Kjo Qeveri nuk po arrin të prodhojë vende të punës, por çka edhe u zotua, dhe krejt çka po arrin të prodhojë janë statuse të panumërta humori në rrjete sociale dhe skandale të njëpasnjëshme.

Tani ministri që ishte dashur të kujdesej për mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik, ka problem me mungesën e planifikimit familjar.

Sikur të fokusohej më shumë në punën që është zgjedhur, pra në zhvillim ekonomik e jo se sa fëmijë lindin qytetarët, jam i bindur që do të kishim më shumë progres dhe rrjedhimisht nuk do ta kishte këtë shqetësim.

Ndoshta e kundërta do të ishte e vërteta, ku si shumë vende tjera të zhvilluara dhe normale, do të ofronin incentiva vetëm për të inkurajuar qytetarët që të lindin më shumë fëmijë.

Ministri ka problem të kuptojë se si një individ në shekullin XXI krijon një familje që nuk arrin ta përkrahë financiarisht. Kjo tregon se problemi kryesor që ka ministri në fjalë është fakti se nuk është i prekur me realitetin që e rrethon. Ai merr një pagë të mirë dhe jeton me standarde evropiane, por çka nuk arrin të kuptojë është popullin që ai e përfaqëson sepse qytetarët e këtij vendi nuk e kanë luksin e ministrit.

Dihet mirë që të gjithë popujt që janë dobët ekonomikisht kanë edhe ngritje në natalitet. Pra, ka një korrelacion ku të gjitha vendet e varfra kanë numër të madh të lindjeve dhe kjo e përcjell edhe Kosovën. Dhe kjo për shumë arsye.

E para, vendet e varfra nuk kanë qasje në kushte që ndihmojnë planifikimin familjar, diçka që është e ofruar në të gjitha vendet e zhvilluara. Kosova nuk ofron as edukim e as qasje në këto mjete. Prandaj, do të ishte e udhës sikur të ofroni solucione e jo të drejtoni ankesa sepse ju jeni i zgjedhur për të ofruar solucione jo për të ngritur ankesa.

E dyta, në vendet e varfra fëmijët kryesisht kanë qenë dhe mbesin siguria e mirëqenies së një familje. Për shembull, fëmijët kanë qenë vetë pasuria familjare sepse në këto shoqëri, një fëmijë ka qenë një palë duar më shumë dhe rrjedhimisht një e ardhur më shumë për familjen, që tek shqiptarët ka qenë puna e krahut ose dërgimi i fëmijëve në vende perëndimore si mbështetje financiare. Pra, familja e madhe shpesh është përkthyer në të mira financiare.

E fundit, që është shumë me rëndësi të veçohet, familja e madhe ka qenë edhe siguri për mirëqenien e prindërve sepse derisa nuk ka pasur dhe vazhdojmë të mos kemi një shtet që i ofron as kushtet elementare për jetesë në pleqëri, sigurisht se fëmija ka qenë dhe mbetet mbështetja e vetme që është kujdesur për prindërit në moshën e thyer. Nënat apo gratë kanë qenë shtylla e prodhimit dhe mbajtjes së rendit në shtëpi dhe kryesisht, sa më e madhe familja, aq më sigurt ka qenë mirëqenia e prindërve në pleqëri.

Tani që sipas jush kemi shumë fëmijë dhe sigurisht po paraqesin pengesë për një Qeveri që nuk arrin t’ju ofrojë as kushte e as mundësi për vende pune dhe siç jemi dëshmitarë që një numër i madh ka marrë rrugët e botës, pyetja është cila është zgjidhja? Hajde po themi se po ndalojmë lindjet e “tepërta” dhe populli po modernizohet për hatër tuajin. Cila është zgjidhja për të moshuarit? Ju e dini që të ardhurat e pensionistëve nuk arrijnë t’ju mbulojnë as shpenzimet e medikamenteve, e të mos flasim për një kulm mbi kokë apo mbikëqyrje permanente institucionale. Çfarë pastaj?

Z. Ministër, unë ju njoftoj se ka zgjidhje. Sa për informatë, çdo vend që ka pasur zhvillim ekonomik ka pësuar rënie të natalitetit dhe ka rregulluar planifikimin familjar. Shkurt, me zhvillim ekonomik ka edhe pakësim të lindjeve dhe kjo dëshmohet tek numrat në gjithë botën perëndimore. Juve me siguri i plotësoni këto kushte, mirëpo një popull që ju e udhëhiqni, vazhdon të mbetet populli më i varfër në Evropë dhe sigurisht se mbështetjen e vetme në këto kushte primitive e gjen tek mënyrat primitive të mbijetesës. Pra, familja e madhe dhe kjo për shkak se nuk ka kushte dhe mundësi për një zgjidhje tjetër,

Në shumë vende tjera të zhvilluara dhe normale, diçka që Kosova nuk shquhet për asnjërën, qeveritë ofrojnë incentiva vetëm për të inkurajuar qytetarët që të lindin fëmijë. Me këtë problem ballafaqohen shumë vende të zhvilluara në botën perëndimore. Prandaj, sikur të fokusoheni më shumë në punën që jeni zgjedhur, pra në zhvillim ekonomik e jo se sa fëmijë lindin qytetarët, jam i bindur që do të kishim më shumë progres dhe rrjedhimisht nuk do të kishit këtë shqetësim.