Bashkia e Tiranës ka vendosur të shtyjë afatin e aplikimeve për kreditë e buta, pas njoftimit se portali “e-Albania” do të jetë jashtë funksionit në datat 15-18 maj.
Vendimi u bë i ditur gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak nga kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, e cila deklaroi se afati i ri për aplikimet do të jetë data 22 maj, ndërsa fillimisht procesi ishte parashikuar të mbyllej më 19 maj.
“Siç jeni në dijeni, Bashkia e Tiranës ka nisur procesin e aplikimit për kredi të buta për vitin 2026. Procesi ka nisur më 20 prilli dhe është parashikuar të zgjasë deri më 19 maj. Aplikimet kryhen online përmes portalit “e-Albania”. Deri më sot që flasim, janë kryer 2600 aplkime. Por, sipas një njoftimi të portalit “e-Albania” dhe sipas problematikave që ka pasur, të gjitha ditët që do të jenë të pamundura për funksionim që janë njoftuar nga data 15-18 maj, do të zëvendësohen dhe afati i ri për momentin është data 22 maj”, deklaroi Ristani.
Po ashtu Ristani nënvizoi se nëse do të ketë nevoja të tjëra për shtyrje të afatit do të adresohen, në mënyrë që asnjë qytetar të mos ngelet jashtë programit të kredive të buta, për probleme teknike.
“Por nëse do të ketë nevoja të tjera për shtyrje të afatit do të adresohen. Kjo është për të thënë që asnjë qytetar që do përpiqet të bëhet pjesë e këtij programi nuk do të pengohet nga këto probleme teknike dhe do të kompensohen me kohën e përshtatshme për çdo ditë që E Albania nuk do të funksionojë”, theksoi Ristani
Për 4 ditët në vijim, e-Albania do të jetë përkohësisht jashtë funksionit në kuadër të përditësimit të portalit. Lajmiu konfirmua nw faqen zyrtare ku shkruhet se pwr shkak tw optimizimit teknik dhe procesit të përditësimi shërbimet nuk do të mund të aksesohen nga data 15 maj në orën 22:00 deri më 18 maj në orën 08:00.
Lajmi kryesor:
e-Albania njofton qytetarët: Ndërprerje 4-ditore e shërbimit, jemi në proces përditësimi dhe optimizimi










