duke i akuzuar që të gjithë se ata janë të njëanshëm, të politizuar dhe bëjnë lojën e interesave të pronarëve apo të pushtetit të radhës, lokal apo qendror. Nga ana tjetër, edhe ajo shtresë kryesisht intelektuale e publikut që presupozohet se i ndjek deri në një farë mase edicionet informative të televizioneve, si dhe të atyre pak gazetave periodike që ende gjallojnë në Shkodër, është krejt indiferente në raport me problematikat e shumta të këtij rajoni.

Përmbytjet masive të dhjetorit 2010 psh bënë që, për të shkuar në shtëpitë e tyre, banorët e qytetit hipnin në varka në fillim të lagjes Parrucë, që ishte shndrruar në një mol të përkohshëm, për të shkuar drejt Tophanës, Xhabijes, Luguçesmës apo Bahçallëkut.

Pikërisht në këtë vend për afro një javë mblidheshin një grusht kurreshtarësh që vetëm sodisnin dhe nuk banonin në këto lagje. Vetëm pak metra më larg, lokalet e shumta të basteve sportive vlonin nga klientët që nuk e prishnin terezinë, njëlloj si në ditë të tjera të zakonshme. Për ta nuk kishte asnjë problem, përsa kohë që përmbytja nuk u kishte ardhur te pragu i shtëpisë së tyre. Dhe të mendosh që, me ndonjë përjashtim të vogël, të vetmit që po impenjoheshin për të ndihmuar këtë pjesë të paralizuar të qytetit ishin punonjësit e Bashkisë, që çonin bukë dhe ujë me këto varka, duke kryer bashkë me to edhe transportimin e njerëzve, kjo e ka pak të quhet indiferentizëm dhe mungesë totale solidariteti. Kjo, edhe për faktin se përmbytja e asaj mase ishte evidente dhe e njohur nga të gjithë banorët e Shkodrës, qoftë edhe ata që nuk shihnin fare lajmet, sepse këtë mund ta konstatonin direkt me vetëm një dalje të thjeshtë jashtë shtëpisë.

Për secilin gazetar që e do profesionin e tij është krejt e kuptueshme se çdo të thotë kjo panoramë e zymtë - e pse jo, edhe fyese - për më tepër në një rajon ende homogjen në raport me qendra më të mëdha urbane dhe ku të gjithë i njohin të gjithë.

logo observatori per arkiv
*) Ky shkrim është përgatitur në bashkëpunim me Osservatorio Balcani e Caucaso për Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi vetëm e Shqiptarja.com dhe nuk mund të pretendohet   në asnjë mënyrë se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian 






Redaksia Online
Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit